Protesta e 6 dhjetorit nis në orën 12:00

0

•Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zbuluar se protesta e 6 dhjetorit, do të nisë në orën 12:00.  •Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha dënoi miratimin e projektit të Portit të Durrësit. Ai e quajti plaçkitjen më të madhe që iu është bërë vendit. •Në lidhje me bitcoin, kreu i PD-së thotë se është duke u përhapur nga vetë Rama dhe vëllai i tij.

Sali Berisha: Ajo që ndodhi mbrëmë në parlament, ata e që e ndoqën, patën rastin të dëshmojnë më shumë se kurrë solidaritetin në krim të pseudomazhorancës socialiste.
Ata votuan për grabitjen e portit të Durrësit nga Edi Rama dhe klani i tij.
Është detyrim i medieve që të bëjnë transparent këtë zhvillim dramatik.
Dy vite më parë, Edi Rama u deklaroi shqiptarëve se porti i Durrësit do shndërrohet në marinën më të madhe në Mesdhe dhe porti i ri do ndertohet në Porto Romano po nga kompania Emaar.
Pra do ndërtonte marinën dhe portin e ri të Shqipërisë. Kjo ishte deklarata e tij, jeni të lutur që ta merrni dhe t’ua paraqisni shqiptarëve të vërtetën.
Cila është historia e këtij procesi?
Historia është se gradualisht, Emaar siç informuan mediat dhe vetë ata, shet 100 përqind të aksioneve, kjo është e faktuar.
Kush i bleu aksionet?
Për t’i rënë shkurt për qytetarët, sot dihet që një pjesë të këtyre aksioneve i ka mbajtur Alabar, një miliarder arab. Por 60 përqind të tyre nuk dihet kush i ka.
Edi Rama nuk i thotë emrat se është vetë me vëllain dhe klientelën e tij.
A mundet një kryeministër të fshehë aksionerët e një afere që shkon të paktën 4 miliardë euro? Kurrë.
Këta aksionerë i kanë financat offshore, nuk ka shqiptar që mund të gjejë se të kujt janë. Janë të Edi Ramës dhe Olsi Ramës. Pastaj janë të enturazhit të tyre.
Çfarë ndodh më tej?
Pas firmosjes së një marrëveshje bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila nuk firmoset nga kryeministri, por ka direkt firmën e tij. Ndoshta Arben Ahmetaj nuk ka pranuar ta firmosë. Por marrëveshja ka firmën e Edi Ramës.
Marrëveshja shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Shqipërisë, shkel MSA-në me vendet e BE-së. Në të cilën në nenet 70, 71, 74, Shqipëria zotohet se në të gjitha proceset e garave, tenderave, prokurimeve, do jetë e hapur për kompanitë e BE.
A kishte garë? Asnjë garë. Përkundrazi, e kaluan me shpejtësi siç kaluan djegësat. Me urgjencë në parlament. Ajo marrëveshje thotë se përjashtohen nga procedurat e prokurimit të gjithë veprimtaritë.
Pra, Edi Rama miratoi një ligj special për veten e tij.
Akti i parë, KE anuloi grantin prej 28 milionë eurosh për portin e Durrësit. Që dje. Nuk është pezulluar, është anuluar. Porti i Durrësit, një port mijëravjeçar nuk është i rëndësishëm vetëm për Shqipërinë, por edhe për NATO-n dhe BE-në.
Edi Rama u përpoq të mashtronte NATO-n, ta angazhonte në Porto Romano, në mënyrë që të mbulohej vjedhja e tmerrshme e portit të Durrësit. U tregua ashtu siç është, i pangopur, i verbuar. Por NATO-n nuk mund ta mashtrojë kush.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu