Mbi 3.500 biznese “kapen mat” nga tatimet

0

Ky vit duket se nuk ka nisur mbarë për bizneset që ushtrojnë aktivitet në vend, pasi numri i subjekteve që nuk paguajnë detyrimet tatimore ka vijuar të rritet ndjeshëm muaj pas muaji. Për periudhën Janar- Maj 2023, rezulton së listës së aktiviteteve që nuk kanë paguar në kohë detyrimet kundrejt administratës tatimore, i janë shtuar 3595 subjekte, duke bërë që asetet e tyre të bllokohen. Kjo shifër lidhet edhe me situatën e vështirë ekonomike me të cilën po përballet vendi prej një kohe të gjatë, ku rritja e çmimeve ka sjellë rritje të ndjeshme të kostove për bizneset si dhe frenim te konsumit.

Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deri më 31 Maj 2023 janë konkretisht 31 608 subjekte dhe persona fizikë të penalizuar, ndaj të cilëve është vendosur masa e barrës siguruese apo hipotekore nga ana e administratës tatimore. Ndërsa fund i vitit 2022, u mbyll me 28.013 biznese me detyrime të pashlyera. Vendosja e barrës siguruese apo hipotekore  është një prej formave të mbledhjes me forcë të borxhit nga ky institucion.

Emrat e debitorëve bëhen publike me qëllim që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

Lista e tatimeve tregon se nuk bëhet fjalë vetëm për borxhe të akumuluara rishtazi nga subjektet, por një pjesë e mirë prej tyre datojnë mbi 10 vite më parë, të cilat ende nuk janë shlyer pasi tatimet njoftojnë se pasi ky detyrim paguhet, emri fshihet nga lista.

Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton se gjendja e stokut të detyrimeve që sipërmarrjet duhet të paguajnë arrin në 146.8 miliardë lekë  apo 1.28 miliardë euro deri në fund të viti 2022.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu