Kina po përdor “strategjinë e Anakondës” për të rrethuar Tajvanin

0

Dy muaj e dy ditë. 29 nëntor 1948-31 janar 1949. Ushtria Çlirimtare Popullore rrethoi Pekinin pasi kishte pushtuar më parë qytetin Tianxhin. Brenda gjendeshin forcat nacionaliste të Kuomintang. Një rrethim i ngadaltë, me relativisht pak gjakderdhje, dhe me një pritje të durueshme.

Kaluan disa javë, dhe në fund komandantët nacionalistë vendosin të largohen nga ai që do të bëhej kryeqyteti i Republikës së re Popullore të Kinës. Ata u dorëzuan dhe qyteti çlirohet paqësisht. Pak muaj më vonë, Partia Komuniste zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt jugut.

Prandaj, Kuomintang i udhëhequr nga Çang Kai-shek u detyrua të strehohej sërish në Ishujt Pengu dhe Tajvan, duke lënë pas bazat e mëdha ushtarake në Kinmen dhe Matsu. Kështu lindën “dy Kina”, një etiketë kjo shumë e vjetruar, që i ngjitet ende ndonjëherë historisë mbi Pekinin dhe Taipein.

Nga ana tjetër, ai që përkufizohet si “modeli i Pekinit” nuk konsiderohet i vjetruar, të paktën nga studiues të ndryshëm të Kinës kontinentale.

Midis tyre është Li Fei i Institutit të Kërkimeve mbi Tajvanin në Universitetit Xiamen, një qytet në ishullin Fuxhian, që gjendet përballë dy ishujve Kinmen, të administruar nga Taipei, por asnjëherë i pushtuar nga japonezët, ndryshe nga ishulli i Tajvanit dhe Pengu.

Ekzistojnë vetëm 5 kilometra distancë ndërmjet Xiamenit dhe asaj që ka mbetur nga Republika e Kinës nr.2. Prandaj, profesor Li imagjinon ringjalljen e mundshme të “modelit të Pekinit” në Tajvan, për të arritur atë që përkufizohet si një “ribashkim inteligjent”.

Dhe ky është fenomeni që shqetëson më shumë Taipein, madje më shumë se sa manovrat e mëdha që u përgjigjen nevojave politike të brendshme dhe të jashtme të Pekinit. Manovra e afrimit me ishullin kryesor të Tajvanit, nisi disa vite më parë dhe po vazhdon në mënyrë progresive.

Por në mënyrë të qëndrueshme, sipas asaj që admirali i Marinës Tajvaneze tashmë në pension Çen Jeong-kang e quan “strategjia e Anakondës”. Pra “një shtypje e ngadaltë e qendrës së gravitetit të Tajvanit”, përmes veprimeve ushtarake dhe zgjerimit të të ashtuquajturës zonë gri, duke gërryer ngadalë hapësirën e manovrimit të Taipeit.

Stërvitjet ushtarake të ditëve të fundit, përbëjnë një hap tjetër në këtë drejtim, edhe pse më pak i dukshëm dhe i zhurmshëm se ai i gushtit të kaluar, të kryera pas vizitës së Nensi Pelozit në Taipei. Në vitin 2019, nisën të shtohet manovrat ushtarake brenda hapësirës së mbrojtjes ajrore të Tajvanit, e cila përputhet vetëm pjesërisht me atë të Republikës Popullore.

Por që prej verës së vitit të kaluar, avionët dhe anijet kineze e kanë shkelur të ashtuquajturën linjë mesatare, një kufi jozyrtar dhe i panjohur në Ngushticë, por i respektuar deri në atë moment. Në fillim të këtij viti, ritmi i operacioneve u zvogëlua ndjeshëm, në pritje të një burimi të ri tensioni.

Kjo gjë ndodhi pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të presidentes së Tajvanit Tsai Ing-Uen dhe mbi të gjitha takimi në Kaliforni me kreun e Kongresit Amerikan  Kevin Mekarthi, zyrtari më i lartë amerikan i takuar ndonjëherë nga një lider tajvanez në territorin e SHBA-së që nga viti 1979.

Pra që kur Uashingtoni ndërpreu marrëdhëniet zyrtare diplomatike me Taipein, duke hyrë në raporte zyrtare me Pekinin. Stërvitjet e reja ushtarake të ditëve të fundit, zgjatën më pak dhe patën një ndikim më të vogël në jetën civile dhe opinionin publik sesa ato të gushtit 2022. Nuk pati ndërprerje fluturimesh, probleme për lundrimet tregtare dhe as lëshime raketash.

Një element ky i rëndësishëm edhe në nivelin psikologjik për popullatën tajvaneze, e cila verën e kaluar ishte shumë e zemëruar për mungesën e alarmit nga qeveria e saj për fluturimin aty pranë të raketave hipersonike kineze ”Dongfeng”. Gjithsesi, Pekini ka ndërmarrë hapa të tjerë të rëndësishëm sa i përket cilësisë.

Ai përdori aeroplanmbajtësen Shandong, e cila lundroi për herë të parë në Paqësorin Lindor duke kaluar ngushticën Bashi, që ndan Tajvanin Jugor nga arkipelagu verior i Filipineve. Prej andej u përdor si trampolinë për mbi 100 fluturime avionësh të llojeve të ndryshme afër brigjeve lindore të Tajvanit.

Kjo ishte një lëvizje strategjike me peshë, sepse në rastin e një bllokade detare ose konflikti, ndihma ndaj ishullit mund të mbërrijë vetëm prej andej. Në krahasim me Ukrainën, Tajvani është shumë më i vështirë për t’u sulmuar, por nga ana tjetër është thuajse i pamundur për t’u furnizuar.

Mesazhi për botën, para së gjithash për Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, është i qartë:ne nuk do t’ju lejojmë të ndërhyni. Por që ta bëjë këtë, Kina duhet të forcojë më tej flotën e saj. Për momentin, ajo nuk do të ishte në gjendje të përballonte një bllokadë totale dhe të zgjatur të ishullit kryesor të Tajvanit.

Por Pekini parashikon se do të jetë në gjendje ta bëjë këtë deri në fillim të dekadës së ardhshme. Ndërkohë, ai do të përpiqet ta bëjë gjithnjë e më shumë Ngushticën e Tajvanit një lloj deti të brendshëm, duke përdorur edhe metoda të reja për të pretenduar sovranitetin mbi ujërat dhe qiejt e tij.

Strategjia e Kinës bazohet edhe tek zgjedhjet presidenciale në Tajvan në vitin 2024. Duke takuar Mekarthin në Kaliforni për ta shtyrë vizitën e këtij të fundit në Taipei, Tsai duket se ndërmori një hap të pjesshëm kompromisi për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Një reagim i tepruar do t’i kishte dërguar një mesazh Partisë Demokratike Progresive (DPP) të presidentit, se nuk ka kuptim përpjekja për të zvogëluar rreziqet. Pavarësisht kësaj, kandidati i sapo shpallur i DPP-së në zgjedhjet e ardhshme presidenciale konsiderohet shumë më radikal se sa Tsai.

Ai është zëvendëspresidenti aktual Lai Ching-te. Nëse Tsai beson se Tajvani nuk ka nevojë për një shpallje të pavarësisë, sepse ai tashmë është de fakto i pavarur si Republika e Kinës, Lai është shprehur në të kaluarën në favor të pavarësisë zyrtare si Republika e Tajvanit. Prandaj Pekini e sheh atë si një figurë potencialisht të rrezikshme dhe të paparashikueshme.

Edhe Shtetet e Bashkuara nuk duan që të kapen të papërgatitura në lidhje me skenarët pas-zgjedhorë në Tajvan. Shtëpia e Bardhë, dhe mbi të gjitha Kongresi, kanë dhënë shenja të ndryshme vullneti për të rritur mbështetjen për Taipein, që megjithatë vazhdon të ankohet për vonesa në dërgesat e armëve të blera tashmë, si dhe mungesën e transferimit teknologjik në sektorin e mbrojtjes.

Ndërkohë, Uashingtoni po përpiqet të zgjerojë rrjetin e tij të bashkëpunimit ushtarak në Azi-Paqësor. Ditët e fundit, menjëherë pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake kineze, nisën stërvitjet përbashkëta mes Shteteve të Bashkuara dhe Filipineve, të cilat së fundmi me në krye Ferdinand Markos Xhunior janë afruar dukshëm me ish-kolonizatorin e tyre.

E koduar me emrin “Balikatan” (Sup më sup), stërvitja është nga më të mëdhatë e kryera ndonjëherë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen e 17.600 trupave deri më 28 prill, duke përfshirë rreth 12.000 ushtarë amerikanë. Po ashtu është planifikuar një stërvitje për të hedhur në erë një luftanije të rreme në Detin e Kinës Jugore, një veprim që mund të ngjallë sërish zemërimin e Kinës.

Në shkurt të këtij viti, Uashingtoni nënshkroi një marrëveshje të re në fushën e mbrojtjes me Manilën, e cila parashikon vendosjen e 4 bazave të reja detare në ishujt Filipine pranë ujërave të diskutueshme. Tre nga këto baza ndodhen në veri të ishullit Luzon, pika më e afërt me Tajvanin, përveç Kinës kontinentale.

Por SHBA po bashkëpunon edhe me Vietnamin. Të premten e kaluar, Sekretari i Shtetit Entoni Blinken vizitoi Hanoin për të vendosur gurin e themelit të asaj që do të bëhet ambasada e re amerikane në kryeqytetin e vendit të Azisë Juglindore.

Në korrik, Xho Bajden do të presë në Shtëpinë e Bardhë Ngujen Phu Trong, sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste Vietnameze. Pastaj janë dy aleatët historikë të SHBA-së në Azinë Lindore. Amerika dhe Japonia kanë forcuar tashmë lidhjet ushtarake pas vizitës së fundit të kryeministrit Fumio Kishida në Uashington në janar. Ndërkohë presidenti i Koresë së Jugut, Jun Suk-Jeol pritet të zhvillojë një vizitë  shtetërore në SHBA në 26 prill.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu