Vota e shqiptarit jashtë, si leku që zhvlerëson euron në kurrizin tonë!

0

Shkruan Artan Fuga

Përherë ka pasur një mekanizëm për t’i përçudnuar zgjedhjet për në Kuvend. Ose ka ndodhur diçka që e ka tërhequr vëmendjen gjetiu dhe nuk i ka lënë qytetarët të realizojnë me anë të zgjedhjeve një ndikim të duhur mbi qeverisjen.
Këtë rradhë e dini cili është mekanizmi?

Vota e emigrantëve.

Ata që kanë lënë Shqipërinë për një jetë më të mirë në dhera të huaj janë sigurisht nga forcat më të gjalla të kombit. Ata kanë kontribuar për familjet e tyre në atdhe. Ata janë të zotët dhe krenari kombëtare. Ata janë imazhi i Shqipërisë jashtë vendit.
Por, por por, megjithatë gjoja e drejta e tyre për të votuar është një mekanizëm që e dobëson edhe më tepër atë pak demokraci që ka në Shqipëri.
Sepse mekanizmi dhe mënyra e matjes së votës është krejtësisht e dyshimtë në vlerën e saj.
Pyetja është se përse u dha tani kjo e drejtë vote?
1. Sepse para se të vinte Trump në pushtet klasa politike sunduese kishte imagjinatën se ishte bërë forcë globale dhe nuk ishte thjesht një klasë qeverisëse në një vend të vogël, nga më të varfërit e Evropës në Ballkan.
Për ta përforcuar këtë i duhej të tregonte botës se ajo me elektoratin shqiptar jashtë vendit mund të ndikonte Athinën, Romën, Berlinin,, Londrën, etj. Pra, gjithë Perëndimin deri në Kaukaz.
Por, kjo imagjinatë e sëmurë tani ka rënë në ujë.
2. Duhej një mënyrë për të kontrolluar flukse votash nëpërmjet komisioneve, të numëruara pa kaluar në komisione votimi dhe jashtë syrit të organeve dhe të opinionit. Hajde gjeje si voton një shqiptar jashtë vendit, kush e mbush votën, etj. Rezultati tani është në duart e disa zyrtarëve dhe jo nën kontrollin e opinionit publik.
3. Popullsia në Shqipëri ra aq shumë saqë për klasën politike shqiptare numri i votuesve nuk i jepte më asnjë legjitimitet, aq i rrudhur është bërë. Gjendja ishte bërë tallëse në sytë e shqiptarëve por edhe të huajve.
4. Puna është se në këtë histori u zhyt edhe opozita, e cila gabimisht kujton se të gjithë emigrantët shqiptarë janë kundër pushtetit të sotëm dhe mbështesin atë, meqë numri i të ikurve tani ka qenë i madh. Harrojnë se kanë ikur me pikëpamje politike të ndryshme.
Puna është se deri kur do të vazhdojnë të mosbesojnë paradoksin se në Shqipëri situata ka ardhur në atë pikë të shëmtuar sa që për qeverinë votojnë të pakënaqurit prej saj.
5. Më e keqja është se klasa politike e ka kuptuar se një shqiptar jashtë atdheut është një votues i rehatshëm për të. është pikërisht sikurse ajo e do që të jetë.
a. E hedh votën jo para një komisioni elektoral dhe një zot e di kush dhe si numërohet.
b. Sa më shumë të votojnë jashtë aq më pak rëndësi ka vota e shqiptarëve brenda vendit. Klasa politike u thotë : Nuk doni të votoni ju, por ne kemi konkurrentët tuaj jashtë vendi!
c. Një votues i jashtëm hedh votën, jo mbi hallet që ka provuar në kurriz në vend, se nuk ka punë, se e kanë fyer, se i kanë bërë padrejtësi, se shikon burokratë me vetura luksoze, etj., por e hedh votën për të tjera arësye, ca imagjinare, ca patriotike – idealiste, ca për nostalgji, ca për këtë ose atë arësye.
d. Një votues i jashtëm është një qytetar pasiv politikisht. Ashtu sikurse e duan. Pasi të hedhë votën të rrijë atje larg vendit, mos përzjehet me çfarë ndodh këtu, mos jetë një njeri që kërkon participim politik pas zgjedhjeve. Hidh votën, dhe ik p…! Qendro atje ku ke vajtur!
6. Faktorët që ndikojnë votën jashtë janë krejt të tjerë nga ata të një respekti për emigrantët. Futi nja dy mitingje patriotike me salla nostalgjike, jepi në televizion dhe kaq! Organizime me kryesira jo legjitime që gjoja përfaqësojnë shqiptarët jashtë vebndit. Etj.
Më e bukura se në këtë kazan kanë rënë edhe opozitat, madje edhe ato që gabimisht e quajnë veten ashtui si nuk duhet “parti të reja”!

I gjithë trupi politik i kombit po pëson edhe një anestezi tjetër.

Dhe ja më duket sikur dëgjoj zërin e ndonjë mamuthi propagandistik që ushqehet me lekë të pista: Po vendet e tjera përse u japin të drejtë qytetarëve që janë jashtë territorit të votojnë?
Të vjen të qash dhe të shkrihesh gazit nga idiotësia e krahasimit. O gastor e gastore, dëgjo, ka prej tyre që e japin këtë të drejtë, por në kushte juridike, fiskale dhe me mënyra përfaqësimi krejt të kundërta nga këto që sheh te ne. Mblidhe pak mendjen, nis të mendosh!
Gjithsesi do ja dëgjoni këmbanën!
Nuk mbetet veçse të thërrasësh: Përpara për fitore të reja!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu