Çmimi i drithit të importuar ulet 42%, por buka vazhdon të mbetet e shtrenjtë!

0

Një kilogram drithëra nga importi në mars 2024 kushtoi së paku 42 për qind më lirë se në marsin e vitit të kaluar (referuar sasisë së importeve dhe çmimeve të drithërave nga doganat), por në tregun e brendshëm, buka dhe produktet e brumit shënuan rritje të mëtejshme të lehtë gjatë muajit mars, raportoi INSTAT.

Të dhënat mbi inflacionin tregojnë se, çmimi i bukës dhe drithërave në vendin tonë u rrit në muajin mars 2024 me 1.5% më shumë se në marsin e vitit 2023.

Ky shembull tregon se tregu shqiptar nuk është elastik ndaj ndryshimeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Kur çmimet rriten, ato reflektohen menjëherë në tregun e brendshëm në një masë më të lartë se tregu ndërkombëtar, por kur uljet ndodhin, ato nuk reflektohen.

Në vitin 2022, çmimet e bukës e drithërave u rritën ndjeshëm me 20% si rrjedhojë e shtrenjtimit të grurit nga sulmet e Rusisë në Ukrainë. Më pas Çmimet kanë vijuar të rriten sërish, ndonëse me ritme më të ngadalësuara, ndonëse tregu global u qetësua. (shiko grafikun e inflacionit).

Prodhuesit e bukës ankohen vazhdimisht për rriten e kostos në tregun e brendshëm për fuqinë punëtore sidomos, por çmimet e lëndës së parë që krijojnë koston më të madhe të aktivitetit janë përgjysmuar.

Importuesit përveç rënies së çmimeve në tregun ndërkombëtar janë duke u favorizuar edhe nga rënia e euros që ka çuar në rritje ekstra të fitimeve të tyre.

Çmimet e ulëta të drithit kanë rritur importet gjatë tremujorit 2024. Grosistet janë duke kryer furnizime me çmim të lirë, por nga konsumatorët nuk janë duke përfituar. Tregjet e vendit vuajnë nga rregullimi dhe mbikëqyrja si në drejtim të çmimeve dhe sigurisë ushqimore.

Vitin e kaluar u importuan 287 mijë tonë drithë, me rritje vjetore 19%. importi i drithërave ka qenë në ulje gjatë dekadës së fundit, për shkak të tkurrjes së popullsisë dhe plakjes së saj.

P.sh., në vitin 2023, importet e drithërave ishin 21% më të ulëta se në vitin 2020. Por vitin e kaluar importi i këtij produkti u ringjall, pas një rënie të mprehtë në vitin 2021, ku pati shumë prodhim vendas nga frika se lufta në Ukrainë mund të sillte mungesa në tregjet ndërkombëtare.

Mbjellja e grurit u rrit në vitin 2021, e nxitur edhe nga qeveria, por kur nisën korrjet, çmimet në tregjet ndërkombëtare ranë aq shumë, sa një pjesë e madhe e prodhimit vendas mbeti stok në magazina, ose shkoi në vete- konsum, duke sjellë rënie të importit.

Por këtë vit importet e drithërave janë rigjallëruar edhe më shumë, për shkak të çmimeve të lira dhe pritjeve për rritje të konsumit për shkak të rritjes së numrit të turistëve./ Monitor

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu