Trondit prokurori: Thaçi mohoi rolin e UÇK dhe persekutoi anëtarët e LDK

0

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi dolën dje për herë të parë para gjykatës speciale ku dëgjuan akuzat e përzgjedhura nga Prokuroria për ditën e parë të gjykimit në Hagë.

Prokurorët njëri pas tjetrit sollën prova që sipas tyre implikojnë katër ish-udhëheqësit e UÇK për vrasjen e rreth 102 personave dhe keqtrajtimin e anëtarëve të LDK-së dhe atyre që konsideroheshin si tradhtarë prej tyre.

Prokurori i ri i Specializuar, Alex Whiting, i cili zëvendësoi Jack Smith, u kujdes që në nisje të procesit të theksonte se nuk po gjykohet UÇK-ja.

“Akuzat ngrihen kundër katër personave, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në vitin ’98 dhe ’99”,tha  prokurori.

Prokurori Whiting e akuzoi Hashim Thaçin se e kishte mohuar rolin e tij dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’ju dhënë prokurorëve intervistë të zgjatur dhe të video-incizuar. Gjatë këtyre intervistave, mes një sërë pranimesh të rëndësishme, ai mohoi shumëçka lidhur me rolin e tij gjatë luftës dhe lidhur me rolin e Shtabit të Përgjithshëm. Për shembull, z. Thaçi pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte asnjë funksion deri në nëntor të ’98-ës dhe edhe pas kësaj date, ekzistonte vetëm në letër”, tha prokurori.

Provat që Whiting tha se do të paraqiten gjatë procesit gjyqësor, sipas tij, “do të tregojnë se këto pretendime ishin të rreme”. Sipas tij, ato bien ndesh me deklaratat tjera të Thaçit dhe me deklaratat e të akuzuarve tjerë.

“Ndërkohë që do të dëgjoni provat e paraqitura gjatë këtij gjykimi, të nderuar gjykatës, ju sugjeroj t’ia bëni vetes këtë pyetje: përse z. Thaçi erdhi këtu në Hagë dhe i bëri këto pretendime të rreme sa i takon rolit të tij gjatë luftës dhe lidhur me UÇK-në. Nga çfarë donte të largohej? Çfarë po përpiqej të fshihte. Në fund, gjykimi që po fillon sot, do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve”, tha prokurori i Speciales.

Ndër kundërshtarët e UÇK-së, Prokuroria tha se konsideroheshin personat të cilët nuk pajtoheshin me metodat e kësaj organizate dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ndonjëherë këta quheshin tradhtarë, bashkëpunëtorë… Provat tregojnë që personat e etiketuar kështu ndaloheshin dhe keqtrajtoheshin në mënyrë të tmerrshme”, tha prokurori.

Një nga Prokuroret  tha se Thaçi, Selimi e anëtarë tjerë të UÇK-së, në shtator të vitit 1998 i kishin keqtrajtuar 13 përfaqësues të LDK-së në Qirez të Skënderajt, pasi ata, sipas tij, po e zhvillonin një vizitë humanitare në atë zonë.

Ai  citoi një deklaratë për shtyp, që pretendoi se ishte e policisë ushtarake të UÇK-së dhe që fliste për arrestimin e 13 përfaqësuesve të një delegacioni parlamentar.

“Provat tregojnë gjithashtu që Hashim Thaçi iu tha anëtarëve të delegacionit të arrestuar se UÇK-ja nuk e njihte parlamentin e Kosovës, i pyeti ata dhe i bëri ata që të shkruajnë deklarata që hiqnin dorë nga Rugova dhe LDK-ja dhe iu kërkoi atyre që të jepnin dorëheqje nga postet parlamentare”, tha prokurori.

Po kështu prokuroret thane se tha se gjatë procesit gjyqësor do të dëgjohet se Thaçi dhe Veseli kishin nxjerrë disa të ndaluar nga një qendër ndalimi dhe se si ata, sipas saj, kishin dashur t’i detyronin disa anëtarë të shquar të LDK-së që të bënin deklarata publike në mbështetje të UÇK-së.

Në një tjetër rast theksohet e “Hashim Thaçi dhe Sabit Geci morën në pyetje të ndaluarit duke i identifikuar si Rugovistë, duke i kërkuar që të nënshkruanin deklaratat për të hequr dorë nga Ibrahim Rugova dhe duke kërkuar të heqin dorë nga LDK-ja dhe të jepnin dorëheqje nga të gjitha funksionet parlamentare…Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u keqtrajtuan se ishin spiunë apo simpatizantë të presidentit Rugova dhe të LDK-së. U morën në pyetje për mbështetje të LDK-së dhe për kundërshtimin e UÇK-së”, tha ai.

Në fund të seancës foli mbrojtësi i viktimave. Ai tha fillimisht se ky proces gjyqësor duhet ta gjejë të vërtetën. Avokati tha se disa prej atyre që janë paraqitur si viktima “janë etiketuar si tradhtarë”. “Etiketimet të vrasin. Disa prej tyre janë të frikësuar për hakmarrje”, theksoi ai.

Që në nisje të seancës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi u deklaruan të pafajshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu