Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama u shfaq sot i nervozuar dhe dëshpëruar pse Komisionerë të BE kanë komunikuar me Lulzim Bashën dhe janë njohur me programin e kësaj partie në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.
Rama kërkonte llogari pse këta komisionerë ndërhynin në atë që e cilëson si “punët e brendshme të vendit” dhe shfaqi dhimbshuri për taksat me të cilat qytetarët europianë i paguajnë.
Në fakt Edi Rama është njeriu më i paprshtatshëm që mund të shfaqet i revoltuar, të kërkojë llogari dhe aq më shumë të konsiderojë si ndërhyrje në punët e brendshme komunikimin e kreut të opozitës me dy komisionerë, Mariya Gabriela dhe Johannes Hahn.
Pak javë më parë, Kryeministrit Edi Rama nuk iu drodh zëri kur në Stamboll, i lutej Presidentit Erdogan, për t´i ndërtuar spitalin para zgjedhjeve të 25 prillit. Madje aq shumë i është lutur, sa Erdogan ia premtoi publikisht se ndërtimi i spitalit të Fierit do të realizohej para zgjedhjeve, duke caktuar edhe datën 7 prill.
Pra qartazi investimi i Turqisë për spitalin rajonal të Fierit është tërësisht elektoral, dhe Edi Rama do e tundë si flamurin e fitores.
I njëjti Kryeministër që sot shfaqi nervozizëm po shfrytëzon çdo lobim për t´u takuar me ata që i konsideron si miq personalë, dhe më pas shfaqet në media duke premtuar se Presidenti i Francës i kishte garantuar projekte për furnizimin e Durrësit me ujë të pijshëm 24 orë në ditë.
Në rastin konkret kjo nuk quhet ndërhyrje në punët e brendshme, por kjo quhet përdorim që Rama po i bën figurave të njohur politike, për të fituar pikë elektorale në zgjedhjet e 25 prillit.
I revoltuari Rama nuk nguroi të shesë si arritje të madhe 10 mijë vaksinat ruse Sputnik V që ia dhuroi Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Shqipërisë, në një kohë që kjo vaksinë nuk ka marrë asnjë certifikim nga OBSH, FDA apo EMA.
Kur ambasada ruse në Tiranë ofroi ndihmën e saj dy muaj më parë, Rama u shfaq i revoltuar pak a shumë sikundër sot ndaj komisionerëve europianë, duke i kërkuar që të mos bënin shaka në momente të tilla. Dje Rama dhe emisarët e tij e konsideronin dhuratë të çmuar atë të sjellë nga Princi i Kurorës, të cilit i është afruar Porti i Durrësit, më i madhi në vend, dhe një pikë strategjike, në kuadrin e një projekti investimesh prej 2 mld euro.
Edhe këtë rast, Rama e përdori për fushatë, ashtu sikundër po trajton të gjithë procesin e vaksinave që nga një proces tërësisht shëndetësor e ka kthyer në elektoral.
Nëse kthehemi pas në kohë, çdokush e mban mend se si Edi Rama nuk e kishte për turp të shfaqej në zgjedhjet amerikane si “gruaja” e Bilalit, mjafton që ai të ishte në një nga ato ceremonitë ku jepeshin donacione në mbështetje të Presidentit Obama, pavarësisht se ligji amerikan nuk e lejonte. Bilali u dënua, “gruaja” shpëtoi, por ky ishte një nga rastet e rralla kur një politikan shqiptar ndërhynte në zgjedhjet amerikane qoftë edhe i maskuar.
Më pas ishte po Rama që u shfaq me fytyrën e tij, jo më si “gruaja” e Bilalit, po në fushatën amerikane dhe komentonte Presidentin Trump si kërcënim për SHBA, për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, madje duke shtuar se do i bënte një dëm të madh këtyre raporteve.
Të njëjtën gjë Kryeministri bëri me zgjedhjet në Malin e Zi, kur hapur mbështeti Presidentin Milo Gjukanoviç dhe nuk është çudi që ta bëjë me çdo proces zgjedhor kudo që zhvillohet, vetëm e vetëm që të shfaqet si lider global.
Rama, që se ka problem aspak të ndërhyjë në çdo palë zgjedhje të kujdo vendi, sot është shqetësuar shumë sepse dy komisionerë kanë komunikuar me kandidatin për Kryeministër, kreun e opozitës, Lulzim Basha.
Një hall të madh duhet të ketë “gruaja” e Bilalit, që ndoshta nuk ia shkaktojnë komunisionerët e Brukselit, por të dhënat e sondazheve që i raportohen. Zgjedhjet e 25 prillit nuk janë larg dhe ai s´ka kohë të rikuperojë urrejtjen që është akomuluar në 8 vitet e Sulltanatit të tij.