Ndërkombëtarët kanë dërguar një mesazh të fortë për politikën, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar. Në orën 17.00 do të mbahet seanca e parë e këtij vit, ku duket se do të vijojnë tensionet dhe përplasjet.
Ambasadori gjerman Karl Bergner u ka bërë thirrje palëve për qetësi dhe konsensus. Sipas tij, duhet më shumë respekt në Kuvend.
“Sot Kuvendi do të mbajë seancën e parë të këtij viti. Kam respekt të madh për rolin e parlamentit si një institucion i domosdoshëm në një demokraci dhe gjithashtu për ata deputetë që punojnë fort për të fituar shumicën për propozimet e tyre në komisione dhe në seancë plenare në Kuvend. Me të drejtë qytetarët presin që Parlamenti të jetë një forum ku diskutohen ide të ndryshme politike në mënyrë konstruktive dhe me respekt. Unë besoj se Parlamenti i qëndron kësaj përgjegjësie”, tha ai.
Mesazhi shkon si për mazhorancën e drejtuar nga Edi Rama, ashtu dhe për opozitën e Berishës. Rama nuk bën asnjë hap pas për konsensus, teksa Berisha ka udhëzuar të vetët që të vijojnë tensionet.
Më herët ishte ambasadori i ri i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato, i cili apeloi të hënën për bashkëpunim mes forcave politike dhe funksionim normal të parlamentit për reformat e integrimit. Deklarta u bë gjatë një takimi me ministren Elisa Spiropali.
“Siç i thashë ministres Elisa Spiropali gjatë takimit tonë të parë [të premten e kaluar], zbatimi i këtyre reformave do të kërkojë një parlament që funksionon efektivisht… dhe një bashkëpunim të mirëfilltë midis të gjitha institucioneve”, shkruan Gonzato në platformën ‘X’.
Sipas tij, pas procesit screening, tashmë vendi ka një tablo të qartë për reformat që duhet të kryejë për integrimin. Por, Gonzato thekson se, “të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku për axhendën e integrimit të vendit në BE”.