Edhe kur dekorohet një e akuzuar, me dosje të trashë, edhe kur dyshi i partisë në pushtet, Taulant Balla del në përgjime dhe nga të penduarit si porositës i vrasjes me pagesë të avokatit Ravik Gurra, lajmet eklipsohen, krijohet mjergull.
Retë e zeza per hajdutët, na “ndriçohen” nga ata që duhet të ishin kundër hajdutëve.
Bëhet lajm i bukur një medalje që i bie ndesh një dosjeje të drejtësisë dhe një deklaratë si tingull mbi një teneqe të ndryshkur për transparencë në zgjedhjen e kreut të SPAK-ut.
Po cili është lajmi?
Ja rihapja e dosjes së avokatit Ravik Gurra, i vrarë në ”shkretëtirat” e qytetit të Elbasanit ditën për diell, mes njerëzve dhe kamerave dhe fikjes së radarëve të NATO-s për trafik droge në bregdetin e Adriatikut dhe Jonit me urdhër ministror.
Po të qe “sëmundja” kaq, do luftohej me medikamente të lehta.
Në media ka edhe zëra që guxojnë, edhe që rrahen e vriten, e prapë shkruajnë. E keqja është në palcë të sistemit, ndaj ende kanë frikë “vaksinën”. Të gjithë shtiren e të gjithë janë bashkë kundër drejtësisë; me qeveri, mafie, diplomatë dhe opozitë.
Këta, megjithëse të “sëmurë” e të urryer, ditët i jetojnë si sheikë, si themi këtej nga fshati ynë, si “eshka” në dhjamë.
Për vetëmbrojte, qëllojnë lajmin dhe ligjin.
Dy lajmet më të zeza, sillen e mbështillen si të bardha.
Media, akuzën për një Taulant politikan i lartë, porositës vrasjesh me pagesë, e zbehë, e bën gati të padukshme, kurse medaljen e Mimi Kodhelit e lan e shplanë me “flori” nga ai i thesarit të shtetit që dihet kush e ka grabitur dhe e ka varë në kalendar të sukseseve të Shqipërisë.
Perdja e skenës është grisur.
Luajnë aktorë të vjedhjeve 32 vjeçare dhe audiencë kanë viktima. Këta të fundit barkun dhe shpresat bosh, po sytë dhe “pirunin” sikur e kanë ngulur secili mbi “Peshkun” e vet. I duan aty, në tepsinë e drejtësisë Salitë, Ilirët, Edët, Fatosët, Fatmirët, Taulantët, Arbenët, gjithë hajdutët.
Po, të tërë njihen për hajdutë, të tërëve u lakohet emri në dosjet e mëdha të krimit e korrupsionit.
Ja, mos shkoni fare në SPAK, tek dosja e trashë e tyre, por vetëm klikoni në Google dhe mjafton. Kjo e dekoruara, ka fikur radarët e NATO-s me 10 000 dollarë ora, sa herë mafia do kalonte drogë nga Shqipëria në Iltali dhe Greqi.
Që të mos jemi të gjithë me mafien, SPAK-u këtu duhet mbështetur, apo jo?
Ore, që ne kemi të drejtë, është si një e një bëjnë dy, por edhe ambasada amerikane, edhe NATO ka të drejtën e vet të mos klikojë as në Google, as në interesat tona, po të paktën të mos mendojnë që idiotësia pranohet nga populli shqiptar. Ata i nxjerrin gjuhën, e përçmojnë deri në neveri, këdo u vjedh pasurinë dhe lirinë.
Pra gjumi për ngjarje të mëdha dhe ‘sytë dac’ në vogëlsira pa asnjë vlerë publike, nuk ju siguron komunikim me njerëzit e vjedhur, por me mafien.
Në rastin e Taulantit, kemi doket tona dhe fjalët e urta sa historia. Nëse në të drejtën zakonore romake shkruhet se “gjëja e vjedhur herët apo vonë, kthehet tek i zoti”, në urtësinë tonë popullore e dimë se “plumbi nxirret me plumb”.
Edhe dekorata e Mimit rri në një raft historik.
Në këtë “sirtar” me shirit të kuq të mbyllur, mafia ambasadorja, media, qeveria dhe opozita, rrinë roje nderi, të mos ua prek drejtësia.
Ja, ta diskutojmë të qetë:
Ata që ndihmuan kolegun tonë Kastriot Myftaraj të rrëzohej nga kati i katërt dhe ata tek “Elbasan Street” e kanë mbështetur Mimin t’i ngrejë këmbët shkallëve të karierës, deri në postin e nënkryetares së Asamblesë Parlamentare të NATO-s
Se asgjë nuk vjen nga asgjëja.
Pra, duhet veprim. Ja të niset sot SPAK në Gji të Lalzit, Kodrën e Diellit, tek çdo zyrtar dhe ish- zyrtar, se me rroga anemike 30 dollarë dita, s’ka të pasur, kapet “peshk” madh, edhe pa grep.
Kapni paratë e pronat, apo shkruani ju shkruani, kujt i plasi?
Vërtetë deri sot kështu ka ngjarë; Adriatik Llalla më i varfër se Arben Kraja e Beni me i pafajshëm se ai pas tij. Se kështu po punohet me zell.
Se është skandal ky medalioni në ditët e Sesionit Vjetor të Asamblesë NATO-s, që mbron edhe nga SPAK-u ish ministren. Ec e preke, të nxjerr dekoratën kjo!
Edhe Tauluanti, të nxjerr Bablokun, ec e arrestojeni po ua mbajti?
Këto janë krime të kryera dhe i di kushdo.
Meqë është kështu, meqë shqiptarët jetojnë në mes të Europës e s’janë bagëti, shihe njëherë, mos është më mirë të flasësh se të heshtësh, zonjusha ambasadore?
Historia është nxirë sot, prandaj duhet të flasësh që të mos “trashen” dyshimet dhe akuzat, se ne këtu do të jemi, pullë poste në çdo kostum zhele-zhele të drejtësisë dhe ligjit.
Pra, në emër të audiencës përcjellim shqetësimin e ditës:
Disa kanë një pyetje, Ambasadore, akoma nuk të paskan lajmëruar se Taulanti akuzohet për vrasje?!
Por të tjerë, shumica kanë një mesazh: Ambasadore, Taulanti akuzohet për vrasje, duhet të flasësh!/Pamfleti