Yuri Kim, kërkon me detyrim në tavolinë një “menu” me gatime peshku

0

Ata që në dy vjet ishin superiorë, u tërhoqën në pak minuta, për t’u bërë sërish superiorë, tashmë jo mbi teatrin, por mbi rrënojat e tij.

Shkruan Sokol Pepushaj

Pse ambasadorja amerikane Yuri Kim takon vetëm për vetëm Edi Ramën dhe pse në të njëjtën kohë, Lulzim Basha raporton para ambasadorëve të BE-së, kundër Edi Ramës?

Rama, me hilenë e vjetër tërhiq e mos këput, po synon të shtyjë pranverën e prangave për hajdutët, po vizaton portretin e zbehtë të opozitës që pëngon arrestimin e peshqve të mëdhenj, duke kërkuar me frymë fashiste për mosbinje civile rrënojave të një godine të kohës së Duçes, këtu në Tiranë.

Basha, duke i numëruar ditët qeverisë së korrupsionit, raporton para të mëdhenjve të Europës:

1- Shqipëria po bën hapa mbrapa. Kriza po thellohet prej veprimeve të javëve të fundit. Po e largojnë Shqipërinë nga Evropa. Opozita mbetet e përkushtuar për ecje në rrugën e integrimit evropian dhe për plotësimin e kushteve.

2- Pasi Rama kërkon që edhe në kohë pandemie, t’i çojë lekët diku tjetër. 7 në 10 familje shqiptare janë në humnerë ekonomike. Nuk ka asnjë mbështetje simbolike. Në tërësi është një situatë shumë e vështirë, si në aspektin bazik për të varfërit por dhe tek biznesi që po falimenton. Bizneset prodhuese janë në vështirësi.

Po si është e vërteta?

Koronavirusi nuk e shtyu dot pranverën e “peshqve të mëdhenj”, nuk i largoi dot prangat, pasi presidenti Donald Trump shkatërroi edhe projektet virusiane me të njëjtin guxim e ashpërsi, si ato të komunistëve parazitë të kësaj toke.

Peshqit nuk kanë asnjë vrimë tjetër ku të fshehen nëpër myshqe. U erdhi dita të tiganosen.

Janë zbehur shumë shpresat e çdo hajduti për punë efektive për rrëmujë, përplasje civile, viktima.

U paguan nga djersa e popullit fukara për rreth 2 vjet, shumë roje teatri, thjeshtë për një shfaqje me prapavijë politike. Aq shumë u konsumu energji njerëzore, aq shumë orë pune , aq fort u tëndosën nervat, sa askush nuk pyeste, more këta aktorët a paguhen për të luatur në skenë, apo për të protestuar me skenar politik, duke mëkuar urrejtje dhe ndarje të forta sociale.

E gjithçka sfumohet në pak minuta.

Edhe për kamikazët investojnë shoqëritë. Janë dhjetëra vite shkollë, libra, gjuhë të ndryshme, përgatitje gjeniale artikuluese, ushtarake, fizike, gjeopolitike, xheniere, dhe, për çfarë?

Për 10 sekonda që “trimi” u shpjegon studentëve se si hiqet një siguresë bombe, se si vdesin disa qafirë dhe si shkon dëshmor në amshim.

Shpërblimi për sakrificën merret në Xhenet. Atje e presin 72 virgjëresha dhe e 73-ta është gruaja e tij e kësaj bote, që kënaqet se burri i ka kaq shumë virgjëresha!

Sakrificat janë hiçgjë për kamikazët politikë që gjejnë budallenj e sehirxhi për krehje bishti.

Edhe këta i kanë minimale kërkesat për jetën tokësore. U mjafton pak bukë për zorrën, një pëllëmbë fitil për tymçe në fejsbuk, dhe një bisedë në telefon me kryeministrin. Pastaj të nesërmen kapardisen tek kafeja e lagjes apo fshatit dhe flasin për shoqërinë që kanë me të gjatin, për drogën, për vëndet e punës, për tenderat, për lëvizjet e mëdha të ambasadorëve, drejtorëve apo pastrueseve nëpër shkolla…

Se është kjo tollovi, ende nuk po pyet dikush, si mundet që një fadromë e vetme me ca policë, të shkojnë dhe t’u thonë rojtarëve të teartit; Largohunë një çikë sa ta shëmbim këtë “kaçorrin”.

Aktorët, që medemek prej vitesh ja kishin bërë dializën jo me frikë, por me panik Ramës, Veliajt dhe gjithkujt do guxonte të prekte një tulle teatri, u larguan pa lënë në rrënoja asnjë jetë dhe pa qëlluar as fadromën as policinë.

Ata që në dy vjet ishin superiorë, u tërhoqën në pak minuta, për t’u bërë sërish superiorë, tashmë jo mbi teatrin, por mbi rrënojat e tij.

Në ballë të Aleancës për mbrojtjen e teatrit po prinë Lulzim Basha. Sapo nisi rrugëve të Tiranës mbledhja e firmave për ngritjen e teatrit, siç ishte para shëmbjes! Pra, sipas ligjit, duhen 50 000 firma që përdoren si peticion në kuvënd dhe çështja pastaj kalon në referendum popullor.

Të tërë janë të zëmëruar, gati të çmëndur në këtë kohë pandemie që trimërisht po shpërfillet.

Kamikazët, sa jetojnë, jetojnë si superiorë, por edhe në Xhenet superiorë vejnë. A nuk i presin atje 72 virgjëreshat?

Ata vdesin, duke mënduar se edhe në ishin viktima të kësaj bote me halle, janë heronj, janë të fituar.

Edhe në politikën tonë kështu ngjan. Edi Rama dhe Erion Veliaj edhe kanë të drejtë, edhe janë viktima, edhe janë të fituar.

Ishin të obliguar t’ja hiqnin siguresën ligjit të forcës dhe të shpërthenin me forcën e ligjit të Sandër Lleshit mbi konturet e teatrit.

Kanë një projekt me vlera që e përshëndesin shumica përfaqësuese e qeverisjes së 1 000 000 votave. Nuk kishin arsye të tërhiqen nga presioni i një pakice qafirësh neveritës, Nuk mund të kërcënohej me shkopinj të kalbur makina e Sandër Lleshit, fytyra e të cilit është virgjëria e policisë së shtetit.

Edhe aktorët roje teatri e roje rrënojash kanë të drejtë. Janë edhe viktima, edhe të fituar, besojnë tek e bukura virgjëreshë.

Ata, po sakrifikojnë, po ja numërojnë dhëmbët e çakërdisur dhe po ja matin forcën goditëse të grushti e shqelmit, çdo polici arrogant të Sandër Lleshit.

Po krahas viktimizimit, ata janë edhe heronj. Siç ishin të ngujuar në teatër, zotër për mbi 2 vite, tashmë po me këtë zell e guxim, po ruajnë vlerat e rrënojave, hirin e kumtit. Nëse deri para katër ditësh nuk do lejonin shëmbjen e teatrit, tashmë nuk do të lejojnë ndërtimin e teatrit, por edhe po mbledhin firma ta ngjallin prapë teatrin e rrënuar nga Erion Veliaj, i cili me patjeter do të jetë “kokë turku”. Nuk e themi ne, e ka paraparë vetë Rama kur tha se Erioni do ta zgjedhë vetë një nga pemët që ka mbjedhur. Në më të bukurën mund të lidhë litarin e të varet aty.

E ka thënë Rama dhe e ka dëgjuar edhe Erioni.

Meqë jemi duke mbledhur firma për të dënuar Erion Veliajn, po rrogën, se nga taksat e popullit paguhen, a vazhdojnë ta marrin këta aktorët?

Normalisht që po. Rrogë marrin pa hesap në këtë shtet rrumpallë gjithfarë mileti. Mjafton të ishe pak dite deputet e paguhesh gjithë jetën, mjafton të ishe pak ditë në shtet dhe merr asistencë një vit, mjafton të jesh mitingash, sa për numër, që të veshë tek Rama kur ka nevoje Rama dhe tek Basha kur ka nevojë Basha. Edhe për kaq paguhesh nga taksat në një bashki apo ndërmarrje, pa e ditur se ç’punon.

Po opozita ç’bën e nga kullotë?

Njëlloj si qeveria dhe aktorët. Edhe opozita është edhe viktimë, edhe e fituar.

Është viktimë, pasi shteti hajdut dhe fashist i Edi Ramës, ka sulmuar befasisht, në 4:00 të mëngjesit, kur aktorët po bënin një sy gjumë, dhe ka shëmbur godinën e teatrit, duke prishur balancat e presionit mes dy epokave, të Sali Berishës dhe të Edi Ramës.

Berisha nuk i bënte punët natën si Rama. Ai, në mes të ditës, griste edhe urdhër-arrestet e prokurores së përgjithshme dhe nuk i lëshonte miqtë, siç po bën Rama me Erion Veliajn.

Është fitimtare opozita, pasi frymëmarrjen e dobët të qeverisë, nuk e normalizon as tampon i Pëllumb Piperos. Ka rënë perdja e melodramës së rilindjes dhe në skenë Edi Rama do të nxjerrë “gjumashin” Lulzim Basha.

E shikoni që opozita ka hequr dorë edhe nga protestat?

Ne do jemi atje ku protestojnë aktorët, atje ku proteston shoqëria civile, atje ku proteston populli, por nuk do tërbohemi ne, shumë shumë firma po mbledhim, si në 2004 Berisha me peticionin: Nano ik!

Pra, nuk do të konsumohet fare opozita. Do të jetë aty, në rolin që ishte kjo qeveri kur ishte në opozitë.

Çdo histori e këtyre 28 viteve, ka historinë e dukshme dhe historinë e fshehtë.

Jo vetëm sistemit të vjedhjes por edhe glorifikimit të pasurisë pa justifikim, po i vjen fundi.

Kjo e vërtetë, ka bërë që të gjithë të jenë të detyruar para ndërkombëtarëve të bëjnë të ndershmin, edhe pse dejeve u pulson vetëm hajni e krim.

Pra, përmbysja e madhe e epokës 30 vjeçare, do të duhej të besohej se ka dy kundërshtarë në bejleg, hajdutët dhe qeveritarët.

Pikërisht se duhej të ishte kështu, nuk është kështu.

U ka ecur fati deri tashti, pasi për fat të tyre, kjo “rrotë” fati, nuk u shpik nga politikanët rrota të Shqipërisë.

Përputhjet dhe mospërputhjet e sotme, aktorët e teatrit dhe kulturës, aktorët e politikës, të rrugës dhe rrugicave, kanë regjosor Ramiz Alinë dhe Sali Berishën.

28 vjet më parë, ata ndanë ç’farë ndahej.

Ndanë turmat. Majtas, djathtas, në qëndër, në rrugë, poshtë rrugës, sipër rrugës, në mal, në kodër, në fushë, në teatër, në diplomaci, në komuna e komunitete, në parlament, në tendera, në sahanë e tepsi…

Ca barinjve besnikë, u jepen çakshirë e kozhunë, shkopinj dhe stane, kusi e tepsi. Sali Berisha, Fatos Nano, Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Vangjel Dule, ndajnë gjënë e gjallë nëpër tufa me projektin t’i përdorin për mbarë e mrapsht dhe t’i nxjerrin tregjeve sa herë ka votime, apo sa herë turmave t’u bëjnë zorrët gërr-gërr.

Në këtë oaz politik të dyshueshëm, njeriu dhe natyra, kështu funksionojnë. Vëndosen ca kalendarë e ca stinë, që të kenë hapësirë vetëm për përshtatshmëri e nënshtrueshmëri.

Ja, në mitologjinë norvegjeze, një vajzë e bukur dhe e zgjuar, Soli, e njohur edhe si Sunna, u bë perendeshë e diellit, ndërsa vëllai i saj Mani, u bë perendia e hënës.

Pra, e ndanë gjënë mes vetes. 4 klanet mafioze që kontrollojnë 20 familjet kriminale në Shqipëri, asgjë më shumë se kanë ndarë gjënë mes vetes, nuk kanë bërë.

Ngjashmëritë e zakonshme të legjendave dhe qeverisjet e jashtëzakonshme të dishepujve, janë në maja të veta.

Në maja, në zhvillim?

Jo, në majat kokëposhtë. As legjendat nuk mund të ruajnë sekrete, as hajdutët e grabitësit nuk mund fshehin pasuri.

