Shkruan Zef Ndreka
Kjo duket se ka qenë filozofia politike e disa prej liderëve që kanë drejtuar Shqipërinë gjatë këtyre dekadave. Dhe tragjedia më e madhe është se kjo sëmundje politike nuk është shëruar as pas 35 vitesh pluralizëm.
Çfarë burrash shteti janë këta që mendojnë se vendi fillon dhe mbaron me pushtetin e tyre?
Çfarë liderësh janë këta që mbi interesin kombëtar vendosin interesin partiak, privat, familjar apo të rrethit të tyre?
Një burrë shteti mendon për atë që lë pas. Mendon për institucionet, për ekonominë, për drejtësinë, për brezin që vjen. Politikani i kapur pas pushtetit mendon vetëm për ditën e nesërme politike, pra si të mbijetojë, si të ruajë kontrollin, si të mbrojë njerëzit dhe interesat që e mbajnë në këmbë.
Kjo është pjesa e dramës shqiptare.
Pas më shumë se tri dekadash demokraci, Shqipëria vazhdon të vuajë nga një ekonomi ku perceptimi i përqendrimit të pasurisë dhe ndikimit ekonomik tek një rreth i ngushtë njerëzish ushqen një hendek gjithnjë e më të madh me pjesën tjetër të shoqërisë. Kur buxheti publik, koncesionet, tenderët dhe pasuritë kombëtare shihen si territor i privilegjuar për pak duar, qytetaret humbasin besimin se puna dhe ndershmëria janë rruga e suksesit.
Kështu është krijuar shoqëria shqiptare me pak të privilegjuar dhe shumë njerëz që luftojnë për të mbijetuar.
Shqipëria politike e këtyre 35 viteve e ka provuar se nuk mjafton të rrëzosh një sistem dhe ta quash tjetrin demokraci. Demokracia kërkon institucione, përgjegjësi, rotacion elitash, konkurrencë, drejtësi dhe mbi të gjitha, kufizim të pushtetit.
Ne kemi ndryshuar qeveri, por shumë më pak kemi ndryshuar kulturën e pushtetit.
Kemi parë liderë që e kanë identifikuar partinë me veten, partinë me shtetin dhe fatin e tyre politik me fatin e Shqipërisë. Prandaj, sa herë pushteti i tyre është vënë në rrezik, vendi është futur në tension.
Sot kemi mbërritur përsëri pranë një vije të kuqe.
Nga njëra anë kemi një mazhorancë të konsumuar nga pushteti i gjatë, e përballur me akuza të rënda për korrupsion, klientelizëm dhe përqendrim pushteti. Nga ana tjetër kemi një opozitë që në vend që të prodhojë alternativë, shpresë dhe besim, vazhdon të sillet rreth figurës së Sali Berishës dhe betejës së tij politike.
Shqipëria sot ka mbetur mes tyre.
Kjo është pikërisht ajo që duhet refuzuar.
Shqipërisë nuk i duhet as përjetësia politike e Edi Ramës, as rikthimi i pafund i Sali Berishës.
Shqipëria ka nevojë për një sistem ku askush të mos jetë i pazëvendësueshëm dhe ku largimi i një lideri të mos konsiderohet fundi i partisë, aq më pak fundi i shtetit.
Kur vend mbetet peng i dy emrave për dekada, problemi nuk janë dy individët, por tek sistemi politik që nuk arrin të prodhojë alternativa.
Prandaj zgjidhja duhet të jetë politike, institucionale dhe demokratike. Po dhunë, pa kaos, pa djegie të Shqipërisë për të rrëzuar njërin apo për të shpëtuar tjetrin.
Në këtë moment, përgjegjësia më e madhe politike i takon atij që ka pushtetin më të madh. Edi Rama ka në dorë mundësinë të ulë tensionin, të hapë rrugën e dialogut institucional, të garantojë standarde politike dhe zgjedhore dhe të dëshmojë se pushteti nuk është pronë personale.
Por edhe opozita duhet të kuptojë se Shqipëria nuk mund të mbahet peng i fatit politik të një individi.
Lind pyetja:
A do të vazhdojë Shqipëria të sakrifikojë të ardhmen e saj për mbijetesën politike të liderëve të konsumuar, apo politika do të pranojë më në fund të sakrifikojë liderët për të ardhmen e Shqipërisë?
Historia nuk i quan burra shteti ata që sillen dhe thonë: “Pas meje, kiameti!”
Burra shteti janë ata që dinë të largohen në kohën e duhur dhe të lënë pas një shtet më të fortë se pushteti që patën.
Nëse politika shqiptare nuk e kupton këtë, atëherë formula bëhet dramatikisht e thjeshtë,
ose bie modeli Rama–Berisha, ose vazhdon të paguajë Shqipëria.
Por Shqipëria ka paguar mjaft.




