SPAK, a din gjë ç’po ndodh?!/ Samir Mane shiti 150 mln euro vila dhe apartamente vitin e kaluar

0

Grupi Balfin i Samir Manes deklaron se shiti mbi 150 milionë euro pasuri të paluajtshme vitin e kaluar, kryesisht vila, apartamente, por edhe hapësira komerciale në projektet që ka në zhvillim. Sipas revistës zyrtare të grupit, 2022-shi ishte një vit i artë për krahun imobiliar të grupit, teksa shitjet u rritën me 120 për qind krahasuar me një vit më parë duke tejkaluar me 85 për qind parashikimin buxhetor të periudhës.

Kompania deklaron se shifra prej 150 milionë eurosh e të ardhurave ka ardhur nga shitjet e pronave në resortin Green Coast në Palace, atë Vala Mar në Gjirin e Lalzit, kompleksin Univers City pas Qendrës Tregtare Univers dhe disa ndërtimeve të tjera që Balfin po zhvillon në qytetin e Korçës. Ndërkohë që rritje kanë shënuar edhe të ardhurat nga qiratë.

Grupi, i cili është një nga përfituesit më të mëdhënj të lejeve të ndërtimit në Shqipëri, thotë se për vitin 2023 ka lançuar 2 investime të reja në fushën e ndërtimit, Vlora Marina dhe Fshatin Green Coast, të cilët u shtohen projekteve ekzistuese si Univers City dhe Rolling Hills në Liqenin e Farkës.

Shifrat e raportuara nga Balfin konfirmojnë se kompanitë e ndërtimit dhe bizneset në fushën e pasurive të paluajtshme po kalojnë një periudhë të artë me fitime të jashtëzakonshme, teksa kërkesa për ndërtime në Shqipëri vijon të mbetet e lartë dhe çmimet vazhdojnë të rriten, pavarësisht rritjes masive të ofertës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu