“Ugolino dhe djemtë e tij”, si i nxori nga Ferri i Dantes skulptori Jean-Baptiste Carpeaux dhe i “burgosi” në mermer

0

Shkruan Albert Vataj

Muskuj të tendosur, nerva, tension dhe frikë. Shprehi të një gjendje pendimi dhe ndëshkimi.

Një frymëmarrje e zoritshme dhe puls i shpejtuar, mish dhe gjak që “ziejnë” në betejën ndëshkimore me flakët e Ferrit. Përsosmëria fizike që lartëson në qiell sublimen e aktit të krijimit, nuk i nënshtrohet dhunës dhe persekutimit, duke mbetur e papërshkuar edhe pse me një shpërfytyrim që qendërzohet te Ugolini, të cilit i duhet të mbajë gjithë peshën ndëshkimit, edhe barrën e djemve dhe nipërve të tij, që i janë ngërthyer si rrënjët në një plekse, për t’iu kundërvënë kërcënimit. Ajo peshon më shumë se vetë mermeri ku i ka “burgosur” në një përjetim të gjithmonshëm, francezi Jean-Baptiste Carpeaux, Ugolinin dhe djemtë e tij. Ajo është aty imponuese dhe përfshirëse, përmes një ndijimi të thellë dhe një përjetimi shpues, si në tërësi ashtu edhe në çdo fragment dhe këndshikim që ngas t’i qasesh.

Tema e kësaj vepre, e konsideruar nga kritika si intensivisht romantike, rrjedh nga kantoja XXXIII e Ferrit të Dantes, e cila përshkruan sesi tradhtari pizan, Konti Ugolino della Gherardesca, djemtë dhe nipërit e tij, u burgosën më 1288 dhe vdiqën nga uria. Statuja vizionare e Carpeaux, e ekzekutuar në periudhën 1865–67, pasqyron nderimin e pasionuar të artistit për Michelangelo, veçanërisht për Gjykimi i Fundit (1536–41) në Kapelën Sistine të Vatikanit, Romë, si dhe shqetësimin e tij të mundimshëm me realizmin anatomik.

Siç dihet, Ugolino della Gherardesca ishte një politik italian, i cili mbajti një sërë postesh të rëndësishme fisnike, Konti i Donoratico, i dyti me radhë si Zot i të tretit Cagliaritano dhe Patriku i Pizës. Ai u bë Vikar i Sardenjës më 1252 në emër të Mbreti Enzo i Suabisë dhe ishte një nga udhëheqësit politikë të Pizës nga 18 Prilli 1284 (si kryetar bashkie) deri më 1 korrik 1288, ditën në të cilën ai u rrëzua nga roli i kapitenit të popullit.
Fërkimet me Ruggieri degli Ubaldini (kryepeshkop i Pisa si dhe lideri i fraksionit Ghibelline) e çuan pozicionin e tij të përkeqësohej deri në atë masë, sa që ai përfundoi me disa nga fëmijët dhe nipërit e tij i mbyllur në një kullë, ku vdiq nga uria në mars të vitit 1289.
Figura e tij u përfaqësua, njëzet vjet më vonë, në kantonin XXXIII të Ferrit i Komedisë Hyjnore të Dante Alighieri.
Carpeaux është më i njohur sot për një kryevepër të vetme, të Muzeut Metropolitan “Ugolino dhe djemtë e tij”, megjithatë ai ishte një artist shumëplanësh dhe pjellor. Një skulptor i emocioneve, sa madhështor dhe intim, ai u tërhoq në ekstreme nga Michelangelo tek Watteau, ndërsa ruante admirimin e respektueshëm për bashkëmoshatarët e tij në skulpturën franceze. Një pararendës i Rodinit dhe një mori skulptorësh të tjerë të hershëm modernë, ai e mbushi punën e tij me lëvizje të forta dhe shtytje të brendshme. Ai u përpoq për realizëm anatomik në të gjitha mediat, por veçanërisht në skulpturat dhe bustet e tij prej mermeri, të cilat duket se kapin mish e gjak në gur.

Lëshimi fillestar i modelit të gipsit i “Ugolinin dhe djemtë e tij”, krijoi një “ndjesi publike”. Kjo vepër u larguan nga tradita e Akademisë Franceze me “guxim dhe vrull”, “shpirti dhe teknika mjeshtërore e denjë për Michelangelo”. Skulptura dhe Carpeaux u konsideruan si pasardhës të traditës së skulptorit romantik francez të viteve 1830, të lidhur me François I dhe Auguste Préault. Carpeaux admironte veprat e Rude, i cili dikur shërbeu si mentori i tij. “Ugolino dhe djemtë e tij” nisën karrierën e Carpeaux dhe e çuan në komisionin e tij për fasadën e operës Palais Garnier: La Danse, një vepër që e bëri të famshëm mjeshtrin.
Gjithsesi, “Ugolino dhe djemtë e tij” mbetet padyshim jo vetëm vepra ikonike e Jean-Baptiste Carpeaux, por edhe një nga kompozimet ideore më të spikatura, që arrijnë të dalin hyjshëm nga Komedia Hyjnore, për të përcjellë në çdo kohë dhe çdo gjenerate mesazhin e fuqishëm të Dantes dhe vërtetësinë e historisë, sikurse dhe pamëshirën e betejave politike të mesjetës së hershme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu