Ana Manjani (Anna Magnani) në fokusin e Alberto Moravias

0
Shkruan Zija Vukaj

“Në përgjithësi nuk krijohet kulti i personalitetit, nëse, para së gjithash, njeriu nuk i kushtohet thellësisht këtij kulti. Të mendojmë, për shembull, D’Annunzion: popullariteti i tij si figurë publike, buron pikë së pari nga narcizmi i tij i jashtëzakonshëm. Përkundrazi, Ana Manjani ishte ai personazh i rrallë, që është narcisti i hidhur, e pakënaqur, e pasigurt, thellësisht mosbesuese e popullaritetit të vet, edhe pse e pazonja të thellohej e t’i hiqte arsyet e këtij mosbesimi.
Më kujtohet një darkë, të themi, tipike me Ana Manjanin e Pier Paolo Pasolinin, në kohët para “Mama Roma”. I propozuam të zgjidhte mes një restoranti çfarëdo dhe një lokali të ashtuquajtur karakteristik, të zbukuruar në stilin e Romës fshatare e papnore me shala dhe takëme kuajsh, qerre vere me kacekun e ngjyer, heje, kusi dhe tepsi bakri, tryeza dhe stola të mëdhenj lisi, damixhanë, voza dhe gota me fund të trashë, ku sigurisht, miti i saj personal do të gjente një darkë të përshtatshme. Zgjodhi menjëherë, qoftë edhe për shkak të skepticizmit dhe përfilljes sarkastike, lokalin karakteristik. Dhe me t’u ulur në një tavolinë pak të mënjanuar të sheshit të mbushur me turistë amerikanë, pati një çast të parë zhgënjimi, duke parë që ardhja e saj nuk shkaktoi kureshtjen e zakonshme. Por ky turbullim zgjati pak. Nuk kishin kaluar as pesë minuta, kur tashmë tre a katër fotografë rrinin në gjunjë përreth nesh duke u përpjekur të merrnin “Nanarelën”, së cilës kitaristi miklues e familjar, me një këmbë mbi ndenjësen e karriges, me kitarën mbi gju, i këndonte në vesh me pëshpërimë fjalët e këngës së vet. Ndërkaq nga të gjitha tavolinat, të huajt që ndodheshin aty, të lajmëruar nga shoqëruesit dhe ciceronët, u kthyen ta shihnin; dhe nga grupi i vajzave dhe djemve që rrinin në këmbë të dëgjonin muzikë, ngriheshin duartrokitje dhe thirrje. E shikova në atë çast Ana Manjanin dhe pashë qartësisht se ajo merrte pjesë vetëm përgjysmë në atë lloj prezantimi të improvizuar. Natyrisht, sytë e saj magnetikë shkëlqenin nga rrëmbimi jo i shtirur; natyrisht qeshja e egër e njohur dhe agresive i ndizej me natyrshmëri të përsosur mbi fytyrën pak të lodhur e të vuajtur; por në të njëjtën kohë, kishte tek ajo diçka të hidhur, të pasigurt e zhgënjyese.
E pra, ishte aktore e famshme, personazh përfaqësues; e megjithatë, për shkak të një kundërshtie të hidhur e të paqartë të përvujtërisë së saj të çuditshme, dyshonte nëse ishte vërtet apo do të donte të ishte në një botë tjetër. Narcizmi i saj i pakënaqur e mosbesues e bënte ndoshta të nuhaste në popullaritetin e saj diçka të pagjasë, pak analoge me zbukurimin e restorantit ku ndodhej në atë çast. Por me sa dukej e vinte re se çdo popullaritet është themeluar mbi një keqkuptim; dhe i saji, të paktën, mund të numërohej si i ngritur mbi një kartë origjinale të fisnikërisë së natyrshme e të padiskutueshme. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e saj e nënshtruar dhe skeptike do t’i ketë ndihmuar reflektimit se për një aktore si ajo, që ia kishte detyruar suksesin pikërisht faktit se kishte shembur kufijtë mes jetës dhe artit, mes njeriut dhe personazhit, mes pasionit dhe shprehjes, ishte e pamundur të rrinte larg vëmendjes. Ajo duhej të pranonte të ishte, si në ekran, si jashtë ekranit, një prani e bërë nga vitaliteti i vrullshëm ekzistencial, i cili dalëngadalë, mund të ngjizej në një formë të njohur. Por si mund të dihet kur vitaliteti arrin të gjejë formën e duhur dhe kur, përkundrazi, kufizohet të shpërthejë? Duke i besuar vetëm instinktit, Ana Manjani me sa duket nuk ishte krejtësisht e sigurt se kishte krijuar një personazh të vërtetë; apo, përkundrazi, kishte mbetur këndej interpretimit, në imitimin e vetvetes.
Jam përpjekur të ndriçoj raportin e vështirë e të errët në jetën dhe shpirtin e Ana Manjanit mes figurës publike dhe interpretueses. Por tani do të shtoja se kjo aktore, e ardhur kaq vonë në pjekurinë e saj artistike dhe në sukses, pas një paradhome në prapaskenën e gjatë dhe në kinemanë e konsumit, kjo grua e papërshtatshme, e përzemërt, e pakulturuar dhe neurotike, diti të bënte diçka që ndodh shumë rrallë në botën e rastësishme dhe të improvizuar të kinemasë sonë: të kryqëzonte trajektoren e vet prej meteori me orbitën misterioze dhe të diskutueshme të kometës së quajtur histori. Po të shikohet mirë, jashtë metaforës, karriera prej aktoreje e Ana Manjanit është e lidhur thuajse në mënyrë ekskluzive me regjinë e Roberto Roselinit dhe sidomos me filmin “Roma qytet i hapur”. Pse ky film dhe Roberto Roselini kanë qenë kaq të rëndësishëm për Ana Manjanin? Sepse, siç kam thënë tashmë, Ana Manjani është gjendur me vitalitetin e saj të thellë, me vrullin e saj ekzistencial, me gatishmërinë plot pasion në qendër të dy përvojave të pastra e të sakta, në mënyrë të përsosur në zjarr, qoftë në kuptimin historik, qoftë në atë estetik: Çlirimi dhe neorealizmi. Dikush do të mendojë se dua të them që Ana Manjani u ‘angazhua’ qoftë si artiste, qoftë si njeri. Natyrisht që fjala angazhim do ta zgjidhte problemin; por do të ishte një zgjidhje pak e nxituar dhe konvencionale. Më mirë të themi që Ana Manjani, në vitet e pasluftës diti të marrë më shumë se ç’dha. Në hapjen bujare ndaj lojës së natyrshme të asaj periudhe të shkurtër, asaj iu desh të bënte të pamundurën të jepte gjithë çfarë ka dhënë.” (Nga “Al cinema”, Alberto Moravia, Bompiani, 1975.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu