Sulmohet me gurë e sende të forta ndaj policisë në Shkodër dhe Durrës, plagosen 2 efektivë

0

Forcat e policisë janë sulmuar gjatë protestave të dhunshme në Shkodër dhe në Durrës.

Në Shkodër, pamjet që vijnë nga terreni tregojnë efektivin e qëlluar me gurë, të shtrirë përtokë ndërsa rreth tij janë mbledhur kolegët.

Ai është qëlluar në kokë dhe për këtë arsye, forcat e rendit e mbajnë në krahë dhe e shoqërojnë për në makinën që e ka ccuar me urgjencë drejt spitalit. Pamje të rënda vijnë edhe nga Durrësi, ku një polic është plagosur si pasojë e sulmeve me gurë e sende të rënda.

Ndërkohë Policia e Shtetit i ka bërë thirrje prindërve të marrin masa për të siguruar fëmijët e tyre, pasi ka konstatuar prani të madhe të miturish në protestat që kanë mbërthyer vendin në disa qytete këtë të enjte.

“Në disa raste, fëmijët janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj akteve të dhunës, sendeve të forta të hedhura dhe mjeteve të përdorura nga Policia për menaxhimin e situatës. Siguria e fëmijëve është një përgjegjësi që nuk mund të negociohet dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim. Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të garantojë rendin dhe sigurinë publike, duke treguar kujdes të veçantë për mbrojtjen e të miturve. Por kjo përgjegjësi u takon, para së gjithash, prindërve dhe kujdestarëve ligjorë”, thotë Policia.

Policia thotë se çdo rast i dyshuar i nxitjes, organizimit apo shfrytëzimit të të miturve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente, në përputhje me ligjin.

“Policia e Shtetit respekton dhe garanton të drejtën e protestës paqësore, përfshirë të drejtat e të miturve, por do të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e tyre. Fëmijët nuk janë mburojë e askujt dhe nuk mund të kthehen në instrumente të përplasjeve për qëllime të caktuara. Asnjë kauzë nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e një fëmije”, thotë policia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu