“Valsi Hyjnor”- lutje e kthyer në tinguj!

0

Shkruan Zef Ndreka

– Kompozimi i Genc Tukiqit, është pa dyshim lutja muzikore me të cilën arti shqiptar nderoi shenjtërinë e Nënë Terezës.
Më 3 shtator 2016, në Vatikan, muzika shqiptare u ngrit në lartësitë e shenjtërisë me “Valsin Hyjnor”, himnin e kompozuar nga Genc Tukiqi dhe kushtuar Nënë Terezës.
I interpretuar me madhështi nga Inva Mula, Orkestra dhe Kori i Filarmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Bujar Llapajt, e shndërroi këtë moment në një lutje universale të tingujve dhe shpirtit shqiptar.
Vepra e Tukiqit do të mbetet një pasuri e pavdekshme, që dëshmon se arti ynë është i denjë për skenat më të mëdha të botës, duke përçuar dashurinë dhe humanizmin e shenjtë të Nënë Terezës.
Një moment i tillë është nga ato ngjarje që mbeten të paharruara në kujtesën e artit dhe shpirtit shqiptar. Me 3 shtator 2016, në prag të kanonizimit të Nënë Terezës në Vatikan, muzika jonë kombëtare u bë pjesë e historisë universale të fesë dhe humanizmit.
“Valsi Hyjnor”, i kompozuar nga Genc Tukiqi, si vepër muzikore, ishte në fakt një lutje e kthyer në tinguj, një gjuhë që bashkoi shpirtin shqiptar me atë botëror.
Interpretimi i sopranos së madhe Inva Mula, i shoqëruar nga Orkestra dhe Kori i Filarmonisë së Kosovës nën dirigjimin e mjeshtrit Bujar Llapaj, i dha kësaj vepre përmasën e plotë të një himni kushtuar shenjtërisë dhe dashurisë universale të Nënë Terezës.
Koncerti ishte një akt përfaqësimi kulturor e shpirtëror, aty ku muzika shqiptare tingëlloi me madhështi në një nga qendrat më të shenjta të krishterimit.
Sa për kompozitorin Genc Tukiqi, ai dëshmoi se arti shqiptar është i denjë për skenat më të mëdha botërore. Me një ndjeshmëri të thellë dhe një përkushtim të rrallë, ai krijoi një vepër që përçon madhështinë e thjeshtësisë dhe dashurisë së pafund të Nënë Terezës.
Ky hymn mbetet një nga gurët e çmuar të muzikës sonë moderne, një dhuratë e përjetshme jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë botën.
Do të thoja me zë të lartë, se ai moment ishte mrekulli muzikore edhe një shpallje e krenarisë sonë kombëtare në altarin e humanizmit botëror.
Pikërisht, atë që meritonte Nëna Tereza!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu