Në vigjilie të 555 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

0
Shkruan Paulin Zefi
Jemi në vitin e largët 1461, në kohën kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu pranoi ofertën ngulmuese të sulltan Mehmetit II Fatih për të nënshkruar një traktat armëpushimi midis tyre, me afat 1 vjeçar (22 qershor 1461).
Biografët më të hershëm të Kryeheroit, duke nisur nga ipeshkvi i Ulqinit, Martin Segoni i Novobërdës (Artanës), rrëfejnë se pas nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit, Mehmeti II Fatih, nëpërmjet një ambasadori, kërkoi të merrte si dhuratë shpatën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të cilën turqit e konsideronin si një objekt magjik.
Faktin se turqit mendonin se shpata e tij ishte një objekt magjik, e përmend edhe humanisti italian nga Venecia dhe historiani bashkëkohës, Marco Antonio Coccio (1436-1506) ose i mirënjohuri Sabellico/Sabellicus. Rreth 4 dekada pas M.Segonit, këtë ngjarje e përmend edhe historiani i njohur i Rilindjes Italiane me prejardhje fisnike bizantine dhe i lindur në Venecia, Theodhoros Spandouginos-Cantacuseno, në “Komentarët e tij”, ku flet për origjinën e perandorëve të dinastisë osmane dhe për zakonet e popullit turk. Po ashtu, të njëjtin njoftim e ndeshim në vitin 1582 te Francesco Sansovino, më 1597 te Cesare Campana, më 1608 te Adrien de Boufflers, më 1648 te Antonio Possenti, më 1674 te Giovanni Sagredo, më 1742 te Giammaria Biemmi, më 1854 te Peter Fredet, më 1855 te Alphonse de Lamartine, më 1879 te Carlo Padiglione, por edhe në veprat e shumë historianëve të tjerë perëndimorë. Sipas M.Segonit dhe Th.Spandouginos-Cantacuseno: thuhet se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, gjatë zhvillimit të betejave kishte vrarë me dorën e vet mbi 2.000 ushtarë turq, duke përdorur një shpatë, me anën e së cilës me një goditje të vetme e çante një dem përgjysmë. Të njëjtin njoftim mbi vrasjen e më shumë se 2.000 ushtarëve turq me dorën e tij, por jo duke përdorur vetëm këtë shpatë, e ndeshim edhe te Paolo Giovio, Giulio Roscio, Agostino Mascardi, Fabio Leonida, Ottavio Tronsarelli, Giovanni Sagredo dhe Giammaria Biemmi. Ndërsa Antonio Possenti, shkruan se: që në kohën kur luftonte në Italinë e Jugut (1461-1462), flitej se deri atëherë, ai ka vrarë me dorën e vet më shumë se 3.000 turq. Kurse historiani ushtarak britanik, Gjeneral-Majori John Mitchel, dhe historiani amerikan, William Jackson Armstrong, shkruajnë se Gjergj Kastrioti ka vrarë me dorën e vet, jo më pak se 3.000 turq. C.Campana dhe A.Possenti, duke u bazuar në burimet e kohës, pohojnë se: me një të rënë të shpatës kishte vrarë dy burra, duke i ndarë ata më dysh. Ndërsa A. de Lamartine shton se: me këtë shpatë të modelit “Damaskinë”, e cila kishte përmasa jo të zakonshme, ai kishte vrarë vëllain e Ballaban Pashës, Jakup Pashën dhe të nipin, Hajdarin (bëhet fjalë për vitin 1467 – P.Z.). Në vitet 1444-1461, Mehmeti II kishte dëgjuar se me këtë shpatë, Skënderbeu kishte çarë helmetat, parzmoret dhe çdo lloj armature prej hekuri, por siç e sqaron F.Sansovino: ai kishte më shumë se tri shpata të tilla, të punuara me shumë finesë dhe kështu që, pa u merakosur aspak, njërën prej tyre ia bëri dhuratë sulltanit. Mehmeti II, pasi e mori këtë shpatë nëpërmjet ambasadorit të vet, ia dha për ta provuar një tartari, që ishte luftëtari i tij më i fuqishëm, por u duk se shpata nuk kishte asgjë të veçantë në krahasim me shpatat e tjera. Prandaj, Mehmeti II ja dha shpatën ambasadorit të vet për ti’a kthyer mbrapsht Prijësit Arbër, duke i shkruar këtij të fundit se: “Shpata që i kishte dërguar nuk ishte shpata për të cilën bëhej fjalë, sepse ajo ishte një shpatë e zakonshme”. Në takimin e radhës që u zhvillua me ambasadorin turk në Krujë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e rrëmbeu po të njëjtën shpatë, duke çarë një dem përgjysmë (prerje koke) me një goditje të vetme dhe në mënyrë demonstrative në sytë e ambasadorit turk, të cilit i tha duke qeshur: “Mehmetit i dërgova shpatën time, por nuk mundja t’i dërgoja krahun tim.” A.Possenti, thekson se “Krahu i Princit” ishte aq i fortë sa që nëpër duele bënte mrekulli dhe ndërsa në shumë beteja kundër armiqve, e kthente vendin në kasaphanë. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ja ridërgoi sërish të njëjtën shpatë Mehmetit II, por monarku osman që u informua nga ambasadori i vet, u shpreh se: “Zoti nuk do të jetë i kënaqur nëse e privoj një njeri kaq të fortë nga një shpatë e tillë” dhe nuk pranoi ta mbante, por ja ktheu përsëri mbrapsht, duke i dërguar bashkë me të edhe shumë dhurata të çmuara. Kjo shpatë, sipas Carlo Padiglione, i cili i referohet Gaetanit, ju dhurua nga gjenerali Korafa, mbretit Karli III të Burbonëve dhe ky i fundit e mbajti në armatoren ose koleksionin e tij personal të armëve. Ndërsa A. de Boufflers flet për një shpatë të Kryeheroit, të cilën sulltan Mehmeti II, në përpjekje për të imituar princin arbër, e përdori atë pas vdekjes së tij, duke menduar se do të bënte të njëjtat bëma me dorën e vet kundër të Krishterëve dhe do të përjetonte të njëjtën përvojë si Mbreti i Epirit, por këto tehe nuk prenë ndaj të Krishterëve! Në fakt, siç e thekson autori i lartpërmendur, virtyti nuk vinte aspak nga shpata, por nga forca nervore e krahut dhe dorës së shpirtmadhit Skënderbe (force nerveuse du bras & de la main du magnanime Scanderbeg), i cili e përdorte atë për të flakëruar jobesimtarët. Nisur nga episodi i lartpërmendur, që u amplifikua si legjendë prej shumë popujve europianë, njoftimi në fjalë filloi të gjejë një përdorim mjaft të gjerë edhe në formën e aforizmave. Gjithashtu, forca fizike e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, trimëria dhe burrëria e tij hynë edhe në gjuhën angleze dhe u bënë proverbiale. Për një veprim që nuk arrinte rezultatin e dëshiruar, sepse i mungonte forca e brendshme, ishte bërë zakon të thuhej me ironi: “Scanderbeg’s sword must have Scanderbeg’s arm (Shpata e Skënderbeut, duhet të ketë krahun e Skënderbeut).” Historia e zanafillës së këtij proverbi lidhet me veprën e Zachary Jones Gentleman, i cili mori variantin frëngjisht të “Historisë së Skënderbeut” të humanistit Marin Barleti, të botuar në Paris më 1576 dhe të përkthyer nga origjinali latinisht prej Jacques de Lavardin dhe e ktheu atë në gjuhën e popullit të vet, 20 vite më vonë, më 1596.
Shumë shpejt, proverbi dhe historia pas tij u përvetësuan nga disa teologë dhe u bë i njohur për shumë lexues si rezultat i publikimit në libra të zakonshëm, por gjithashtu gjeti një përdorim mjaft të gjerë edhe nëpër fjalimet politike dhe predikimet fetare. Ministri anglez, John Langley, e përdori këtë proverb gjatë një fjalimi të mbajtur në Dhomën e Komuneve (House of Commons) në vitin 1644. Shpata dhe krahu i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut do të përdoren në mënyrë figurative edhe nga poeti dhe ipeshkvi anglez, Henry King, i cili përpiqet të ofrojë një shpjegim midis fjalëve të Krishtit dhe frymës që i gjallëron fjalët e tij. Rev. George Seaton, e përdor anekdotën e Skënderbeut (Scanderbeg’s anecdote) për të shpjeguar shkrime biblike siç është “Shpata e Shpirtit, e cila është fjala e Zotit.” Rev. Thomas Brooks, në veprën e tij “The Unsearchable Riches of Christ” të botuar më 1655, lë të kuptohet për një lidhje midis “Shpatës së Skënderbeut dhe Fjalës së Krishtit”, dhe ndërsa Joseph C. Philpot, ofron një tregim të ngjashëm në lidhje me marrëdhënien e dukshme midis “Shpatës së Skënderbeut dhe Fjalës së Zotit.” Duke komentuar në veprën e vet “Jeta e poetëve” replikën e fuqishme që i bën shkrimtari Congreve kritikës së ashpër të Collier: Samuel Johnson, thotë për Congreve: “He has the sword without the arm of Scanderbeg (Ai ka shpatën, por nuk ka edhe krahun e Skënderbeut).” Prandaj pak rëndësi ka fakti se ku mbaron historia e vërtetë dhe ku fillon legjenda në lidhje me këtë episod të veçantë, por këtu del në pah se çelësi i suksesit të padiskutueshëm të Arbnorit të Madh nuk lidhet me shpatën, por me krahun e tij, i cili nuk përfaqëson thjeshtë forcën fizike, por të gjitha aftësitë e tij, që e ngrejnë atë deri në piedestalin më të lartë ku qëndrojnë figurat më emblematike në historinë botërore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu