Një histori e bukur në “Melja Sallon Bukurie” Gjakovë

0
Shkruan Elinda Dibra
E shkëmbejmë me një kafe në Shkodër?!
Para pak ditësh ndodhesha në Gjakovë, e ftuar për të qenë e pranishme në një aktivitet. E nisur në mëngjes herët nga Shkodra, kërkova një sallon ku mund të sistemoja pak veten. Më sugjeruan një sallon afër bibliotekës. Mjeshtren, që ishte njëkohësisht edhe pronaria e sallonit, e gjeta në orarin e pushimit, teksa bisedonte me bashkëshortin. I tregova orarin kur duhej të paraqitesha tek vendi ku zhvillohej aktiviteti dhe mendova të tërhiqesha që të vazhdonte bisedën e qetë.
Në moment, të dy, sikur të ishin ngacmuar nga një shkëndijë e përbashkët, lëvizën, dhe ajo që kuptova menjëherë ishte se duhej të qëndroja. Bashkëshorti iu drejtua të shoqes: “Shkodrën na e shndrit.” U ula në karrige dhe, me një buzëqeshje të çiltër dhe një pamje diellore, mjeshtria mu drejtua: “A ke ndonjë sugjerim, apo ke dëshirë ta lësh në dorën time?” E qetë, i thashë se “ke dorë të lirë.” Mu deshën vetëm pak momente për të ndjerë amëlcinë e një mëngjesi, të cilën po ma dhuronte një njeri që nuk e kisha parë asnjëherë më parë. Një bisedë e shkurtër për të kuptuar se çfarë mbajnë në shpirt shqiptarët me shpirtin e bardhë.
Biseda u përqendrua te aktualiteti dhe viti ’99. Kur gjithçka përfundoi, e pyeta se sa kushton puna, dhe përgjigja erdhi nëpërmjet dritës së syve të saj. “A e shkëmbejmë,” tha, “me një kafe në Shkodër?” E mësuar me natyrën time të prerë dhe ndikimin e fortë nga prindërit, që shpeshherë ma kanë bërë me dije se të parët tanë i kanë paguar punëtorët pa u tharë djersa, reagova; Në Shkodër, që sot ke një mike, por hakun, të lutem, merre!”
Me plot amëlci dhe dritë në fytyrë, si me pa rregullu motrën, më tha: “Të lutem, mos ma prish.” Nuk reagova më tej. Më shumë se kënaqësia që më dha kujdesi i saj ndaj meje, më gëzoi ajo lidhje që është ruajtur ndër njerëzit e thjeshtë, si dikur në lidhjen e ngushtë Shkodër-Gjakovë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu