Prokurori Staka, i vlerësuar nga KPK, nesër para provës së madhe për t’u bërë pjesë e SPAK-ut!

0

V.O:

Prokurorët që e kanë kaluar Vettingun bëhen automatikisht pjesë e SPAK.

Nga lista e Prokurorëve që kanë kaluar vettingun janë Donika Prela, Vate Staka, Dritan Prenci, Arben Kraja. Por, Donika Prela duket se do ketë probleme, pasi ndërkombëtarët e kërkojnë për rihetim dhe ngjan se nuk do shkojë në SPAK, por në Reç!

Prokurori në prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Vatë Staka, ka aplikuar për të qenë pjesë e SPAK.

Megjithese i kaluar dobët, prokurorja e përgjithshme e përkohshme pritet të thërrasë mbledhjen e prokurorëve, për ta votuar Stakën. Çka do të thotë që automatikisht, prokurori i Shkodrës do të jetë anëtar i Këshillit.

E kundërta mund të ndodhë, vetëm nëse dështon mbledhja e prokurorëve, për shkak të mosarritjes së kuorumit. Burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës deklarojnë se po diskutohet që mbledhja të zhvillohet neser me datë 11 prill e për këtë pritet vetëm urdhri i firmosur nga Arta Marku.

Kush është Vatë Staka?

Prokurori në prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Vatë Staka, i cili arriti të kalonte vetingun në fund të gushtit të 2018-ës, me një nivel minimal sa i përket aftësive profesionale. Sipas vendimit të arsyetuar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Etleda Çiftja dhe Xhensila Pine, prokurori Vatë Staka ka kaluar lehtësisht testin e ligjshmërisë së pasurisë dhe pastërtinë e figurës, por ka marrë një vlerësim minimal sa i përket aftësive profesionale, gjithsesi i mjaftueshëm për t’u konfirmuar në detyrë.

Pjesë nga vendimi i KPK për Vatë Stakën

Rezultati i Rivlerësimit të Pasurisë

Raporti i hollësishëm dhe i arsyetuar i Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), sipas parashikimeve të nenit 33 të ligjit 84/2016

Në përfundim të veprimeve verifikuese të kryera, në përputhje me pikën 5 të nenit 33 të ligjit nr. 84/2016, konstatohet se për subjektin Vatë Staka:deklarimi është i saktë në përputhje me ligjin; b. ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë;

  1. nuk ka kryer fshehje të pasurisë;
  2. nuk ka kryer deklarim të rremë;
  3. subjekti nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesave.

Hetimi administrativ i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për rivlerësimin e kriterit të vlerësimit të pasurisë

Në përfundim të rivlerësimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë, Komisioni arrin ne perfundimin se Subjekti i Rivlerësimit Vatë Staka, ka arritur nje nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë duke shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave, duke paraqitur dokumentacion justifikues ligjor për të provuar ligjshmërinë e këtyre pasurive dhe të ardhurave.

PROCESI I RIVLERËSIMIT TË KONTROLLIT TË FIGURËS

Në përfundim të rivlerësimit për kriterin e kontrollit të figurës, Komisionit i rezulton se për Subjektin e Rivlerësimit Vatë Staka, nga verifikimet e kryera nuk rezultoi të ketë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, e ka dorëzuar në kohë deklaratën për figurën si dhe ka bërë deklarime të sakta dhe me vërtetësi ose nuk ka fshehur kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar

PROCESI I RIVLERËSIMIT TË KRITERIT ETIKO-PROFESIONAL

Në lidhje me vlerësimin e paanësisë për subjektin Vatë Staka për periudhën objekt vlerësimi nuk rezulton të ketë patur raste të konfliktit të interesit dhe papajtueshmërisë për pjesëmarrjen në procedimet penale që i janë ngarkuar, apo të jenë diskutuar cenimi i të drejtave të pjesëmarrësve në proces, apo të grupeve shoqërore vulnerabile. Nuk ka raste për zëvendësimin apo heqjen dorë të prokurorit për arsye të papajtueshmërisë për shkak të pjesëmarrjes në procedim gjatë periudhës së rivlerësimit. Gjithashtu, nuk rezulton se ka hetuar çështje ku ka patur diskriminim apo çështje të barazisë gjinore dhe pakicave

Denoncime

Nga verifikimi në arkivën e Prokurorisë së Përgjithshme nuk rezulton që subjekti Vatë Staka të ketë patur masa disiplinore, apo ndaj tij të jenë depozituar ankesa lidhur me punën e kryer.

Vendimi i KPK

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi u njoh me rrethanat e çështjes, bazuar në provat e administruara, raportin dhe rekomandimet e relatorit të çështjes, arrin në përfundimin se: Subjekti i rivlerësimit, Z. Vatë Staka ka plotësuar së bashku kushtet e mëposhtme: 10 a. ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë; b. ka arritur nivel të besueshëm në kontrollin e figurës; c. ka arritur një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale. PËR KËTO ARSYE, Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, bazuar në pikën 5 të nenit 55 të ligjit nr. 84/2016, pasi u mblodh në dhomë këshillimi, në prani të vëzhguesit ndërkombëtar, Z. Branko Hrvatin, dhe në bazë të nenit 58, pika 1, germa “a”, , pika 1 e nenit 59 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, V E N D O S I: 1. Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Z. Vatë Staka, me funksion prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. 2. Ky vendim, i arsyetuar, u njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit, në përputhje me pikën 7 të nenit 55 të ligjit nr. 84/2016. 3. Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. U shpall në Tiranë, më datë 03.07.2018.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu