Edi Rama ka vendosur të rikthejë në skenë “të fortët” për të siguruar një tjetër mandat në krye të qeverisë. Në vitin 2013 nuk la trafikant, vrasës dhe përdhunues pa kandiduar. Në 2021, me urdhër të amerikanëve duket se u pastrua Parlamenti, pasi emra si Tom Doshi e të tjerë ikën. Disa u dorëhoqën e disa përfunduan pas hekurave.
Por aleati i ngushtë i kryeministrit duket se ka në plan të rikthehet në sallën e Parlamentit. E kemi fjalën për Tom Doshin, kreun e Partisë Social Demokrate. Në vitin 2021 ai u bë gati të kandidonte, por ishte Yuri Kim që i dha ultimatum Ramës ta linte jashtë Parlamenti dhe Toma u tërhoq, duke kandiduar besnikët e tij, ku 3 prej tyre i ka sot deputetë.
Tom Doshi rezulton “non grata” në SHBA dhe në Britaninë e Madhe, teksa në Australi është akuzuar për grup kriminal. Mirëpo duket se tani i ka dalë frika, pasi Doshi ka njoftuar se do të garojë për deputet në zgjedhjet e 11 majit. Gjatë një takimi me strukturat e Shkodër, ai ka deklaruar se do të jetë kandidat për deputet në qytetin verior, teksa është shprehur se PSD do të ketë rezultat surprizë më 11 maj.
Tom Doshi ishte ndër të parët e shpallur “non grata” nga SHBA bashkë me familjen. Ai akuzohet për korrupsion madhor. Më pas të njëjtën gjë bënë edhe britanikët, ku vetë Doshi e ka pranuar se edhe ata e kanë shpallur të padëshiruar.