E re është kënga, e re është nusja, i ri është dhëndri, i ri Coronavirusi, i ri është edhe ligji i sotëm i kryeministrit Edi Rama për dënim me burg nga 3 deri 15 vjet për gjithë ata që nuk respektojnë karantinën dhe nuk mbajnë distance, duke u bërë rrezik për jetën e të tjerëve.
Shkruan Sokol Pepushaj
Në fakt, nuk është lajm i ri se u bë një dasëm e madhe në Shkodër në këtë kohë pandemie të tmerrshme, por ka edhe elementë të rinj, ka edhe mesazh të ri në këta pak rreshta.
T’i marrim gjërat me radhë.
E re është kënga, e re është nusja, i ri është dhëndri, i ri Coronavirusi, i ri është edhe ligji i sotëm i kryeministrit Edi Rama për dënim me burg nga 3 deri 15 vjet për gjithë ata që nuk respektojnë karantinën dhe nuk mbajnë distance, duke u bërë rrezik për jetën e të tjerëve.
Edi Rama dhe ligji, edhe populli që është dikund, i çoroditur!
Janë këta tre elementët që përleshen sot me një sëmundje globale, me Coronavirusin. Por kjo ndeshje bëhet me një ç’organizim të organizuar, për të qarë kujt i qahet e për të qeshur kujt i qeshet. Se kështu në fakt, janë regjistruar tërë ngjarjet e mëdha deri sot, në këtë cep të çuditshëm të Ballkanit.
1- Ai që populli do të duhej ta dëgjonte, ky kryeministri pra, pasi Opozita e Presidenti kanë hallet e veta për të fshehur ca prona të vjedhura nëpër dekada, duket është çmëndur e ka shkalluar fare, i fshehur thellë nën dhe, në një qoshe bunkeri, ku edhe leshi i mjekrrës i është rritur aq shumë. sa ka filluar të trëmbë fëmijët kur del nëpër TV.
2- Ligji që gjithkush ja ka nevojën, është azmatik për vete, pasi ca gjyqtarë e prokurorë e kanë bërë për spital prej mesë 80 vjetësh duke ja pjerdhur imunitetin.
3- Po populli? Në fakt, popullin e kemi të lashtë. Po për timonierët tanë nuk kanë vlerë as lashtësia, as veprimi, as mosveprimi, ka vlerë bindja me vullnet skllavi dhe qënia e tyre e përjetshme në Olimp.
Popujt në fakt, që në Romën e lashtë, kur rregullat janë orientuar në kahe të paparashikueshme, kanë detyruar Perandorët të jenë të kujdesshëm e të shpejtë në veprim, duke i bërë here ligjet antiligje, e here antiligjet ligje.
I kanë bërë këto veprime për të ruajtur pushtetin, edhe për të siguruar vazhdimësinë normale të jetesës. I bëjnë edhe sot e gjithë ditën në tërë botën demokratike kështu. Edhe do t’i bëjnë, me patjetër.
Por nuk ngjan tek ne kështu. Nuk ka dalë ende dikush me dy para mënd e ca ndershmëri drejtimi, e ta pyesë njëherë popullin evet për shijet e veta, për ligjet, për rregullat e veta, për orientimin e jetës së vet.
Prandaj edhe njerëzit, ngado në këtë shtet rrumpallë, nuk hanë “pykë”.
Nuk hanë “pykë”, se u duket se në drejtim kanë vërtet ca pyka që nuk bëhen kurrë ura mes ligjit e popullit. Prandaj sot njerëzit grumbullohen në qejf të tyre e nuk i trëmb asnjë ligj, edhe diktatorial qoftë ai. Prandaj sot në Shkodër, pëlcet dyzeni e jehon kënga:
Nuk e nxejmë për Ligjin, po martojmë Maliqin, nuk e nxejmë për Edin, po martojmë Fitnetin.
/Pamfleti