Nuk e bëjnë dot, se jemi në botën e internetit, ku ta kap zholin një tip “bubazheli” që ti as nuk e njeh, as nuk ja din emrin.

Armata e hajdutëvë shqiptarë, sot është në telashe.

Në mes të varfërisë dhe grabitjet së pasurisë së shqiptarëve, Edi Rama sot ngjan se gëzon pendesën e gati gjithë shqiptarëve, për votën e shkuar dëm. Po kaq fuqi mosbesimi ka thithur edhe kryeministri në Hije, Lulzim Basha.

Këtu kazani po zien dhe duket se do t’i shpërthejë me forcë nervoze tubat, duke kërkuar, shkatërrimin total të kësaj klase politike dhe sekuestrimin e gjësë së vjedhur.

Reforma Zgjedhore, një sistem mazhoritar, ngriti në kulm forcën për mbijetesë, duke gjetur alibi për vetëtima e bubullima me oaz kaq të vogël, sa një teatër.

Pra, rrjeta e reformës i tmerron.

Në këtë rrjetë, varacioni i shëmbjes së një teatri, sjell zjarmi fluturake të turmave, që davariten me një thuper, pro dhe kundër njëri-tjetrit. Detyrën më të vështirë e ka normalisht Edi Rama. Atij i duhet të gjejë edhe luftëtarët edhe viktimat, edhe protestues edhe dhunues të tyre, edhe heronjtë, edhe virgjëreshat.

Nuk ka këllqe kjo opozitë për kolona kështjellash shprese, por as për rrëmujë.

Edi Ramës kjo i bën punë sot. Por tek kjo opozitë dhe ky popull, nuk funksionon ngacmimi fare. Më shumë u beson virgjëreshave dhe jetës sot për nesër, si me thënë, një thesi mielli.

Shteti vjedh votat, mileti nuk bën zë, shteti shton dozën e dhunës, mileti nuk ndihet, shteti e mbush vëndin me drogë e kontrabandë, mileti hesht, lan duart, del në dritare, han njëherë në ditë e ja fut gjumit, i gatshëm për refrenin e nesërm, ose të shkojë në protestë, ose të protestojë kundër atij që proteston.

PS, PD, LSI, Presidenti dhe Opozita e fundlistave, veç e veç janë engjëj e së bashku janë djaj.

Po, janë vetëm demonë, se bashkë janë të gjithë dhe vetëm një rrugë kanë, drejt burgut.

Këta, edhe servilat i kanë bashkë, njëlloj si hajdutët.

Hajdutët nuk “ja nxjerrin sytë” njëri-tjetrit. Ata po, kur i zënë ethet e burgut, dikush shëmb teatrin, dikush bën sikur e mbron teatrin dhe të gjithë kanë merakun të dalin në shesh dhe të hanë sa më shumë grushta nga policia.

Veç protestave që i drejton kryeministri, duke provokuar sa më shumë variacion dhune, kemi edhe ca fudulliqe me marifete si punë çipi, të tipit Monikë apo Fatmir Mediu, si me thënë, ti rrugaçe, s’ma merr burrin tim që e kam më të mirë se tëndin…

Konkretisht në rrënojat e teatrit dhe shpirtërisht nëpër ëndërrime rrëmuje dhe konfliktesh civile, Rama, Basha, Meta, Berisha dhe gjithë të tjerët, po kërkojnë nëpër errësirë hapësira afër Listave të Partive, për t’ja grabitur votën këtij populli që i kërkon njëzëri në burg.

Me emra të lashtë dhe pseudonime, këta janë lëngatë, mortajë, Coronavirus, Covid -19 apo Covid -19- s, me emra realë janë Edi Rama, Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Erion Veliaj…

Ndërkohë që këta po fryjnë të fikin llampat e shpresës, ambasadorja amerikane Yuri Kim shkon e paftuar dhe i troket në derë Edi Ramës.

E zë mat.

Presioni dhe dinamika amerikane dëshmon qartësi për pranverën e ndryshimeve të pritshme. Do rikthehet deri në cent gjëja e vjedhur.

Yuri Kim, kërkon me detyrim në tavolinë një “menu” me gatime peshku./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu