Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka ndarë deklaratën e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, ku thuhet se ka prova që Rusia ka marrë dronë nga Irani, gjë e cila është në kundërshtim me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB.
Në deklaratë thuhet se dronët po përdoren për të goditur civilët ukrainas dhe infrastrukturën civile, ndërsa theksohet se SHBA nuk do të hezitojë të sanksionojë Rusinë dhe t’i ofrojë mbështetje Ukrainës.
DEKLARATA:
Sot, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës në ngritjen e çështjes së transferimit të UAV-ve nga Irani në Rusi në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku anëtarët e Këshillit morën informime ekspertësh nga Sekretariati i OKB-së mbi raportet e transferimit të këtyre armëve të rrezikshme. . Ne shprehëm shqetësimet tona të rënda për blerjen nga Rusia të këtyre UAV-ve nga Irani në kundërshtim me rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Shtetet e Bashkuara filluan të paralajmërojnë në korrik se Irani po planifikonte të transferonte UAV në Rusi për t’i përdorur në luftën brutale të Rusisë kundër Ukrainës dhe tani kemi prova të bollshme që këto UAV po përdoren për të goditur civilët ukrainas dhe infrastrukturën civile kritike. Ndërsa Irani vazhdon të gënjejë dhe të mohojë ofrimin e armëve Rusisë për përdorim në Ukrainë, ne jemi të përkushtuar të punojmë me aleatët dhe partnerët për të parandaluar transferimin e armëve të rrezikshme në Rusi. Ne nuk do të hezitojmë të përdorim sanksionet tona dhe mjete të tjera të përshtatshme për të gjithë të përfshirët në këto transferime. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të shtojmë ndihmën e paprecedentë të sigurisë për Ukrainën, duke përfshirë aftësitë e mbrojtjes ajrore, në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet nga këto armë.