Ish-shefi i qarkullimit në Vlorë, aktualisht oficer i policisë kufitare në Dibër, Ardian Isufi është pezulluar nga detyra, për shkak të përfshirjes së tij në një incident në një lokal në Vlorë, ku dhunoi me grusht një kamarier.
Burime nga vendngjarja dhe pamjet filmike tregojnë se ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, Ardian Isufi, së bashku me Leart Bimon, person me precedent të rëndë penal, kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj një kamarieri të ri, vetëm pse ai kishte çuar në tavolinë një shishe uji më shumë se porosia.
Sipas dëshmitarëve, Isufi është parë teksa i afrohet kamarierit në mënyrë kërcënuese, ndërsa më pas, Leart Bimo e sulmon fizikisht disa herë, duke rrezikuar seriozisht jetën e të riut. Dhuna është kryer në sy të klientëve të cilët, janë larguar nga lokali të tmerruar nga skena.
Ndërkohë, i riu ka bërë kallëzim në polici dhe është marrë në pyetje nga blutë e Vlorës, bashkë me punonjës të tjerë të hotelit e dëshmitarë.
Sipas tij, debati ka nisur që në tavolinë, ku Isufi dhe Bimo kanë pretenduar se kamerieri u ka dërguar një shishe ujë tepër. Aty ata kanë nisur ta ofendojnë më pas e kanë ndjekur nga tavolina deri në banak ku ushtuan edhe dhunën.
Reagim i Policisë së Shtetit
Pezullohet nga detyra një oficer policie i përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës
Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:
-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;
-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.
Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.
Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur të reagojë me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon besimin e qytetarëve. Ajo fton qytetarët të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e saj, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe konform ligjit.