Paradhoma… ose… duke pritur…

0
Shkruan Zija Vukaj

Arsyet pse shkruajmë janë të ndryshme. Një ndër to është edhe respekti për librin. Deri para disa kohësh libri çmohej shumë. Ka qenë gati si mit. Shkrimtarët dikur shiheshin me adhurim të madh. Njerëzit ëndërronin t’i takonin, t’i shihnin e pastaj t’u ngjanin. Dhe miti i librit dhe i shkrimtarit prodhoi tek njerëzit e thjeshtë mitomaninë. Secili shikonte veten në pasqyrën e tij, ia shkelte syrin vetes, i gënjehej mendja se mund të ishte edhe shkrimtar dhe mund të shkruante libra. Ja ku ishte portreti i tij aty pas sipërfaqes së rrafshët të pasqyrës. A nuk i ngjante filan shkrimtari apo shkrimtareje? A nuk i kishte flokët si filan poet a poete? Madje edhe veshët dhe pjesët periferike të portretit si një nobelist? Dhe suksesi ishte kaq afër. Një cipë pasqyre. Në opinionin publik do të paraqitej me tjetër status. “Kam shkruar libër!” Ky fakt do të amplifikohej. Mileti, pas çudisë së parë dhe në mungesë të kohës dhe dëshirës për të lexuar, do të thoshte: “Ja shkrimtari!” Pas pauzash të gjata kohore pa i takuar, më ka rastisur të shoh njerëz me të cilët isha njohur dikur. I pyesja me se merreshin: “U bëra poet; u bëra poete”- përgjigjeshin. I pyesja për veprat: “Kam në dorë vëllimin e 19 poetik” ose: “tani çova për shtyp romanin e 11-të”. Më shkonte mendja te Migjeni, i cili botoi vetëm një vëllim poetik. E kështu, popullsia e shkrimtarëve erdhi duke u rritur shumë, aq sa as mitomania nuk funksionon më si sëmundje, por edhe libri u çmitizua dhe u desakralizua në mënyrën më mëkatare.
Këto po mendoja teksa ndodhesha në ambientin e bodrumit të një biblioteke të madhe e me famë kombëtare. Ky ambient shërben për të lënë gjërat e punonjësve që merren me mirëmbajtjen e mjediseve. Aty ka edhe mjetet e përkujdesjes së luleve, larëse xhamash, kapëse letrash ndonjë bluzë, orendi të papërdorura etj. Aty ndodhet edhe një raft i madh me qindra volume të veprave që sapo përmenda, autorë të panumërt, emra të freskët njerëzish të panjohur, që me bujarinë e tyre karakteristike ia kanë dhuruar apo ofruar veprat e tyre bibliotekës. Libra, libra, libra, të cilët u ngjajnë njerëzve që presin në paradhomën e një institucioni, me shpresën se do t’u vijë radha të futen dikur brenda. Por ndryshe nga njerëzit, nuk shtyhen, por presin me një durim eternal që ta kapërcejnë paradhomën. Por meqë bibliotekat e vërteta nuk punojnë me muskuj, hyrja e këtyre autorëve dhe veprave duket e pamundur. Por pritja aty është heroike

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu