U arrit marrëveshja për “Zgjedhoren”…

0

Këshilli Politik ka arritur marrëveshjen për Kodin e ri Zgjedhor.

Në mbledhjen që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, me praninë e 4 ambasadorëve, Yuri Kim, Bernd Borchardt, Luigi Soreca dhe Duncan Norman, Këshilli Politik ka dakordësuar edhe çështjen e mbetur pezull, atë të administrimit të procesit zgjedhor.

Sikundër mësohet se palët kanë rënë dakort për identifikimit biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit.

Gjithashtu në zgjedhjet e ardhshme, Komisionet Zgjedhore dhe Grupet e Numërimit të Votave do të jenë politike, pra me përfaqësues të forcave politike. Në 50 % të zonave shumicën e Komisioneve do i kenë përfaqësuesit e opozitës dhe 50 % qeveria.

Kjo tregon se PS është tërhequr nga qëndrimi për depolitizimin e komisioneve zgjedhore dhe grupet e numërimit të votave.

Pjesë e marrëveshjes është edhe riformatimi i KQZ. Ky do të jetë një organ i ndarë në tre trupa të balancuara politike. Kryetari zgjidhet me konsensus, nënkryetari nga opozita.

Gjithashtu, PS ka dhënë garanci se dokumenti që do të firmoset nuk do të ndryshohet në Kuvend, pa dakordësinë e opozitës së bashkuar.

Ambasada amerikane ka përshëndetur marrëveshjen e palëve që ranë dakord të punojnë së bashku për Reformën Zgjedhore.

Sipas ambasadës ky është një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it.

“Ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it. Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni.”, thuhet në reagimin e ambasadës./

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu