Maqedonia e Veriut paralajmëron Ramën dhe Vuçiç: Nëse dikush dëmtohet, ne s’do të jemi më pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”

0

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi se nisma e Ballkanit të Hapur synon thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit, por ajo “nuk do të jetë e plotë pa pjesëmarrjen e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Gjatë një aktiviteti me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, me rastin e 13 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dyja vendeve, Osmani tha se Maqedonia e Veriut mund të largohet nga Ballkani i Hapur nëse ndonjë nga shtetet do të dëmtohej nga kjo një nismë.

Maqedonia e Veriut ka njohur shtetin e Kosovës më 9 tetor të vitit 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 16 tetor të vitit 2009

“Ballkani i Hapur është një nismë organike, një nismë e vendeve të rajonit, që krijon ndjesinë se ne edhe vet mund të bashkëpunojnë pa na ftuar dikush tjetër në ndonjë nismë tjetër. Por, problem i Ballkanit të Hapur është se aty nuk janë të gjitha gjashtë shtetet.

Vlerësoj se janë legjitime qëndrimet e tri shteteve tjera që kanë vendosur të mos jenë pjesë e nismës. Detyra jonë është që të bëjnë përpjekje që t’i bindim, por ne përmes rezultateve duhet të dëshmojnë se jemi vlerë. Nëse nuk tregojmë rezultate atëherë s’ka se pse dikush të na bashkohet.

Ne, si Maqedoni Veriut nuk do të lejojmë që ndonjë shtet tjetër të dëmtohet. Ne konsiderojmë se nëse dikush do të dëmtohet, mendoj këtu edhe për Kosovën për shkak të pikëpamjeve të saj ndaj kësaj nisme, atëherë ne nuk do të marrim pjesë në këtë nismë. Ne do të jemi gardianë të mbrojtjes së cilit do shtet në Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar Osmani.

Sipas ministrit, Maqedonia e Veriut i jep mbështetje Kosovës në të gjitha nismat dhe përpjekjet për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare si në NATO, Këshillin e Evropës si dhe liberalizimin e vizave.

“Maqedonia e Veriut mbështet fuqishëm Republikën e Kosovës në rrugën e njohjeve ndërkombëtare. Ne para disa ditëve i bëmë thirrje Bashkimit Evropian që menjëherë, pa asnjë vonesë të miratoj liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ne po i japim mbështetje Kosovës edhe në Këshillin e Evropës për pranimin e saj në këtë institucion evropian, por edhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar Osmani.

Për Osmanin, rruga e vetme për të stabilizuar rajonin është që të vazhdojë procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Si vend anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në këtë kuadër i japim mbështetje përpjekjeve të Kosovës që të bëjë pjesë e aleancës”– tha ministri maqedonas, ndërsa mesazhi i tij shkon si paralajmërim i hapur për Ramën dhe Vuçiç se RMV mund të tërhiqet nga nisma në rast se e gjykon të nevojshme.

Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, respektivisht Rama, Vuçiç dhe asokohe kreu i qeverisë maqedonase Zoran Zaev. Sipas themeluesve, “Ballkani i Hapur” synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për gjithëpërfshirje në projekt, sidoqoftë pavarësisht ftesave të herëpashershme Kosova ka refuzuar të jetë pjesë e saj. Ndërkaq, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë dërguar përfaqësues në dy takimet e fundit, si dëgjues.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu