Turqia s’i ndërton 500 shtëpi “ndihmë” për tërmetin pa përfituar shumë më tepër, i kërkon Shqipërisë si pazar gylenistët, kundërshtarë politikë të Erdoganit!

0
Sa herë që një përfaqësues i shtetit turk viziton Tiranën ka një kërkesë që bëhet publikisht në çdo konferencë për mediat; dorëzimi nga Shqipëria i anëtarëve të organizatës FETO ose siç njihen ndryshe me emrin gylenistë. Kjo kërkesë u përsërit edhe dje me forcë nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu gjatë vizitës zyrtare në Tiranë. Në krah të ministrit në detyrë Gent Cakaj, Çavusoglu tha se ka kërkuar nga Edi Rama dorëzimin e gjithë gylenistëve që ndodhen në Shqipëri.
“Ka me qindra anëtarë të FETO-s në Shqipëri edhe pse nuk ka shifra të sakta. Kemi kërkuar rikthimin e tyre në Turqi. Shqipëria ka hedhur disa hapa në këtë drejtim, presim të vazhdojë. Nuk duam që Shqipëria të jetë një portë sigurie për FETO-n. Prania e anëtarëve të FETO-s vë në rrezik sigurinë kombëtare të Shqipërisë”,- tha Mevlut Çavusoglu. Sipas autoriteteve turke anëtarët e kësaj organizate që jetojnë prej vitesh në Shqipëri ose kanë ardhur këtu pas vitit 2016 janë terroristë. Anëtarët e lëvizjes së klerikut turk Fetullah Gülen pas vitit 2016 janë konsideruar organizatë terroriste dhe kundërshtare e presidentit turk. Ndërkohë organizata të ndryshme ndërkombëtare në BE dhe SHBA kanë një tjetër qëndrim ndaj sulmit dhe burgosjes që Turqia u bën anëtarëve të FETO. Shumë vende në BE kanë refuzuar ekstradimin dhe e cilësojnë kërkesën e Turqisë si politike dhe kundër të drejtave të njeriut. Shqipëria zyrtarisht ka refuzuar pjesërisht të dorëzojë të autoritetet turke gjithë anëtarët e lëvizjes Gylen. Kërkesa është bërë që prej vitit 2016 dhe kryeministri Edi Rama ka pranuar të bëjë lëshime të vogla dhe gjithmonë në mënyrë jo publike. Fillimisht lejoji që institucionet arsimore të financuara nga Lëvizja Gylen në Shqipëri të zëvendësoheshin nga një fondacion shtetëror turk, i cili ka qëllimin kryesor uljen e ndikimit të Gylen në Shqipëri.

Pas asaj që quhet si grusht shteti, një pjesë e vogël e të kërkuarve nga policia turke panë si mundësi shpëtimi Shqipërinë. Në mënyrë indirekte institucionet shqiptare, nën presionin e Turqisë, e bënë të vështirë qëndrimin e tyre këtu apo kalimin nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Disa arrestime të azilantëve politikë turq nga policia shqiptare bënë që shumica e anëtarëve të lëvizjes Gylen në Shqipëri të largohen nga Shqipëria ose të mos e shohin më Shqipërinë si një vend që i mbron, por si një shtet vasal në urdhrat e Erdogan. Ngjarja që tregoi se Edi Rama ka vendosur të plotësojë kërkesat e Turqisë është ajo e fillimit të muajit janar. Policia shqiptare me urdhër të zyrtarëve më të lartë qeveritar dëboi një mësues turk që kishte kërkuar azil politik në vendin tonë. Mësuesi Harun Celik ishte arrestuar në muajin korrik për dokumente të fallsfikuara teksa kishte udhëtuar nga Turqia, për ti shpëtuar burgut, drejt Shqipërisë. Pasi vuajti një dënim prej 6 muajsh  u ekstradua në Turqi pa ju dhënë e drejta e azilit dhe pa u respektuar asnjë standard ligjor dhe njerëzor. Ekstradimi i tij për tu dënuar politikisht në Turqi u cilësua si një skandal edhe nga autoritetet e Bashkimit Europian, por qeveria “Rama” e cilësoi një procedurë të rregullt.

Ndërkohë të tjerë shtetas turq të kërkuar nga autoritet e Ankarasë janë në pritje të ekstradimit në burgjet e Shqipërisë. Turqia e ka parë këtë lëvizje të Shqipërisë si një sinjal pozitiv dhe dje Mevlut Çavusoglu tha se ka diskutuar me Edi Ramën për këtë çështje dhe ka parë disa hapa pozitivë në këtë drejtim. Pra, Edi Rama po bindet ose ka dhënë fjalën se do t’i kthejë të gjithë gylenistët në Turqi. Në këmbim duket se ka marrë premtimin për investime në ekonomi, ndihma për tërmetin dhe çështje të tjera që dihen vetëm mes tij dhe Erdogan. Më shumë se marrëveshje ngjan si një kërcënim që Edi Rama e ka pranuar, megjithë koston e rëndë për shtetasit turq në Shqipëri dhe imazhin e vendit tonë si një shtet vasal i Turqisë.

Pra po shesim gylenistët që të marrim ndihma!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu