Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë kundër kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave në sistemin gjyqësor.
Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se aktualisht pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajon dhe krahasueshme me ato të disa vendeve të Bashkimit Europian.
“Prokurorët dhe gjykatësit në Shqipëri paguhen më shumë se kolegët e tyre në Ballkan dhe njësoj me disa vende të Europës. Nuk ka gjë më absurde. Kjo u ka rritur vetëm oreksin, jo ndershmërinë. Nëse gjeni një qytetar që thotë se procesi gjyqësor i ecën pa ryshfet, urdhëroni. Sot ryshfeti ka marrë përmasat më gjigante në historinë e shtetit,” u shpreh Berisha.
Duke iu referuar të kaluarës, ish-kryeministri përmendi akuza të mëhershme që lidhen me emërimet dhe transferimet në sistemin e drejtësisë, të cilat, sipas tij, janë thelbi i shkatërrimit të këtij sistemi.
Pa përmendur drejtpërdrejt emra, Berisha aludoi për ish-presidentin Bamir Topi dhe ish-nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, për të cilët tha se janë përmendur në një raport investigativ të Komisionit Europian me akuza për korrupsion të lartë.
Ndonëse nuk përmendi emra, kryetari i PD-së, tha se ata merrnin nga 150 mijë deri në 300 mijë euro.
“Ka qenë një periudhë kur ky çakalli që del çdo natë nga Shallvaret apo Berlini, bashkë me bosin e tij, akuzoheshin për marrje ryshfeti nga 150 mijë deri në 300 mijë euro për emërime apo transferime në Tiranë. Kjo praktikë nuk ekzistonte gjatë kohës së Rexhep Meidanit, por u instalua më vonë,” deklaroi Berisha.
Ai pohoi se në atë kohë kishte autorizuar publikimin e raportit, por sipas tij, ky nuk u publikua për shkak të ndërhyrjeve të drejtuesve të KLD-së.
“Sot shifrat janë dy apo trefishuar krahasuar me atë periudhë. Sistemi është më i korruptuar se kurrë më parë,” shtoi Berisha