Vetingu në politikë pritet të rikthehet në skenën politike. Kreu demokrat Lulzim Basha, në nisjen e sesionit të ri parlamentar e bëri të qartë se ndryshimet kushtetuese do të jenë prioritet kryesor i tij. Mes propozimeve të PD për ndryshime kushtetuese është edhe vetingu në politikë.
Sipas informacioneve, ambasada amerikane ka hyrë në rolin negociatorit për të bindur PD dhe PS që të shkohet te ndryshimet kushtetuese.
Së pari, po negociohet që palët të bien dakord që të zgjaten afatet e vetingut në drejtësi. Nga ana tjetër PD pret votat për të zgjatur mandatin e KPK, të sjellë vetingun në politikë, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore.
Mësohet se vetë ambasadorja amerikane dhe përfaqësues të ambasadës kanë zhvilluar takime me palët dhe sipas burimeve nga selia e PD, pritet të shkohet te vetingu në politikë. Demokratët këmbëngulin se vetingu në politikë do sjellë pastrimin e saj nga të korruptuarit dhe emrat e lidhur me krimin. Një burim nga selia blu i tha gazetës se SHBA e mbështet këtë ide dhe po ushtrohet presion te mazhoranca që të hapet si diskutim. Në bazë të propozimit të PD do të jenë 223 politikanë dhe zyrtarë që do të futen në veting, nëse kjo nismë gjen mbështetjen e mazhorancës.
Funksionarët publikë që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i Bashkisë,Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit. Nga një llogari e thjeshtë rezulton se në Kuvend janë 140 deputetë, kemi 61 kryetarë bashkie, bashkë me kryeministrin janë 17 anëtarë në qeveri, ndërkohë që më pas janë presidenti, guvernatori dhe krerët e SHISH dhe KLSH. Pra janë në total 223 individë që do të futen në skaner. Nëse shohim me kujdes, PD ka propozuar që të ketë verifikim pasuror për të gjithë politikanët.
Nëse ndodh kjo, do të ndëshkohen shumë emra të rëndësishëm. Ka shumë politikanë me pasuri të lartë që nëse nuk e justifikojnë do largohen nga detyra dhe do kalojnë për ndjekje penale. Sipas burimeve PD e PS po negociojnë në prapaskenë dhe nëse më datë 10 shkurt zgjatet afati i vetingut në drejtësi, shumë shpejt do nisë puna për vetingun në politikë.
Verifikimi i pasurisë
Sipas PD, vetingu do fokusohet te dy komponentë, ai i kontrollit të figurës dhe ai i pasurisë. Teksa për figurën mund të jenë disa emra që preken, te pasuria rrezikojnë të ngelin pjesa dërrmuese. PD kërkon që kush ka pasuri dyfish më të madhe se të gjithë të ardhurat largohet nga funksioni.
“Funksionari publik dorëzon një deklaratë të re dhe të detajuar të pasurisë në përputhje me ligjin për efekt të kontrollit të integritetit. Funksionari publik duhet të shpjegojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Nëse funksionari publik ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, ai konsiderohet se disponon pasuri të pajustifikuar ligjërisht dhe ndaj tij zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thuhet në draft.
Në Parlament dhe politikë ka emra që kanë 30 vite që mbajnë vetëm poste deputeti apo ministri dhe kanë pasuri miliona euro. Me këtë përcaktim ata mund të përjashtohen.