Shkruan Artur Ajazi
Thotë një fjalë e vjetër, “të fulliq Zoti”. Dhe kjo ndoshta po ndodh me “fakirët” e opozitës. Çdo ditë po thirren në SPAK, ata që hiqen si “akullore”, ata që thonë se “ne jemi të pastër, ata të Ramës janë të korruptuar, të pasuruar me para të pista”. Por ja që “të fulliq Zoti”. Të gjithë 1 e nga 1, po thirren në SPAK, të akuzuar dhe denoncuar nga individë dhe struktura shteti, se ‘kanë fshehur pasurinë”. Pra, nuk kanë deklaruar se kanë pallate, vila, makina, miliona, resorte, biznese, etj. Dhe kur i vunë ?
Sa kishin pushtetin natyrisht, sa ishin në poste, dhe gëzonin ofiqe. Morën çfarë u doli përpara. Tendera, prona, troje, fshatra turistike, makina luski, dhe sot bredhin para atyre që thërrasin në protesta, sikur të ishin deputetë të anglezëve, gjermanëve, dhe jo shqiptarëve. “Pasuri e fshehur, dhe pushka ngrehur”.
Edhe janë të zhytur në korrupsion, edhe dalin dhe protestojnë, ulurasin dhe akuzojnë ministra, deputetë, dhe drejtues të tjerë se “janë të kapur nga korrupsioni”. Ata nuk e kuptojnë se SPAK-u, nuk dëgjon as majtas dhe as djathtas, nuk pyet shumë as edhe për presionet dhe paralajmërimet e Berishës. Struktura e posaçme hetimore, po i jep vendit imazhin pozitiv, dhe po tregon se, e ka seriozisht betejën me krimin, korrupsionin, dhe mbështetësit e tyre. në Progres Raportin për Shqipërinë, Parlamenti europian, i referohej edhe punës lavdëruese të SPAK-ut, si një structure solide, e cila ka vendosur stardarde të reja në drejtësinë shqiptare.
Thërritja e ish-kryeministrit, ish-presidentit, masa e arrestit ndaj tyre, arrestimi i ish-ministrave të kësaj qeverie, hetimi dhe gjykimi i deputetëve të Parlamentit, që hiqen si “evliha”, dhe na qenkëshin të pasur sa sheikët, tregon se gjithçka po lëviz për mbarë në këtë vend. Sot nuk ka “të paprekshëm”, le të jesh ti kryeministër, minister, deputet, kryetar bashkie, drejtor policie, apo dhe prokuror apo gjyqtar. Kush ka vjedhur, kush ka miq dhe shokë kriminelët dhe trafikantët, e ka vendin para ligjit.
Dënimi i çdo mashtruesi, që edhe ka vjedhur, edhe ka grabitur prona dhe pasuri të tjera, dhe na del dhe bën “qelibarin apo viktimën”, mbetet detyra kryesore e SPAK-ut. Drejtësia e re, nuk fal sot, as prokurorin, as gjyqtarin. Vetting-u, tregoi se, ata prokurorë, gjyqtarë, apo dhe drejtues të tjerë në strukturat e drejtësisë, që justifikojnë pasurinë që posedojnë, janë flakur nga rradhët e tyre. Ata meritojnë, dhe duhet të shkojnë në ndjekje penale. Konfiskimi i pasurisë së tyre, mbetet sfida e drejtësisë së re.
Nuk mund të gëzosh më asnjë minutë, një pasuri që e ke nga korrupsioni, krimi, trafiqet, dhe format e tjera kriminale, ashtu siç nuk mund të jesh më deputet, ministër politikan, apo kushdoqofsh, në rast se ke “ngjyer” duart dhe krahët në para taksapaguesish, tendera investimesh, apo lidhje kriminale. Kush fsheh pasurinë, ka shkalur ligjin, dhe kush shkel ligjin, duhet të përgjigjet para tij.