E kam njohur Doklen aty nga vitet ’72-’73 të shekullit të kaluar, ose më saktë një gjysmë shekulli më parë, kur ai ishte një gazetar me moshë të re, por për ne studentët e gazetarisë që shkruanim shkrimet e para në gazetat shqiptare, ishte një mësues i vërtetë në rrugën tonë drejt profesionit. Në atë periudhë ai kishte filluar të botonte edhe vëllimet e para me tregime dhe ndonjë dramë. Ishte shumë komunikues e dashamirës me ne e natyrisht meriton mirënjohje edhe për këtë.
Por le të kthehem tek libri “Vajzat e mjegullës”, që sapo e kam mbaruar së lexuari dhe mbresat më burojnë të freskëta, të zhurmshme e gati të padisiplinuara, sikur mezi presin t’i radhis mes rreshtave. Ku të ndalem më parë? Po e filloj pikërisht me vajzat e mjegullës. Ato janë vajza si zana malesh, të një vendi tepër të thellë malor, ku mjegullat thuajse nuk hiqen kurrë, në Gorë, një zonë e veçantë e me banorë të veçantë. E një herë në vit, ato që gjatë gjithë vitit i mbulon heshtja ashtu si mjegulla, në festën e Shëngjergjit, shpërthejnë si lulet e pranverës dhe bëhen protagonistet e festës me gjallërinë e tyre, me veshjet e me vallet e tyre, me këngët që këndojnë portë më portë,me lulet që mbledhin e me dashuritë e tyre që ua shprehin gati hapur djemve, duke u dhuruar lule. Ja me ç’poezi të brendshme e përshkruan autori njërën nga ato: “Biljana e bukur i printe valles përsëri e shamia e saj lëshonte një puhizë të lehtë me aromë ftoi. Të gjithë e vështronin me admirim, herë shaminë që fluturonte nëpër ëndrra, herë sytë e ëmbël të Biljanës, herë këmbët veshur me çorape plot lule, që dukej sikur nuk preknin fare në tokë, dhe herë gjoksin që i gufonte poshtë xhamadanit, me sumbullat prej bronzi, të cilat, me sytë e mendjes sime, mund të këputeshin nga çasti në çast dhe të shpërthenin gjithë lulet dhe aromat e kësaj bote”.
Në valle të tilla djaloshi që e dashuronte, shkonte e i prekte supin, duke i thënë “Ta vura belegun”, çka do të thoshte se ajo do të bëhej patjetër nusja e tij dhe vetëm e tij. E kjo ndodh pikërisht në një zonë ku gjatë gjithë vitit gratë janë nën sundimin e burrave, që shpesh i trajtojnë keq edhe fizikisht. Madje për Biljanën, që pati kurajon ta refuzonte djaloshin, ky refuzim do të përbënte dramën e jetës së saj.
Jemi në vitet e para të pas luftës dhe Gora e goranët, të ndarë më dysh nga kufiri ndërshtetëror midis Shqipërisë e Jugosllavisë, përveç dhimbjes së ndarjes për së gjalli me të afërmit që nuk mund t’i takojnë për shkak të kufirit të mbyllur, vuajnë edhe një shtypje të dyfishtë nga pushteti i të dy vendeve,që duket sikur rezervon një persekutim të veçantë ndaj tyre, duke ua bërë të vështirë e gati të pamundur jetesën, sikur të mos mjaftonin vështirësitë natyrore.
Romani është një shprehje e dashurisë së autorit për Gorën e goranët. Nuk di nëse mund të ketë një autor tjetër që të sjellë aq ngjarje, episode, tradita, personazhe të përshkruara me atë intensitet e dramacitet të brendshëm, nëpërmjet një gjuhe aq të pasur ku leksiku krahinor në gjuhën shqipe e gorançe përbën një pasuri të rrallë. Një ngarkesë emocionale e forcë të tillë në ndërthurjen e situatave të historisë së shkuar me ngjarjet e kohës e kam hasur tek “Njëqind vjet vetmi” të Markezit dhe deri diku tek “Tregimet e Sarajevës” të Ivo Andriçit. Nëpërmjet një personazhi të rrallë si Majka, e cila është një arkiv i gjallë ngjarjesh, që tregon histori nga më të frikshmet e më tragjiket, autori na sjell egërsinë e pashallarëve të kohëve të shkuara,
por edhe një qëndrim ndaj zullumeve jo më pak mizore të pushtetit komunist. Me atë pasuri ngjarjesh e episodesh që tregon, Majka të kujton plakën Izergil të Gorkit, por nuk ka karakterin e saj. Përkundrazi karakteri i Majkës mund të matet vetëm me ashpërsinë e mënçurinë e maleve e të terrenit të ashpër ku ngrihet fshati Bukojnë, si pjesë e Gorës. Episodet me dy pashallarët e Kallabakut e Kurabakut, si djali i vrarë në barkun e nënës, vajza e hedhur nga bedenat, vrasja e djalit të vet nga Sinan Pasha për të shprehur besnikëri ndaj eprorit të tij, episodi i gjyshes Ajnurka me Çaushin e të tjerë janë të tillë që të mbeten në mendje gjatë e që secili prej tyre mund të ishte një roman më vete.
