Shkruan Flamur Vezaj
Xhevdet Troplinj ose Poja me shok, pasi i dha votat dhe fitoi leje pallati nga pushtetit, tani përfundoi në titujt e lajmeve. Jo se u zbulua ndonjë sekret i madh, thjesht mbaroi puna: u hodh betoni, u morën votat, dhe SPAK vendosi të “kujtohet” se këta ishin në hetim për trafik droge dhe vrasje. Epo, më mirë vonë se kurrë… apo më mirë vonë dhe kot?
Në maj 2024, në operacionin “Revanshi”, u tentua arrestimi i Fatmir Troplinit ose Miri i Pojës, i cili i shpëtoi vet por nuk i shpëtoi dot 3 milionë euro cash të fshehur në kazan plastke! Dhe pastaj? Pastaj… heshtje. Fushatë, mitingje, e mbledhje votash për Arkand Ballën. SPAK? Me sy nga qielli. Prokurorët e “task forcës” gjatë fushatës në Durrës? Elite e drejtësisë me pushime, ndoshta duke bërë planin e rradhës në ndonjë resort të mikut të ndërtuesit Poja!
Po mirë, nuk i kapi SPAK-u duke mbledhur vota, se nuk është se ka radar për atë punë, por nuk mund të pyeste kush i ndihmoi të merrnin leje ndërtimi në Durrës. Ndërkohë që ishin në kërkim për vrasje e drogë? Apo s’duhej prishur marrëveshja me betonin? Dhe Rama, si i jep leje një grupi që e gjen edhe Google-i në një klikim? Ose nuk e pyeti njeri… ose nuk deshi të dijë fare, mjafton që të sigurohen votat në Durrës.
Dhe ndërkohë SPAK na bën “propagand” me hetime e grupe të përbashkëta hetimore, goditje në kohë reale, besim, transparencë… të gjitha me dyllë në vesh kur bëhet fjalë për miqtë e sistemit.
Tre muaj heshtje për të mos prishur “magjinë” e fushatës. E tani? Tani bëjnë konferencë për një operacion që ka përfunduar që në shkurt të 2025. Mos vallë po prisnin të vinin prokurorët italianë të antimafias që të bënin ndonjë foto me “VIP”-in Dumani e spakistet? Apo ndoshta ishin “të zënë” me sfilatat e spoteve elektorale në ambientet e KQZ-Së?
Dhe po, edhe këtë herë provat janë të zakonshmet: telefonata, foto, e biseda nga SKY ECC, që pa të cilat do ishin akoma duke hëngër fara te pallati me xhama dhe duke mbajtur shënime me stilolaps. Të vetmet dokumente që lexohen janë ato të viteve 2016-2022 dhe një dëshmi nga “kushëriri” Dumani, që ka “hapur barkun”, se desh e vranë në një skenar që më shumë i ngjan ndonjë filmi të keq shqiptar se një dosjeje serioze penale.
Po avokati që u arrestua? Kujt i ka ndikuar çështjet, cilit prokuror, cilit gjyqtar? Apo s’duhen përmendur se janë të njohur të Partisë?
E ç’është më tragjikomike: edhe Policia, “partneri i lavdëruar”, kishte marrë njoftim 24 orë para operacionit. Domethënë, as Dumani s’i beson më “forcave të rendit”. Dhe z. Proda, ndoshta është momenti të kuptoni: do ta hani edhe ju me formulën famëmadhe “në emër të dyshimit…”
Dhe për Zotin, mos dilni më në konferencë për operacione të dala boje që prej majit të kaluar, ndërkohë që kriminelët mbanin mikrofonin në fushatë dhe hidhnin themelet në mes të qytetit.
Nëse kjo është drejtësia e re, atëherë urën e keni ndërtuar mirë: lidh krimin me pushtetin, dhe SPAK-un me heshtjen.