Ofertat për pushime, makina me qira dhe ndoshta produkte të tjera të udhëtimit kanë nisur masivisht edhe në Shqipëri, dhe ne e gjejmë veten të rrethuar nga një informacion i gjerë në rrjetet sociale dhe në biseda miqsh.
Në mbarë botën, heqja e kufizimeve të udhëtimeve nga 1 maji, i ka nxitur njerëzit kohët e fundit të kthejnë vëmendjen drejt planeve të pushimeve verore. Ndikimi në zbehje i Covid është një garanci më tepër për nxitjen e rezervimeve, por shqetësim i këtij viti është rritja e lehtë e çmimeve.
Ku jemi tani, sipas raportimeve të agjencive të ndryshme të udhëtimit në vend? Vera 2022, zyrtarisht, nis në qershor. Tendenca kryesore vijon të jetë Turqia dhe Greqia, por në rritje është parë këtë vit edhe kërkesa për destinacione ekzotike si Dubai, duke marrë shkas nga fillimi i fluturimeve direkte me këtë vend. Janë shtuar edhe oferta që përfshijnë paketa me dy ose më shumë vende ekzotike, si Dubai-Zanzibar, ose Dubai-Maldive apo edhe Kuba, një tjetër destinacion po aq ekzotik.
Agjencitë raportojnë se krahas situatës së pandemisë, Turqia ka shtuar më shumë ofertat, duke iu përshtatur buxheteve të ndryshme. Operatorët turistikë pohojnë se ka gjithnjë zgjedhje ekonomike për ata që nuk u volit një pushim i shtrenjtë, me alternativa rajonale ose resorte me më pak yje, ose edhe rezervimet në hotele në Shqipëri apo rajon, por “half board”, pa të gjitha vaktet e përfshira, duke rezultuar në një çmim më të lirë.
Megjithatë, më të preferuarat vijojnë të mbeten ato pushime që mund t’i quajmë “me duar në xhepa”, sidomos për familjet me fëmijë. Shqiptarëve, edhe këtë vit, po u pëlqejnë pushimet gjithëpërfshirëse, sidomos nëse do të udhëtojnë me familjen. Dhe kërkesat janë më shumë të orientuara drejt Turqisë, sidomos për muajin qershor, që ka çmime më të volitshme, sipas të dhënave të agjencisë “Ilirida Travel”.
Spanja, Portugalia dhe Malta, pasi mbetën në harresë në dy vitet e fundit, këtë vit kanë pasur bum udhëtimesh. Për Barcelonën dhe Madridin, agjencitë në vend e lidhin këtë me linjën direkte të vendosur nga “Wizz Air” dhe çmimit më ekonomik. Sipas “Malia Travel And Tour”, Barcelona ka qenë në krye të listës së vizitave në pranverë nga shqiptarët dhe pritet gjithashtu, së bashku me Maltën, që të kenë kërkesa për pushime verore, sipas rezervimeve të bëra paraprakisht. Në këto dy vende, pushimet janë kryesisht të orientuara në 7 ditë, me avion dhe me çmim më të leverdishëm se vitet e mëparshme.
Spanja dhe Portugalia
Spanja, Portugalia dhe Malta, pasi mbetën në harresë në dy vitet e fundit, këtë vit kanë pasur bum udhëtimesh. Për Barcelonën dhe Madridin, agjencitë në vend e lidhin këtë me linjën direkte të vendosur nga “Wizz Air” dhe çmimit më ekonomik.
Destinacionet europiane të turizmit kulturor vijojnë të jenë të preferuara për çiftet e reja apo grupe shoqërore, duke qenë se janë udhëtime të cilat bëhen brenda pak ditësh. Janë zgjedhur Parisi, Vjena, Kolmar dhe disa qytete italiane si Roma, Verona, Venecia, Firence, Pisa etj.
Në panoramën e verës 2022 nuk lëmë pa përmendur edhe destinacionet ekzotike, për të cilat agjencitë turistike raportojnë rritje në numër, që thuajse është shndërruar në zgjedhjen e parë të çifteve të sapomartuara.
