Shkruan Lekë Imeraj
shkrimtar, përkthyes, publicist
(Psikologjia e moshës) Anëtarët e familjes, shpesh nuk kuptojnë asgjë, pse ndryshojnë prindët dhe gjyshërit, në sjelljet dhe veprimet e tyre, në familje. Ju i keni njohur dhe përjetuar prindët apo gjyshërit tuaj, si njerëz të mirë, të dashur, të arsyeshëm dhe të qetë. Tani ata kanë ndryshuar, janë bërë të vështirë, nervozë, agresivë, rebelë. Çfarë ka ndodhur me ata!? Një gjë e tillë, nuk është rastësi, ka shkaqet e veta, të cilat, duhen kërkuar brënda dhe, jashtë tyre. Në të shumtën e rasteve, shkaqet, janë të padukshme madje, të palexueshme dhe, të pakuptueshme.
Psikologët mendojnë se, disa nga shkaqet kryesore janë: – Sëmundjet. Të moshuarët, shpesh, kanë dhimbje fizike, të dukshme dhe të padukshme. Dhimbjet janë të padiagnostikuara dhe jo lokale por, të shpërndara në gjithë trupin. Shpesh dëgjojmë kur thonë: „Sot më dhemb i gjithë trupi.“ Ankesat e tyre, në shumë raste, nuk merren aspak seriozisht nga njerëzit e familjes. I moshuari, në vend të një fjale ngushëlluese apo dashamirëse dëgjon: „Hajt se i vjetër je ti! Boll se na lodhe tani! Shko vetë tek doktorri, nuk kam kohë të merrem me ty.“ Dhimbjet fizike dhe, aq më shumë, kur askush nuk i dëgjon, i bën ata agresivë, deri të paarsyeshëm në sjellje dhe veprime. Dhimbjet kronike, nëse nuk mjekohen, i dërmojnë dhe, sfilisin ata. Nëse, në vend të mirëkuptimit dhe ndihmës, përjetojnë injorimin dhe, braktisjen, ndjehen të poshtëruar, të pashpresë dhe, reagojnë shumë ashpër. – Frika. Frika, në shumë raste, është një shkak shumë i fortë për agresivitetin e tyre.
Nuk ka rëndësi nga u vjen frika, frika tek ata, është frikë. Frika e braktisjes, e vetmisë, se do të përfundojnë në Shtëpinë e të Moshuarëve, se do të mbeten në dorën dhe mëshirën e të tjerëve dhe… shumë të tjera. – Bluarja me mend. Njëra ndër veçoritë më tipike tek të moshuarët është, bluarja me mend. Ata nuk i ndahen të kaluarës së tyre. Vazhdimisht e bëjnë „bilancin“ e të kaluarës së tyre. Nëse „bilanci“ u del negativ, i pushton tërbimi, zhgenjimi, mbyten në dëshpërim. Vuajnë nga pagjumësia, shikojnë endërra të frikshme, mallkojnë veten, shndërrohen në donkishotistë. – Anarshizmi politiko-social. Gjenerata e tretë e cila, në përgjithësi, është gjenerata e luftës, punës dhe sakrificave të mëdha për kombin, karakterizohet nga ndjenja e lartë e patriotizmit. Anarshizmi politiko-social, rrënimi i pasurisë kombëtare, krimi i organizuar dhe korrupsioni, padrejtësitë gjyqësore e helmojnë shpirtin dhe trurin e tyre. Ata nuk mund të pajtohen kurrë me vandalizmin politiko-social. Kështu që, kemi të bëjmë me njerëz me shpirt dhe trurin e helmuar. Shndërrohen në rebelë.
Ata që jetojnë me prindër apo gjyshër me simptoma të tilla, para se t’i gjykojnë dhe mallkojnë, duhet t’a vënë veten e tyre, në pozitën e të moshuarëve „rebelë“. Shkaqet e mësipërme por, dhe të tjera të padukshme, të brënda katër mureve, i bëjnë ata të ndjehen të tepërt në familje dhe jetë, e mendojnë veten barrë për të tjerët por, nuk munden të sillen dhe veprojnë ndryshe. Shpesh ia dëshirojnë dhe urojnë vetes vdekjen por, ajo, nuk është vullneti i tyre. Shumë psikologë mendojnë se, mosha e tretë, është „fëmijëria“ e dytë. Çfarë mund të bëni tjetër, ju pasardhësit e këtyre “fëmijëve të vështirë”, veçse t’i pranoni, respektoni dhe ndihmoni ata, ashtu siç janë? Fëmijët, sipas teorisë së psikologjisë, 83 përqind të shkollimit social, e mësojnë në familje. Fëmijët tuaj, në të ardhmen, do të sillen me ju, ashtu siç selleni ju me prindët dhe gjyshërtit tuaj. Nëse nuk dëshironi t’ju braktisin pasardhësit tuaj, mos i braktisni paraardhësit tuaj! Ftoni në tavolinë dhe festini bashkë! Gëzuar 2023!