Shkruan Mero Baze
Nëse doni të shikoni kurajën e drejtësisë së re përballë politikës, mund të shikoni gjyqin ndaj deputetit Ervin Salianji. Deputeti në fjalë është akuzuar se është i përfshirë në një proces të fabrikimit të një ngjarje që inkriminonte vëllain e deputetit Fatmir Xhafaj, me një personazh të stisur me nofkën “Babale”. Vepra penale ka të bëjë me shpifje të qëllimshme për arsye politike dhe Prokuroria ka dhënë një pretencë bazuar mbi Kodin Penal.
Nuk jam i prirur ta shpall automatikisht fajtor deputetin, edhe pse duket haptazi që është përfshirë në atë skenar politikisht. Kjo është detyrë e Gjykatës. Gjykata për të paktën katër herë radhazi ka shtyrë aktin e dhënies së vendimit për të, pasi Sali Berisha në kulmin e ndarjes brenda partisë, kërcënoi gjykatën se do të përballej me protestën e demokratëve, nëse ndëshkohej deputeti në fjalë.
Ky hakërrim i Berishës vinte pas përpjekjeve të tij për të joshur deputetin në fjalë, të cilin gjashtë muaj më pare, në kulmin e luftës me të, e kishte akuzuar po vet për aferën “Babalja”. Nëse Salianji do kishte qëndruar besnik me Bashën, tani gjyqi do kishte mbaruar dhe ai do ishte dënuar. Fakti që ai shkoi nga Berisha, për të marrë mbështetjen e tij funksionoi dhe ne jemi dëshmitarë të një drejtësie karikaturë, përballë presionit të Sali Berishës.
Mjaftoi kaq dhe drejtësia nuk hedh më asnjë hap në marrjen e një vendimi. Njësoj si në gjyqin e 21 janarit, salla mbushet plot për plot me deputetë, siç mbushej dikur me gardistë, dhe gjyqtarët nuk guxojnë të hyjnë as në sallë.
Ky është një bilanc i turpshëm i drejtësisë së re. Është e njëjta situatë dhe me gjyqin rreth legjitimitetit të Partisë Demokratike, të cilin gjykata e shtyn pa fund, sikur do shpikë ndonjë ligj të ri dhe jo sikur do lexojë ligjin dhe aktet e uzurpimit të partisë.
Mjafton presioni politik mbi të dhe ata nuk guxojnë të shkojnë as në sallë. Në këtë mënyrë drejtësia po bëhet palë dhe për deformimin e demokracisë në Shqipëri.
Do të mjaftonin këta dy shembuj, që shpresat e shqiptarëve për drejtësinë e re të shuhen, sidomos kur thuhet se Meta/Metaj ka 5 dosje në SPAK apo Berisha ka dosjen e djalit e vajzës. Ky është një bilanc i turpshëm, dhe është haptazi bazuar mbi presionin politik mbi drejtësinë.
Të vetmet ndëshkime politike deri më sot janë dhënë mbi ministra dhe deputetë socialistë, për shkak të kulturës politike të shumicës për të mos bërë presion publik mbi drejtësinë. Nëse Edi Rama do të vepronte njësoj si Sali Berisha, të jeni të sigurtë që as shoferët e ministrave nuk do të dënoheshin dhe jo më ministrat dhe deputetët e tij.
Të vetmit që bien në duart e drejtësisë tani janë ose pjesëtarë të shumicës, ose ndonjë personazh i pambështetur nga askush, për të cilin gjyqtarët sigurohen se nuk do të ketë reaksion.
Këtu ka luajtur rol të keq dhe presioni ndërkombëtar, i cili shpesh i kompleksuar po nga Berisha, bën sikur kërkon fajtorë nga të dy anët në drejtësi, a thua se drejtësia duhet të ndjekë palët politike dhe jo veprat penale.
Drejtësia duhet të merret me atë që bën krime, nuk ka rëndësi nëse është i pushtetit apo opozitës. Nëse ka 10 kriminelë në një anë, të dënohen të dhjetë ata, nuk duhen pritur të gjenden dhe dhjetë të tjerë në anën tjetër që të balancohet. Balanca e vetme e drejtësisë është ndëshkimi, jo përfaqësimi politik i krimit.
Në këto kushte fiton banditizmi i asaj pjese të politikës që mbijeton duke i bërë presion drejtësisë dhe ja del.
Shikoni si sillen me gjyqin ndaj Salianjit dhe gjyqin ndaj legjitimitetit të PD, duke i shtyrë në pafundësi, për të kuptuar se si funksionin presioni i Sali Berishës mbi drejtësinë shqiptare. Dhe prisni pastaj që ata të merren e Sali Berishën dhe Ilir Metën, kur nuk merren dot as me sekretarët e tyre.