SPAK gati arrestimin e Damian Gjiknurit. Vjedhje me Mirel Mërtirin e inceneratorëve

0

Një kontratë e shitjes së gazit që dyshohet se është zhdukur nga protokolli i Albpetrolit, lidh në aferë ish-ministrin e Energjitikës Damian Gjiknuri dhe ish drejtorin e Albpetrolit Endri Puka me biznesmenin e inceneratorëve Mirel Mërtiri.

Praktikën e plotë të kësaj kontrate të shitjes së gazit është një operacion i realizuar në dy muaj (Gusht-Tetor 2017) dhe që parashikonte shitjen me ankand të 3 milionë metër-kub gazi industrial të siguruar nga vendburimet Cakran-Mollaj/Ballsh-Hekal .

Ka qenë biznesmeni Mirel Mërtiri ai që nëpërmjet kom së tij “CGC” i ka bërë Albpetrolit një ofertë të pakërkuar për blerjen e gazit.

Pasi ka marrë ofertën, kreu i Albpetrolit Puka së bashku me ministrin Gjiknuri në bashkëpunim kanë shmangur çmimin standard të shitjes së gazit industrial të caktuar nga metodologjia e ERE-s dhe kanë futur në lojë një metodologji të re që bazohej në bursën hollandeze, shoqëruar dhe me një koifiçent zbritës.

Por edhe pasi kanë aplikuar formulën e tyre private për llogaritjen e çmimit, ata nuk e kanë respektuar atë formulë, pasi sipas kësaj formule çmimi dilte me koston 25.33 lekë­/Nm³, ndërsa biznesmeni Mërtiri e siguroi blerjen e gazit me vlerën 15 lekë/Nm³.

Hashtag.al  konsultoi një ekspert ndërkombëtar të energjisë, i cili bëri përllogaritjen nga ku rezulton se me firmën e Gjiknurit dhe Pukës, biznesmenit Mërtiri i është shitur gazi me një skonto prej 230 mijë e 913 eurosh më pak nga çmimi që impononte formula e përdorur.

Një burim konfidencial pranë Albpetrol, tha se kontrata në fjalë është lidhur në fshehtësi të plotë, ndërsa ka pasur probleme me sigurimin e kontratës dhe konfliktin e interesit.

“Në dijeninë time dokumetet e këtij tenderi janë manipuluar në protokollin e Albpetrolit dhe nuk ekzistojnë më. Nuk e di si i keni gjetur. Por mund të them se asokohe në Albpetrol  kjo kontratë u bë shumë problematike pasi biznesmeni përfitues Mirel Mërtiri nuk kishte paguar në bankë sigurimin e kontratës, apo garancinë siç quhet. Nga ana tjetër, përfituesi Mirel Mërtiri në kohën që u zhvillua ankandi kishte të punësuar në Albpetrol në drejtorinë e Tranagatit të vëllanë e tij shtetasin Ervin Mërtiri, i cili në atë kohë ka drejtuar pikërisht drejtorinë që mbulonte dhe shitjen e sasive të gazit”, – tha burimi konfidencial


Oktapodi i interesave

Mirel Mërtiri është një personazh mbi të cilin dihet shumë pak, ai zhvilloi një fushatë agresive në media vitin e kaluar kur paralajmëroi se do të kallëzonte për shpifje median Reporter.al dhe CNA, pasi këto të fundit publikuan disa të dhëna mbi implikimet e tij në biznesin e inceneratorëve në Shqipëri si dhe mbi një skandal prokurimesh në kontinentin Afrikan.

Mirel Mërtiri është i lindur dhe rritur në Fier, ndonëse në qytetin e lindjes ata që e njohin buzëqeshin nëse u përmend emrin “Mirel”, pasi në Fier atë e njohin për Klodian Mërtiri. Janë ende të paqarta motivet që e shtynë zotin Mërtiri të ndryshonte emrin. Por nuk ka asnjë diskutim se imagjinata dhe aftësia e tij shkon shumë më tej se tjetërsimi i emrit.

Mirel Mërtiri është një mjeshtër i ndërthurjes së interesave, sidomos në trekëndëshin Qeveri-Biznes-Gjyqësor.

Andej nga mesi i viteve 2000 ai erdhi në Tiranë ku njihej me nofkën “Klodi i internetit”,  Mërtiri diti të investojë të ardhurat që posedonte si privat në disa skema fitimprurëse që zhvillonte asokohe kompania ende shtetërore Albtelecom.

Në këtë periudhë Mërtiri fuqizoi marrëdhëniet me shokun e tij moshatar nga Fieri, shtetasin Endri Puka, që përveçse ishte administrator i kompanive të Koço Kokëdhimës, shquhej dhe për akses dhe njohuri në skemat e Albtelecomit me kartat telefonike. Në rrethin shoqëror të Mërtirit në Tiranë hyri dhe Gerian Kuka, edhe ky i angazhuar me skemat e Albtelecomit e njëherësh rreth i besuar i Damian Gjiknurit.

Në vitin 2009, Mirel Mërtiri u lidh fort me Dritan Priftin dhe të dy u dyshuan për bashkëpunim në një tender të majmë për matësat elektronikë të ujësjellësit të Fierit.

Kur drejtori pasardhës i ujësjellësit vendosi anulimin e këtij tenderi, ndaj tij u hap çështje penale.

Dhe cila ishte prokurorja që do hetonte drejtorin problematik?

Ishte zonja Mariola Mërtiri, kunata e Mirel Mërtirit. E njëjta prokurore dy vite më parë, hapi një tjetër procedim penal ndaj biznesmenit Isuf Berberi, ndërsa ky i fundit ishte në gjyq me Albpetrolin në konflikt me klanin “Gjiknuri” dhe sidomos me ish-drejtorin e Albpetrolit Endri Puka.

Mirel Mërtiri ka operuar në ministrinë e Energjitikës në periudhën 2013-2018 si një Zot i saj. Të vëllanë e kishte drejtor në Albpetrol në drejtorinë kyçe të Tranagatit. Shokun e ngushtë Endri Puka e kishte drejtor të Albpetrolit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Energjitikës, shtetasi Koli Bele, ishte një tjetër aset i afërt dhe në dispozicion të Mërtirit.

Nga ana tjetër rezulton se kunata e tij në prokurori në mënyrë të përsëritur ka qenë prokurore dhe hetuese e biznesmenëve konkurrent të këtij klani të fuqishëm të pushtetit rilindës.

Mërtiri është lakuar në median shqiptare si një mik i afërt i ministrit Arben Ahmetaj, e shkas për këto lakime u bë sidomos aksidenti rrugor i Ahmetajt në Maqedoni ku Mërtiri ishte pasagjer dhe u lëndua në aksident.

Mirëpo Mërtiri ka ditur të fshehë me mjeshtëri lidhjen e tij më të fortë në pushtetin rilindës, lidhjen e fuqishme që ai ka me Damian Gjiknurin dhe klanin e tyre që përfshin Endri Pukën, Gerian Kukën, Koli Belen, Ervin Mërtirin, Mariola Mërtirin e deri diku dhe Dael Dervishin e LSI-së.

Kontrata favorizuese e shitjes së gazit e publikuar sot, përveçse ekspozon tolerimet e dyshuara si korruptive ndaj Mërtirit, nxjerr në pah dhe patronazhin politik dhe klanor që ai ka me Damian Gjiknurin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu