Sali Shijaku, një ndër mjeshtrat e pikturës shqiptare, është ndarë nga jeta këtë të shtunë, 24 shtator. Familja njofton se Sali Shijaku ka mbyllur sytë përgjithmonë mëngjesin e sotëm, në moshën 89 vjeçare.
“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë për humbjen nga kjo jetë të Babait tonë, Piktorit të Popullit, Nderit të Kombit Shqiptar, Sali Shijaku. I lehtë të qoftë dheu. I kushtove gjithë jetën Artit dhe Shqipërisë”, shkruan djali i tij, Orgesi.
Ai ka përfunduar studimet në liceun artistik Jordan Misja në vitin 1952 dhe më pas ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve “Rjepin”, në Leningrad, sot Shën Petërburg, deri në vitin 1961.
Me prishjen e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Sovjetik (Rusisë) dhe Shqipërisë, Sali Shijaku kthehet në Tiranë dhe në vitin 1962 diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Në vitin 1979 nderohet me titullin “Piktor i Popullit”.
Që nga diplomimi i tij e deri në ditët e sotme është një nga artistët që ka ekspozuar vazhdimisht, në ekspozita kombëtare si brenda vendit. Sali Shijaku ishte nga artistët më të njohur të arteve pamore në Shqipëri. Në atelienë e tij janë përgatitur dhjetëra breza artistësh të cilët kontribuojnë sot në skenën e artit shqiptar.
SALI SHIJAKU lindi më 12 Mars 1933 në Tiranë dhe ndërroi jetë sot, më 24 shtator 2022, në Tiranë.
Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi.
Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.