Më duaj si- je!! (Mons. Lebrun)

0

E njoh mjerimin tënd, luftërat dhe trazirat e shpirtit tënd, mangësitë dhe sëmundjet e trupit tënd; – i di poshtërsitë e tua, mëkatet e tua e, megjithëkëtë, të them: – Ma jep zemrën tënde, më duaj siç je!
Nëse pret të jesh një engjëll për t’u hedhur në dashuri, nuk do të duash kurrë. Edhe nëse je i poshtër në praktikimin e detyrës e të virtytit, nëse bie përsëri në ato faje, që do të doje të mos i bëje më, nuk të lejoj të mos më duash. Më duaj siç je!
Në çdo çast e në çfarëdo situate, në të cilën je, në gëzim shpirtëror apo në thatësirë, në besnikëri apo në pabesnikëri, më duaj! Siç je! Dua dashurinë e zemrës sate të shkretë; nëse pret që të jesh i përsosur, nuk do të më duash kurrë.
Mos vallë nuk mund ta bëj çdo kokrrizë rëre një serafin të shkëlqyer pastërtie, fisnikërie dhe dashurie? A nuk jam Unë i Gjithëpushtetshmi? E, nëse më pëlqen t’i lë në asgjë ato qenie të mrekullueshme e të parapëlqej dashurinë e varfër të zemrës sate, a nuk jam Unë zotëria i dashurisë sime?
Biri im! Më lër të të dua! Dua zemrën tënde! Sigurisht, dua që me kalimin e kohës të të shndërroj, por për tani të dua siç je… e dëshiroj që edhe ti të veprosh kështu; unë dua të shoh, nga cekëtinat e mjerimit, tek lartësohet dashuria. Dua në ty edhe dobësinë tënde, dua dashurinë e të varfërve; dua që prej leckave të lartësohet vazhdimisht një klithje e madhe: O Jezus, të dua! Dua vetëm këngën e zemrës sate, nuk kam nevojë as për shkencën tënde, as për talentin tënd. Vetëm një gjë më intereson: të të shoh të punosh me dashuri!
Nuk dëshiroj virtytet e tua; po të t’i jepja, je kaq i dobët, saqë do të ushqenin mendjemadhësinë tënde; mos u shqetëso për këtë! Do të kisha ditur të të caktoj për punë të mëdha; por jo, do të jesh shërbëtori i kotë; do të ta marr edhe atë pak që ke… sepse të kam krijuar vetëm për dashuri.
Sot qëndroj në derën e zemrës sate si një lypës, Unë Mbreti i mbretërve! Trokas dhe pres; nxito të ma hapësh! Mos e zgjero mjerimin tënd! Po ta njihje ti mjerimin tënd, do të vdisje nga dhimbja. Ajo që do të ma plagoste më shumë zemrën do të ishte të të shihja me dyshim e me mungesë besimi.
Dua që ti të më mendosh në çdo orë të ditës e të natës; dua që ti të bësh edhe veprimin më të pakuptim vetëm për dashuri. Besoj tek ti se do të më japësh gëzim…
Mos u shqetëso që nuk zotëron virtyte! Do të të jap virtytet e mia. Kur të kesh vuajtje, do të të jap forcë: Më ke dhënë dashurinë e do të bëj që ti të kesh dashuri përtej ëndrrave të tua… Por, kujtohu… më duaj siç je!…
Të kam dhënë Nënën time: bëj që të kalojë gjithçka, gjithçka, nëpërmjet Zemrës së saj kaq të pastër!
Çfarëdo që të ndodhë, mos prit të jesh i shenjtë që t’i vihesh udhës së dashurisë sepse kështu nuk do të kishe për të më dashur kurrë… Shko!

Përgatiti në shqip:
Nikolin Sh. Lëmezhi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu