Me sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, prokurorët e SPAK nuk ndalin djegien e plehrave, sepse kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, por kanë ndalur “djegien” e parave që paguheshin për gjoja djegien e plehrave. Shumat e parave të paguara deri tani nga buxheti i shtetit janë marramendëse.
Qytetarët e Tiranës paguajnë 29 euro për një ton të groposjes së plehrave. Pagesa është e lartë sepse llogarit kostot sikur plehrat digjen dhe sikur në Sharrë prodhohet energji, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë.
Që nga fillimi, pagesat progresive për të tre inceneratorët, Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, kapin vlerën totale 11 miliardë lekë ose (103 mln euro) deri në fund të qershorit 2023, sipas të dhënave zyrtare nga Thesari i Ministrisë së Financave që janë raportuar nga “Open Data Albania”.
Financimi progresiv për inceneratorin e Tiranës ka arritur deri në fund të qershorit te këtij viti 5,6 miliardë lekë, ose “52.6 mln euro”.
Disa muaj më parë, kur gazetarët e pyetën se përse nuk e sekuestronte inceneratorin, për të ndalur paratë që paguheshin, kreu i SPAK, Altin Dumani u përgjigj se nuk ishin identifikuar ende pronarët realë të inceneratorit. Një ndërhyrje e prokurorisë mund të kishte kosto në arbitrazh, sqaroi ai.
Por dosja për Arben Ahmetajn i ka dhënë përgjigje shumë enigmave mbi inceneratorin e Tiranës. Që në fillim, pas kësaj afere kanë qenë të njëjtët njerëz, Lefter Koka, Arben Ahmetaj, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri etj. Gjatë procedurave shtohet edhe Erjon Veliaj që e nxit projektin edhe duke firmosur vetë një dokument kontrovers.