Arben Çokaj
Përkthimi i parë në shqip i Komedisë Hyjnore, i shoqëruar me komente !
Kryevepra e Dante Aligerit, Komedia Hyjnore, e cila përbëhet nga 3 pjesë, Ferri, Purgatori dhe Parajsa, po merr formë në një gegnishte të butë, të përkthyer me mjeshtëri nga shkrimtari shkodran, Meritan Spahija, i cili po paraqitet me këtë përkthim cilësor e dinjitoz, edhe si një studiues këmbëngulës dhe rigoroz. Pjesa e parë, “Ferri” sapo e ka parë dritën e botimit dhe unë kam kënaqësinë ta kem në dorë dhe ta komentoj këtu, për kënaqësinë dhe interesin tuaj.
“Ferri” i Dantes nën shqipen e Meritanit, nuk është vetëm përkthim e përshtatje dhe rimë me tre vargje, por është më shumë një komentim i pasur i poezisë danteske, dhe i kohës, njerëzve, ngjarjeve dhe rrethanave, në të cilat u shkrua kjo vepër madhore, me një domethënie e ndriçim të fuqishëm për botën mbarë, nga ajo periudhë e errët e Mesjetës, që po kalonte Europa, nën pushtetin absolut të dogmës fetare, që duket se ia kishte zënë frymën mendimit dhe vullnetit të lirë.
Siç e thekson edhe përkthyesi Meritan Spahija në kopertinën e dytë të librit, Rilindja Europiane nuk mund të vinte vetvetiu, pa këtë guxim, mendim dhe kontribut të avancuar të këtyre njerëzve të dallueshëm e madhështorë, që nuk u trembën nga turra e druve, por gjetën mënyrën e tyre gjeniale të ndikimit racional, përmes artit të tyre suprem e sublim, duke ndezur një dritë në errësirën e kohës. Në Rrëfimin e tij solemn, përthyesi Spahija sqaron se “Rilindja së fundmi asht pikturë, a skulpturë, a arkitekturë, por së pari asht çlirim i mendimit, thyemje vargojsh, dalje nga kallepët e neveritshëm të dogmave mistike, që imponojnë për të vërtetë atë çka skllavëron e ndrydh fjalën…”
Dante Aligeri konsiderohet si “il Sommo Poeta” poet suprem dhe “babai” i gjuhës italiane, dhe së bashku me Petrarkun (Petrarch) dhe Bokaçion (Boccaccio), ata janë tre kurorat e letërsisë italiane të Mesjetës. Komedia hyjnore e tij konsiderohet si një poemë nga më të rëndësishmet e letërsisë madhështore italiane. Prandaj, ky përkthim i ri i Meritanit, edhe pse jo i pari për Komedinë e Dantes në shqip, ka rëndësi të veçantë dhe përbën edhe një risi kulturore, pasi është i pari përkthim në shqip, i shoqëruar me komente të plota, për lexuesit, studentët dhe studiuesit shqiptarë, që ta kuptojnë më mirë poezinë e Dantes dhe atë që Dante deshi të thoshte përmes vargjeve në kohën e tij, gjë që ka vlerë universale, ka vlerë edhe sot!
“Ferri” i Dantes nën përkthimin dhe komentet e gjata studimore të Meritanit, është një libër voluminoz me 904 faqe. Përkthimi është cilësor dhe mjeshtëror, dhe përmban shumë pak fjalë të huaja apo barbarizma e turqizma, të cilat nuk kanë qenë e mundur të shmangen në përkthimet e mëparshme. Prandaj kjo përbën cilësi në këtë vepër, që ia ka konsumuar një pjesë të madhe të energjive përkthyesit në fjalë, në rreth 8 vjet punë të vazhdueshme.
Përkthyesit, siç shihet, i duhet të bëjë kompromise gjuhësore, për të dhënë kuptim, duke ruajtur edhe rimën me tre vargje. Të përkthesh një poezi, duhet të jesh poet, ndërsa të përkthesh Danten, duhet sipas Umberto Ekos të jesh interpretues i mirë i gjuhës italiane:
Nuk mund ta përktheni Danten, në asnjë gjuhë,
para se të merrni një vendim
interpretues për tekstin italisht – Umberto Eco
Sa më e mirë dhe e pasur të jetë gjuha e përdorur në një tekst origjinal, për më tepër poezi, aq më i vështirë është edhe përkthimi i tij. Prandaj duhet vlerësuar puna e madhe, që ka bërë Meritani në vite, për të ardhur deri te ky produkt, përkthim dhe komentim i një vepre madhore të shkruar në italisht, me terma e fraza të vështira, nga një poet i madh i shekullit 13-të. Nuk ka qenë aspak e lehtë, padyshim, por rezultat i një pune të fisme, ky përkthim i arrirë e me komente, si dhe botimi i kësaj vepre cilësore, që do t’i rezistojë kohës, pasi është një referencë e mirë në shqip, që lë gjurmë. Ky duket se ka qenë edhe pasioni dhe synimi i Meritanit, i cili vendosi në një moment, që t’ia kushtojë një pjesë të jetës së vet, përkthimit të kësaj kryevepre botërore.
Kanga I e Ferrit fillon me vargjet:
Në kulm të udhëtisë së kësaj jetë
u gjenda mes një pylli zhytë n’errsi
se lanë e kisha rrugëtinë e drejtë.
Ja se si e përshkruan Meritani, njohjen e tij në moshë para-adolishente me veprën e Dantes, Komedia Hyjnore:
“Lexova titullin: La divina commedia. Titulli nuk më thoshte asgja. Dante Alighieri. As autori. E hapa dhe lexova këtë:
Nel mezzo del cammin di nostra vita
mi ritrovai per una selva oscura,
ché la dirita via era smarrita.
Në mënyrë krejtësisht intuitive e si të kisha lexue një parathanie, trupin ma përshkoi një e përqethun…” – shkruan përkthyesi.
Kështu filloi, pastaj u harrua për ditë të tëra në leximin në italisht të këtij libri të “marrë pa leje” dhe u dashurua me të, sa më vonë filloi edhe ta përkthente…
Dy faqe nga libri, për të ilustruar poezinë e përkthyer, dhe komentet që duket qartë se zënë pjesën dërrmuese të librit. Por edhe gjuhën e përdorur gjatë përkthimit e komentimit.
I nxitur nga dëshira për liri, si Dante në kohën e tij, me ardhjen e demokracisë dhe krijimin e mundësive të reja, për t’u shprehur më lirshëm, Meritani ka zgjedhur, që jo vetëm poezinë e Dantes, që tingëllon në përkthim më mirë gegnisht, por edhe komentet e tij, t’i bëjë në një gegnishte të butë. Kjo ka edhe kufizimet e veta, pasi mund të shikohet me syrin e “njerkës” nga fanatikët e gjuhës letrare shqipe, pavarësisht se në fakt, gjuha e përdorur në përkthim qëndron diku në mes, nuk është e pakuptueshme aspak, edhe për ata shqiptarë, që mund të mos e njohin gegnishten. Përkundrazi, është një pasuri për ta.
Duke përmendur termin gegnisht, ne japim gabimisht një konatacion të gabuar. Dhe dikush mundet ta marrë këtë edhe si pengesë gjuhësore. Duhet marrë libri në dorë, dhe duke e parë dhe lexuar, e kupton se gjuha e përdorur në përkthim nga Meritani, si dhe komentet e tij në libër, që zënë pjesën më të madhe të volumit, janë të kuptueshme për çdo lexues të vëmendshëm. Por megjithatë, nëse kjo shihet si pengesë, ndoshta autorit do i duhet në një moment, që këtë “gegnishte të butë” ta “zbusë” edhe pak, që ta shqipërojë në gjuhën letrare, për të kapur një numër më të madh lexuesish! Kjo varet edhe nga interesimi, që vepra e sapobotuar do të ketë në të ardhmen.
Meritani më ofroi 50 libra të botuar, me gjysëm çmimi, për shitje online, për lexuesit e “Fjala e Lirë” dhe “Shkoder.net…“. Kështu që ju që dëshironi ta keni këtë libër në bibliotekën tuaj, këtë vlerë të çmuar të letërsisë botërore, nën një përkthim të mirë në shqip, mos hezitoni, mund ta blini edhe këtu online, me gjysëm çmimi!