Por jo më pak peshë dramatike kanë edhe episodet me egërsinë e pushtetit komunist ndaj malësorëve të zonës, si ai i vrasjes së qenit të bardhë, rrahjet dhe arrestimet, shtrëngimet për pagesën e detyrimeve (taksave), detyrimi i vajzave të hoxhës të arratisen një natë përpara se t’i çonin me detyrim në aksion, ngrirja e shtatë ushtarëve të kufirit, arrestimi dhe pushkatimi në qendër të fshatit i mësuesit të ardhur nga Shkodra etj. Duket sikur autori bën një paralelizëm midis asaj periudhe të egër të sundimit të pashallarëve turq me periudhën e sundimit të pushtetit komunist. Këtë të fundit ai e stigmatizon nëpërmjet personazhesh të tillë, sa të egër, aq edhe butaforikë e injorantë si Stalini i fshatit apo hetuesi Hate.
Autori vë në qendër të romanit një djalë që sapo ka mbaruar shkollën fillore e ëndërron të vazhdojë më tej kur të hapet shkolla 7-vjeçare në fshat. Mbase tek ai mishërohet fëmijëria e autorit. Ai është filli lidhës i gjithë romanit, që rend sa tek Majka, nga e cila mëson histori pa fund, tek mësuesi, që i ndez dritat e shpresat e së nesërmes, tek xhaxhai që mban një ditar të fshehur e me sens të thekur kritik ndaj pushtetit e për ngjarjet në fshat e krahinë, tek gjyshja Ajnurkë apo tek Sheherazadeja që i tregon përrallat e mrekullueshme të Njëmijë e një netëve. E midis tërë kësaj pasurie shpirtërore ai rritet e piqet para kohe, aq sa me mençurinë e tij habit e befason jo vetëm pleqtë që do të betoheshin mbi kuran për vijën e kufirit, por edhe hetuesit e pushtetit komunistë që nuk kursenin as fëmijët në tortura e marrje në hetim.
Por le të kthehem sërish tek vajzat e mjegullës, që i kanë dhënë titullin romanit. Autori i ka përshkruar me shumë dashuri e poezi në vepër, të bukura si një ëndërr. E në një moment ato kthehen në një ëndërr të ndërprerë. Pushteti komunist, nën maskën e punës vullnetare të shpallur në ato vite me aksionet e ndërtimit të veprave të para hekurudhore, i merr ato duke i detyruar me forcë deri në tortura prindërit që t’i lejonin bijat e tyre të shkonin në aksion. Ato ikin e fshati Bukojnë mbetet pa forcën më të bukur e të më gjallë të jetës së vet, pa vajzat. Muajt kalojnë e ato nuk kthehen. Vjen festa e Shëngjergjit, ku ato ishin gjithmonë shpirti i gjallë i saj. Por vajzat nuk vijnë e festë nuk bëhet në Bukojnë. Ato kthehen më vonë, si një ëndërr e vrarë dhe venë nga një gur mbi varrin e mësuesit që sapo e kanë pushkatuar. Kështu vajzat e mjegullës kthehen në vajzat e muranës. Me marrjen e tyre me përdhunë autori në mënyrë simbolike tregon që pushteti komunist i hoqi fshatit gëzimin e këngën, lulet e festën, forcën pjellore e rigjeneruese, ëndrrën më të bukur.
Me romanin “Vajzat e mjegullës” autori ka shqyer tisin e mjegullave të kohës duke sjellë në dritën e diellit ngjarje nga jeta dhe historia e një zone të tillë si Gora, që të bëhet menjëherë e dashur e të ngjall dëshirën ta vizitosh e të njohësh ata banorë që ngrihen mbi çdo shtetësi, duke u krenuar me të drejtë me emrin goranë.