Kjo është arsyeja, pse diplomacinë e shohim të “vallëzojë” me ujqërit e ulkonjat, nëpër “pasarelat” plot luks të krimit shtetëror e mediatik. Kjo metaforë ka ca kode genetike…
Shkruan Sokol Pepushaj
Sali Berisha, më 6 mars të vitit 2022, sulmoi Amerikën me 20 000 “peshq” 3000 “çakej” dhe 200 “elefantë” në betejën e fortë për 6 Bashki që nuk kishin rënë nën pushtetin e Edi Ramës si 55 të tjerat.
Me Saliun afër, edhe historia zbutet, humb formën e ngjyrën, kohën, moshën, sensin, bëhet edhe kafshë, gomar për shembull.
Kështu, fill pas tij, në vitin 280 para Jezu Krishtit, Pirroja i Epirit sulmoi Romën, fiks me kaq forca sa Saliu i Tropojës Amerikën, 20 000 këmbësorë, 300 kalorës dhe 300 elefantë.
Nëse Saliu pasi humbi gjithë arsenalin e fillikat, vetëm me djalin e Alisë, hynë trimfatorë në Hanin e Hasan P*rdhës në Shkodër; Pirroja i Epirit nuk e bëri atë gabim strategjik, sulmoi vetëm Romën dhe vërtet humbi ushtrinë si Saliu, por pushtoi Romën, ama jo një Han dosido.
Kjo shprehja e famshme, “Fitorja e Pirros”, nuk lidhet vetëm me fitoret e dhimbshme, por edhe me strategjinë, ku kafshët sakrifikojnë për pushtetin, fjala vjen, të Sali Berishës, Ilir Metës apo Edi Ramës.
Ja, ‘delet’ e Saliut, pak janë, por të egra sa elefantët e Pirros së Epirit. Këto dele, kanë “trembur” edhe diplomatët e perëndimit, sa ata po e ndjejnë veten më të sigurt mes ‘ujqërve’ të Edi Ramës.
Kjo është arsyeja, pse diplomacinë e shohim të “vallëzojë” me ujqërit e ujkonjat, nëpër “pasarelat” plot luks të krimit shtetëror e mediatik.
Kjo metaforë ka ca kode genetike.
Me kode i bëjnë presion njëri-tjetrit Ilir Meta, Sali Berisha, Edi Rama, kafshët…
Shqiptarët, mjeshtrja të humorit, seç çuçurisin, se perëndimorët janë akomoduar andej nga Lugina e Ujqërve të Edi Ramës me misionin për t’jua humbur farën përgjithmonë asaj kopeje egërsirash, po nejse, ne këtu jemi e llafosemi.
Këto “sekuenca” s’dalin nga errësira, pasi bosët e mediave që s’dinë shkrim e këndim, kanë nevojë për para, kurse bosët e parave, që edhe ata janë golle nga intelekti, kanë nevojë për manipulim dhe injektim tensioni mes turmave bark-boshe, në synim të zgjatjes së jetës së non-gratave dhe bandave, që flitet me zë të ulët se do të arrestohen përpara se Dimri të zhveshë pemët e t’i bëjë cullak.
Delet, edhe këtë vjeshtë të paktën, kanë vendosur të mos sulmojnë ujqit. Do rrinë ende bagëti, ose në besnikëri të traditës, ose në palexueshmëri të së resë që do regjistrojë lajme të mira.
Kështu kanë ecur politika, diplomacia, majmunët, kohërat e njerëzimi.
Ja, kur Edi Rama me gjithë ç’ka politika, shteti e pushteti, vjedhin gjithë ç’ju del përpara, kur ligji nuk shikon as inceneratorët, as vilat e pasuritë përrallorë, nuk bëhet kacafytje si në antikitet, por qetë -qetë, edhe populli zbaton rregulla në kokë të vet, prokurori akuzon apo falë në kokë të vet, gjyqtari gjykon në kokë të vet, Kushtetuesja e Komisioni i Vetingut mbrojnë hajdutët në kokë të vet!
Në xhunglën e Rilindjes, secili mbron gjënë e grabitur.
Po pse nuk e merr populli gjënë e vet, edhe forcërisht, pyet lexuesi ynë me të drejtë?
Kjo s’do fare logjikë, ky popull është zbutur, ky popull nuk kërkon hapësira përtej vathës së vet. Në perëndim, në botën e lirë, nuk kanë vend të thjeshtët, se lirinë dhe pasurinë ua kanë marrë ujqerit e ulkonjat që i kanë turinjtë tërë gjak.
Një ujkeshë e qeverisë, Frida Krifca, kujdeset për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Aq të uritura janë delet sa ankohen se misri e gruri kanë ngelur xhuxh, kurse hashashi po bëhet gjigand.
Këtu, në parcelë, e nguli Krifca turi-dhelpër “mullarin” e ushqimit, edhe për delet e Saliut, edhe për elefantët e Pirros së Epirit.
Kush të mbjellë një hektar miser a grurë, shpërblehet me një krah hashash, ose 300 mijë lekë, deklaroi ajo në emer të Perandorit Rama.
Po a janë dakord dy palët edhe delet, edhe ujqërit?
Historikisht, as bagëtitë as egërsirat s’kanë qene të kënaqura.
Po ç’na duhet kjo temë? Le t’i fërshëllejmë tufës sonë të deleve dhe të mbështetim syrin në vrimë të dylbisë, ç’bëhet andej nga Lugina e Ujqërve?
Andej fryjnë suferina, priten kohë të vështira, uri, beteja, që në gjuhën e njerëzve do të thotë burg për kapot.
Tek kapot janë fshehur gënjeshtra dhe e vërteta e 32 viteve anarki e hajdutëri. Gënjeshtra është se këta shtiren sikur betejat e ligjeve të drejta për njeriun, kërkojnë sakrifica në rregullat e bagëtive e egërsirave, sikur delet e Saliut duan një ujk për bari dhe ujqit e Edit kërkojnë një dele t’u prijë, se ashtu janë punët në malet e Ballkanit.
Meqë kjo është temë për ditë më të nxehta, le të kapërcejmë shumë “kanale” e të dalim tek e vërteta. Uh, edhe këtu “hendek”. E vërteta qënka edhe më e fshehur se gënjeshtra.
Asnjëri hajdut nuk e mohon se për të mbajtur muri i drejtësisë, duhen murosur vetë ata, por ende nuk po kapen hajdutët, ankohen.
Ja pra, ç’labirinthe.
Pastaj, ata justifikojnë edhe ca papërgjegjshmëri, se krejt rastësisht, pasi e bënë Ilir Metën ministër hajdut, kryeministër pirat, kryeparlamentar bandit, President kriminel, zbuluan ish Spiunin e Sigurimit të ish Shtetit Komunist të fshehur aty, në memorien e historisë 32 vjeçare.
Asgjë nuk është e papritur, pasi secili është hajdut, gjynahqar, por enigma që ende jep shpresë për arrestime VIP para se Dimri të zhveshë pemët lakuriq, rri tek pyetja që i bëjnë të gjithë njëri -tjetrit; more, di gjë ti, pse janë egërsuar ‘delet’ e Saliut e zbutur ‘ujqërit’ e Edit?/Pamfleti