Elisa Spiropali mbështet veprimet e SHBA në Venezuelë me një mesazh hipokrit, pasi Edi Rama vetëm hesht

0

Qeveria shqiptare ka reaguar përmes ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, lidhur me sulmet ajrore të SHBA-së në Venezuelë dhe arrestimin e presidentit Nicolas Maduro.

Në një reagim në rrjetin social X, Spiropali shprehet se Shqipëria qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara dhe veprimeve të tyre, duke theksuar mbështetjen për përballjen e qeverisë amerikane me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale.

“Ne mbështesim lidershipin e fortë të Sekretarit të Shtetit Rubio në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale”, shkruan Spiropali.

Por deklarata e ministres duket si hipokrizia e radhës. Të shfaqesh si mbështetëse e zjarrtë e luftës kundër autoritarizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar presupozon, së paku, të jesh pjesë e një qeverie dhe një vendi që i lufton realisht këto fenomene dhe nuk identifikohet me to.

Në fakt, Spiropali është pjesë e një qeverie që hetimet e SPAK-ut po e nxjerrin gjithnjë e më të përfshirë në afera korrupsioni. Një qeveri me një kryeministër që, në disa raste, ushtron pushtet edhe mbi institucione që me ligj janë të vetëqeverisjes vendore. Paralelisht, hetime dhe raporte ndërkombëtare e kanë identifikuar Shqipërinë si një nga nyjet e trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa raste të përsëritura kanë përfshirë edhe zyrtarë shtetërorë apo deputetë të mazhorancës të lidhur me krimin e organizuar.

Në këto kushte, ndoshta mjaftonte që ministrja Spiropali në mesazhin e saj të kursente detajet në entuziazmin e zjarrtë për të mbështetur veprimet e SHBA-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu