Zgjedhjet për Kongresin në Shtetet e Bashkuara mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në Ukrainë, ku mbështetja amerikane është shumë e rëndësishme për luftën kundër agresionit rus. Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze bisedoi me disa qytetarë ukrainas dhe ekspertë për rëndësinë e zgjedhjeve amerikane për Ukrainën.
Në Kiev, njerëzit janë të shqetësuar, jo vetëm për sulmet nga Rusia, por edhe për mënyrën sesi zgjedhjet për Kongresin në Shtetet e Bashkaura, do të ndikojnë në mbështetjen amerikane për Ukrainën.
Zyrtarët dhe qytetarët ukrainas shpresojnë që kushdo që merr kontrollin e Kongresit, nuk do të ndërpresë ndihmën amerikane për Ukrainën.
“Ne nuk favorizojmë një parti, nuk kemi një parti, që do të dëshironim të fitonte. Qëllimi ynë kryesor është të vazhdojmë partneritetin për të marrë armë, para dhe mbështetje politike, gjeopolitike dhe diplomatike”, thotë Mykola Davydiuk, analist politik nga Kievi.
Ai thekson se për Ukrainën, një partneritet i qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara është jetik. Analisti Mykola Davydiuk thotë se komentet si nga republikanët, ashtu edhe nga demokratët, që vënë në pikëpyetje qasjen e Amerikës ndaj Ukrainës, kanë të bëjnë më shumë me retorikën e fushatës politike, sesa me ndryshimin e politikës amerikane ndaj Ukrainës.
“Jam më se i bindur se mbështetja do të vazhdojë. Ne nuk jemi vetëm miq të mirë, por edhe partnerë me vlera të përbashkëta. Ne jemi në anën e demokracisë perëndimore dhe luftojmë kundër autokracisë dhe diktaturës”, tha ai.
Megjithatë, kolegët e zotit Davydiuk shohin probleme të mundshme me vazhdimësinë e mbështetjes amerikane.
“Ne mund të përballemi me probleme, nëse republikanët marrin nën kontroll Kongresin dhe i hedhin një vështrim më kritik propozimeve për buxhetin të administratës Biden. Republikanët tashmë kanë thënë se, ‘Nuk do të ketë më çeqe të bardha’ , ose ‘nuk do të jepen fonde pa kontroll’. Ata do të përpiqen të kenë më shumë kontroll mbi procesin buxhetor dhe do të kontrollojnë shpenzimet qeveritare”, thotë analisti Volodymyr Fesenko.
Sipas Institutit Kiel, i cili monitoron mbështetjen për Ukrainën, ndihma ushtarake, financiare dhe humanitare e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën tejkalon shifrën e 52 miliardë dollarëve. Vendet dhe institucionet e Bashkimit Evropian kanë dhënë mbi 29 miliardë dollarë ndihma për Kievin.
Ukrainasit në rrugët e Kievit e konsiderojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën si kritike dhe shprehin shpresën për një angazhim të fortë të Uashingtonit ndaj Kievit dhe përpjekjeve të tij për të fituar luftën dhe për t’u rimëkëmbur nga pasojat e saj.
“Mendoj se mbështetja do të vazhdojë. Është me të vërtetë e nevojshme, dhe unë mendoj se ata e kuptojnë këtë”, thotë një banore e Kievit.
“Jam e shqetësuar. Do të doja që mbështetja të vazhdojë. Do të fitojmë më shpejt, nëse ata na mbështesin. Ne dëshirojmë që forcat që po mbështesin Ukrainën të fitojë tani, të vazhdojnë të na mbështesin edhe pas përfundimit të luftës”, thotë një tjetër banore e Kievit.
“Shpresoj që mbështetja të vazhdojë. Nëse jo, gjithsesi do të fitojmë edhe vetë”, thotë një banor i Kievit. /VOA