Dubai, edhe këtë vit në krye të listës
Nga “Kalemi Travel” raportojnë rritje të kërkesave për udhëtime drejt Dubait. Sipas tyre, dy janë faktorët që kanë nxitur këtë kërkesë. “Fillimisht, ishte vendosja e linjës direkte të udhëtimit në këtë destinacion, që amortizoi kostot e udhëtimit. Ndërkohë, shqiptarët që u provuan aq gjatë nga udhëtimet prej pandemisë, ‘i lejuan vetes’ më në fund edhe një udhëtim pak më të kripur në çmim se sa pushimet standarde të kërkuara”, – pohojnë nga zyra e “Kalemi Travel”. Shumica e ofertave variojnë rreth 599 euro për person, për 5 ditë.
Kur vjen sezoni i pushimeve, të gjithë mendojnë të zgjedhin një vend me disa karakteristika të veçanta dhe një tjetër destinacion që e përmbush këtë tipar është Egjipti. Vitet e fundit, sipas “VAS Travel” janë ndërtuar resorte të reja moderne dhe është alternativë që zgjidhet kryesisht nga çifte e të rinjtë. Këto janë oferta akomodimi jo shumë të përshtatshme për familjarë me fëmijë.
Agjenci të ndryshme ofrojnë paketa për resorte në këtë destinacion, kryesisht me pesë yje e me çmime që nisin nga rreth 550 euro/ person.
Egjipti pëlqehet për shumëllojshmërinë e aktiviteteve atje: Deti i Kuq, barriera koralore, burime natyrore, plazhe pa fund, por edhe Piramidat. Sharm El-Sheikh është një nga destinacionet më të kërkuara. Pjesa më e madhe e ofertave janë “all inclusive” dhe për muajin qershor, çmimet variojnë në 499 euro / 9 net; në korrik shkon në 850 euro.
Përfaqësues të “Union Travel” pohojnë sërish trendin e udhëtimeve të Dubait, destinacioni i preferuar i momentit. “Linja direkte Tiranë – Dubai me ‘Wizz Air’ dhe anasjellas ka nxitur interesin për tregun shqiptar për të vizituar Dubain, por dhe për tregun arab për të ardhur për të vizituar Shqipërinë.
Çmimet nisin nga 499 euro Dubai, me grup, ndërsa paketat individuale kanë çmime të tjera, në varësi të hotelit”, – pohojnë nga “Union Travel”. Ndërsa për destinacionet e tjera, agjencia thotë se çmimet fillojnë nga 499 euro/person Antalya; 559 euro/person Bodrumi, 455 euro/person Sharm el-Sheikh, 425 euro/person Hurghada. Vendet ekzotike, si Maldivet, nisin nga 1090 euro/person, Korfuzi nga 259 euro/personi etj.
Greqia dhe Turqia, zgjedhjet kryesore
Edhe këtë vit, thuajse e njëjta panoramë, shqiptarët zgjedhin për pushime kryesisht fqinjët grekë dhe “vëllezërit” turq. Greqia zgjidhet për destinacionet e lira, aksesin e shpejtë dhe të afërt dhe sidomos, nga të pasionuarit e aventurës në ishuj të ndryshëm.
Por, këtë vit, rezervimet kanë mbetur pezull, për shkak të pritjes për rihapje të vendit. Sipas agjencive, kanë qenë të shumtë ata që janë interesuar për Greqinë dhe e kanë lënë rezervimin ende pa pagesë, deri në një njoftim final.
Turqia vijon të pëlqehet për komoditetin e charter-ave të linjës direkte dhe resortet ‘all inclusive’. Agjencitë pohojnë se janë shtuar resortet ekonomike, ndërtime që janë kryesisht të përfunduara këtë vit, në brigje si Kemer, Alania etj.
Drejtuesit e agjencisë “Union Travel” thonë se destinacionet më të pëlqyera në Greqi janë: Korfuzi, Halkidhikia e Parga. Afërsia dhe mundësia e arritjes së këtij destinacioni, edhe me automjete private, e bëjnë më të vizituar dhe të prekshëm nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë.
Ofertat për këtë destinacion janë për hotelet me 4 e 5 yje, për 5 apo 10 ditë qëndrim. Alternativë tjetër janë pushimet në Korfuz, duke filluar nga 320 euro për person në hotele me 4 yje; në Halkidiki, duke filluar nga 220 euro/person, sipas “Union Travel”, të cilat janë destinacione të pëlqyera ndër vite.
Në Turqi, tre janë destinacionet që kërkohen për shkak të ofertave të shumta: Antalia, Bodrum dhe Alanya. Nga “Union Travel” thonë se çmimet fillojnë me 550 euro/person dhe arrijnë deri në 1000 euro në disa resorte më të kripura. Përfaqësues të “Kalemi Travel” thonë se këtë vit janë shtuar ofertat e pushimit edhe në resorte me 4000 euro personi, të cilat kanë pasur target-grup rusët.
Shqiptarët në Turqi parapëlqejnë të rezervojnë në resorte me 4 e 5 yje dhe me shërbime “all” apo edhe “ultra all inclusive”. Antalia është destinacioni kryesor, ndjekur nga Kemeri, Bodrumi dhe Alania. Koha e qëndrimit llogaritet mesatarisht 7 net.
“Për prenotimet e kësaj periudhe, ndryshe nga vite më parë, qershori ka pasur rritje të lehtë të çmimeve. Një paketë për qëndrim në hotel me 5 yje, për 7 ditë, është ofruar me çmim prej 500/600 euro/person, në një kohë kur dy vite më parë, në të njëjtën periudhë, kjo shifër ishte rreh 400 euro/person”, thonë drejtuesit e agjencisë ATHS.
Paketat ekonomike
Ka oferta ekonomike edhe për buxhete që nuk arrijnë dot destinacione ekzotike. Nga agjencia turistike “Matias Travel” thonë se shumë të rinj, por edhe familje me fëmijë të rritur, kanë zgjedhur këtë vit të pushojnë në fqinjët tanë grekë ose malazezë.
Përkatësisht bëhet fjalë për udhëtimin Parga – Prevezë, në konceptin “all inclusive”, që për 4 ditë nis me çmimin nga 119 euro/person; 5 ditë nga 149 euro/person; 8 ditë nga 229/personi. Këto janë çmimet e paketave të zgjedhura për muajin qershor dhe korrik, ndërsa në gusht, çmimet priren që të rriten disi.
Koncepti i një pakete të tillë, që preferohet shumë këtë vit, përfshin fjetje “all inclusive” në hotel, mëngjesin, drekën, darkën dhe pije dhe transportin me autobus. Edhe fqinjët malazezë janë të preferuar, të cilët në periudhën qershor-korrik, kanë ofruar çmime ekonomike, krahasuar me dy vite më parë.
Në hotele të koncepteve “all inclusive”, çmimet janë 120-200 euro për person për 4 ditë, për fëmijët nën 2 vjeç falas, apo me kosto të reduktuar për ata deri në 12 vjeç.
Familja, përparësi
Pas dy vitesh dasmash të humbura, ditëlindjesh, diplomimesh, përvjetorësh, pushimesh dhe më shumë rastesh të veçanta, njerëzit nuk duan të humbasin asnjë moment larg atyre që duan më shumë.
Numri i udhëtimeve familjare është në rritje, sipas raportimeve të agjencive kryesore në vend. Kërkimet për hotele apo shtëpi AirBnb me krevat fëmijësh janë rritur, sipas një raportimi global nga Hotels.com. Prindërit po kërkojnë gjithnjë e më shumë hotele me mundësi përkujdesjeje për fëmijët, si hotele apo resorte, që kanë mundësinë e një dadoje apo dhe dhoma që lidhen me njëra-tjetrën. Monitor