Truku me shitjen fiktive të “Delta Pharma”, të njëjtët pronarë blenë në Shkurt 2023 kompaninë. Përdorën një polake. Zbardhen pagesat

0

Elton Qyno

Një nga kompanitë farmaceutike “Delta Pharma” e lidhur ngushtësisht me Adriana Beqaj, bashkëshorten e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është bërë objekt i kontrollit të imtësishëm nga oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.

Hetimi i këtij rasti po ndiqet nga dy prokuroret, Dorina Bejko dhe Elida Kaçkini, ndërsa vendimet për ushtrimin e kontrolleve janë marë nga gjyqtarja e seancës paraprake, Rudina Palloj.

Rasti në fjalë është denoncuar qysh prej 9 shtatorit 2023 në “Ora Neës”, ku përmes një shkrimi raportohej se SPAK kishte nisur një “gjueti” për gjetjen e lidhjeve pasurore të Ilir Beqaj dhe familjarëve të tij në disa biznese private.

“Delta Pharma-Al” është një shoqëri farmaceutike e themeluar në vitin 2006 nga Tahir Sadiku, Dorian Sadiku, Eduart Curraj. Por gjatë kalimit të kohës, Eduart Curraj mbeti aksioneri i vetëm i kësaj shoqërie farmaceutike.
Eduart Curraj, njihet në Tiranë si nipi i Vilma Nushit, një biznesmene që kontrollon konçesionin 10 vjeçar të analizave të gjakut.

Mirëpo me një lëvizje të 27 shkurtit 2023 Eduart Curraj dhe bashkëshortja e tij, Marjana Curraj, i shesin kompaninë shoqërisë tregtare “Delta Holding” me administratore një shtetase Polake e quajtur Eëa Maria Kokot.
Nga verifikimet e kryera del se “Delta Holding”, ka blerë shoqërinë “Delta Pharma” me një çmim prej 903 milion lekë të reja. Pas kryerjes së blerjes, Curraj është larguar si administrator dhe në vend të tij është vendosur shtetësja polake, Eëa Maria Kokot.

Por në fakt i gjithë ky operacion tregtar dyshohet se është fiktiv, pasi “Delta Holding” është një kompani e themeluar në 16 janar 2023, nga dy ortakën e “Delta Pharma”, Eduart Curraj dhe Dorian Sadiku.

Sadiku dhe Curraj brenda 42 ditëve kanë bërë këtë operacion tregtar, duke vendosur si administrator shtetasen polake, ndërsa nga ana tjetër kanë qëndruar pronarë respektivë me secili 50 për qind të aksioneve në “Delta Pharma”.

Ka të dhëna dhe indicia të forta se kjo kompani ka lidhje të ngushta me Ilir Beqaj, duke bashkëpunuar ngushtë gjatë periudhës ku Beqaj ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë.

Gjatë periudhës së vitit 2012-2013, “Delta Pharma” ka marë 10 transaksione pagesash nga buxheti i shtetit për shitjen e barnave, me një vlerë totale prej 186 milion lekë të vjetra.

Ndërsa pas ardhjes si ministër shëdetësie në 2013 e në vijim kjo shoqëri ka ritur arkëtimet nga buxheti i ministrisë, duke fituar shumë tendera.

Në 2014 “Delta Pharma” ka marë 147 transaksione nga shitja e ilaçeve në spitale të ndryshme, me një vlerë të përgjithme prej 313 milion e 157 mijë lekë të reja.

Ndërsa nga periudha 2015 deri në vitin 2018 kjo kompani ka fituar 75 transaksione nga shitja e barnave, me një vlerë totale prej 117 milion e 492 mijë lekë të reja.

Mësohet se në tenderin e organizuar nga Ministria e Shëndetësie në vitin 2014, në periudhën Mars – Prill, pasi u publikuan tenderat, pak ditë më vonë ka dalë një njoftim për modifikim të specifikimeve kualifikuese.

Burimet konfirmojnë se në mënyrë të selektuar për disa lote, është hequr kërkesa për autorizim Prodhuesi, ndërsa u la për të gjitha lotet e tjerë. Specifikimi është hequr për të gjitha kompanitë Multinacionale si Roche, Pfizer, Sanofi-Aventis, Bayer, Jansen Cilag, Abbvie, përveç Novartis.

“Ora News” mëson se “Delta Pharma” është distributor i kompanisë prodhuese të ilaçeve “Novartis”.

Të gjitha kompanitë e kundërshtuan këtë, pasi binte në kundërshtim me ligjin e barnave, ku thuhet se “…ministri i Shëndetësisë jep leje importi për barna të pa regjistruara…”.

Ndërkohë lidhja e “Delta Pharma” të Eduart Curraj me Adriana Beqaj, gruan e ish-ministrit bëhet përmes kompanisë “ALBANIAN FOOD AND HOSPITALITY LAB”.

Emri i Adriana Beqaj shfaqej tek kompania “Albania Food and Hospitality Lab”. Tek kjo kompani e themeluar në vitin 2019, gruaja e Beqaj zotëronte 50 për qind të aksioneve.

Por pas 1 muaj nga themelimi i firmës, ajo ja ka dhuruar aksionerit tjetër Arti Malaj, 35 për qind të aksioneve.
Shitja e aksioneve të mbetura prej 15 për qind të kësaj kompanie,ka vijuar dhe në vitin 2020, duke hequr përfundimisht dorë nga kjo pasuri.

Shitja e aksioneve është kryer tek Arti Malaj, me vlerën 1 milion e gjysëm lekë dhe nuk është kryer përmes dhurimit.
Adriana Beqaj vendosi të dhuronte 35 përqind të aksioneve pa para, kurse një vit më pas shiti dhe pjesën e mbetur prej 15 për qind.

Ortak i vetëm i kompanisë “ALBANIAN FOOD AND HOSPITALITY LAB” mbetet Arti Malaj, zotërues për 100 për qind të kapitalit.

Këtu del në skenë dhe biznesmeni i “Delta Pharma” Eduard Curraj. Një vit pasi Arti Malaj mori shumicën e aksioneve, më datë 12 gusht 2021, vendos të shesë 100 për qind të kuotave në favor të Eduard Curraj, kundrejt çmimit 100.000 (njëqind mijë) lekë.

Përfituesi fundor i kompanisë që themeloi dhe shiti një muaj pas themelimit Adriana Beqaj, gruaja e ish-ministrit të Shëndetësisë, është dhe sot Eduard Curraj, biznesmeni pronari i kompanisë farmaceutike, që u kontrollua tre ditë nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu