Dy kongresistet e Nju Jorkut i shkruajnë Trump-it për një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës

0

Shkruan Beqir Sina New York

Dy kongresistet e Nju Jorkut i shkruajnë Trump-it për një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës. Nga Beqir SINA – New York

Përfaqësuesja republikane e Nju Jorkut, Claudia Tenney, dhe kongresistja demokrate Chrissy Houlahan i dërguan një letër dypartiake Presidentit Donald Trump, duke e inkurajuar të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje mes Beogradit dhe Prishtinës, raporton Newsmax TV nga Nju Jorku.

Në letër, të cilën Tenney e publikoi edhe në platformën X, kongresistet theksuan se ky është një “moment unik në histori” ku Presidenti Trump dhe administrata e tij mund të krijojnë paqe të qëndrueshme mes dy palëve, të cilat janë strategjikisht shumë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Ato shtuan se të dyja palët, Serbia dhe Kosova, dëshirojnë lidhje më të ngushta me SHBA-në dhe besojnë tek aftësia e Presidentit Trump për të ndërmjetësuar një marrëveshje të përhershme.

“Udhëheqëja e jashtëzakonshme e Presidentit Trump në Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020 dhe Marrëveshjet e Abrahamit tregoi se çfarë është e mundur,” tha Tenney, e cila është kryetare e Grupit të Kongresit për Serbinë.

Ajo ftoi Trump-in të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën, të nisë bisedime direkte dhe të punojë për një marrëveshje normalizimi.

Kongresistet i bënë thirrje Trump-it të shfrytëzojë “ndikimin e tij të qartë në rajon” për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje normalizimi mes Beogradit dhe Prishtinës, e cila do të kontribuonte në stabilitetin rajonal.

Ato theksuan se Ballkani Perëndimor është një rajon kritik në botë, shpesh i anashkaluar, por me pasoja të mëdha, pasi jostabiliteti në këtë rajon mund të jetë pararendës i konflikteve globale.

“Ballkani Perëndimor është porta mes botës perëndimore dhe lindore. Si Serbia, ashtu edhe Kosova, kanë qenë prej kohësh aleatë të fortë të SHBA-së, duke bashkëpunuar me forcat tona të armatosura dhe agjencitë e inteligjencës.

Megjithatë, marrëdhëniet e tensionuara mes Serbisë dhe Kosovës kanë shkaktuar një efekt zinxhir jostabiliteti në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ne besojmë se një marrëveshje paqeje dhe njohje e ndërsjellë mes tyre mund të shërbejë si katalizator për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm dhe paqësor,” deklaruan kongresistet, sipas raportimit të Newsmax TV nga Nju Jorku.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu