28 Nëntori nuk është datë e një partie, por e një kombi!

0

Shkruan Zef Ndreka

Opozita e shpalli ditën e molotovëve.
Sot, më 28 Nëntor, në Tiranë u zbeh festa e shenjtë e Flamurit Kombëtar. Një ditë që duhet të bashkojë shqiptarët pavarësisht bindjeve politike, u kthye në një ditë përplasjesh politike.
Opozita, në pamundësi për të krijuar një datë të sajën, zgjodhi pikërisht ditën e të gjithë shqiptarëve për të zhvilluar protestën e vet politike. Por problemi nuk qëndron tek e drejta për të protestuar. Kjo është një e drejtë demokratike dhe e patjetërsueshme. Problemi qëndron tek mënyrat, koha dhe mesazhi që përcillet.
28 Nëntori nuk është pronë e qeverisë, as e opozitës. Nuk është datë për të numëruar forcat politike, për të matur militantizmin apo për të shfaqur përplasjet e radhës.
28 Nëntori është dita e Skënderbeut, e Pavarësisë, e Ismail Qemalit, e flamurit që u ngrit në Vlorë dhe e sakrificave të brezave që e mbajtën gjallë këtë komb.
Opozita ka të drejtën dhe detyrimin të denoncojë qeverinë, të organizojë protesta dhe të kërkojë llogaridhënie. Por kjo nuk do të thotë se çdo datë kombëtare duhet të shndërrohet në një instrument të betejës së saj politike.
Opozita që kërkon të përfaqësojë qytetarët duhet të dijë të dallojë interesin e saj politik nga interesi kombëtar.
Flamuri kuqezi është mbi partitë, mbi qeveritë dhe mbi çdo interes të përkohshëm politik.
Është për të ardhur keq që edhe në ditën kur duhet të jemi bashkë, politika shqiptare na kujton se sa larg jemi ende nga kultura e respektimit të simboleve dhe festave tona kombëtare.
28 Nëntori meriton nderim, jo përvetësim politik. Meritonte festë, krenari dhe bashkim, jo një tjetër ditë përçarjeje!
Fotoja e mëposhtme është pamje e rëndë që ndodhi sot në Tiranë, pikërisht në Ditën e Flamurit, që tregon se nuk kemi të bëjmë thjesht me një protestë politike apo me shprehje të pakënaqësisë qytetare. Shohim një efektiv policie të përfshirë nga flakët e një molotovi, ku tregon se deri ku mund të shkojë dhuna kur protesta humbet karakterin e saj qytetar.
Protesta, si të tjerat, u kthye në dhunë duke humbur plotësisht edhe kuptimin e saj.
Është e papranueshme që në ditën kur shqiptarët duhet të festojnë bashkimin e tyre kombëtar, një pjesë e skenës politike ta kthejë Tiranën në arenë përplasjesh, ku efektivët e policisë bëhen objekt i sulmeve me molotovë.
Policia ka detyrimin të ruajë rendin dhe sigurinë publike, ndërsa protestuesit kanë të drejtën të kundërshtojnë qeverinë. Por asnjë pakënaqësi politike nuk mund të justifikojë djegien, plagosjen apo rrezikimin e jetës së njerëzve.
Flamuri që u ngrit për bashkimin e shqiptarëve nuk mund të përdoret si mbulesë për dhunën dhe përçarjen e tyre.
28 Nëntori duhej të ishte dita e krenarisë sonë kombëtare, jo dita e molotovëve!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu