Shkruan Zef Ndreka
Kisha kohë që ndiqja me vëmendje krijimtarinë e piktorit Ndue Pepa. Pothuaj në çdo pikturë të re që i palodhuri artist përfundon, të befason me forcën e shfrenuar ekspresive.
Mund të them pa patur aspak dyshim se po e ekzagjeroj, piktori Ndue Pepa është vërtetë një “vullkan”, ku fuqinë mahnitëse ja japin ngjyrat e veçanta duke i shtuar vitalitetin e punëve të tij.
Pikturat e artistit menjëherë të fusin në hullinë e dehjes. Pa pritur sikur hipnotizohesh nga kreativiteti i përdorimit të ngjyrave, ku menjëherë ndjehesh njëherësh në dy botë. Në atë reale dhe imagjinare. Ai gërsheton si një mjeshtër i madh pamjet aluzive me plot motive nga bota që na rrethon, nga bota që ne shohim dhe nga bota si e shikon vetë artisti.
Ndue Pepa është mjeshtri i detajeve, ku duken qartë shenjat dhe format mikro, enkas punë e tij shumë e detajuar por duke i dhënë një tjetër shkëlqim të ndritshëm dhe plot jetë pikturave të tij.
Pikturat e Ndue Pepës duhen lexuar përtej asaj që shihen. Kjo është në të vërtetë forca e artit të tij i cili të merr me vete duke lundruar në botën e tij “të çmendur”. Nga ajo botë, jo vetëm sodit bukuritë, por me artin e tij, piktori na dhuron momente kulmore historike, të pa para, të pa dëgjuara.
Sigurisht, pikturat e Ndue Pepës të bëjnë të ëndërrosh si në përralla, por që më pas dëshiron rikthimin nga realiteti e të rifutësh në domëthenjën esenciale të botës së tij, nga imagjinaria tek realja.
Pikturat e tij edhe pse janë në telajo, kanë jetë, janë plot gjallëri. Ato duket se marrin frymë dhe në çdo rast sjellin kujtime të reja e të largëta.
Ai, ka hapur shumë ekspozita në mbarë botën, nga Europa në Dubai, por edhe në shumë zona të Shqipërisë.
Sigurisht, piktori Ndue Pepa tashmë ka zënë vendin e merituar në shtratin e pikturës së Shqipërisë krahas mjeshtërve të tjerë të nderuar.