Shkruan Ilir Kalemaj
Kjo verë si kronikë e një ngjarje të paralajmëruar solli mjaft zhvillime tektonike në politikën shqiptare. Jo se kjo e fundit ka qenë ndonjëherë e mërzitshme. Përkundrazi, shpesh ka vuajtur nga dramaciteti i tepruar apo tragji-komedia që e ka shoqëruar rëndom. Nëse sot ka një debat në SHBA, vendet e BE-së dhe gjetkë se politika po bëhet gjithnjë e më polarizuar, duke i ikur thelbit si arti i së mundshmes që bazohet në kompromis, në Shqipëri kjo ka qenë tradita e këtyre tridhjetë viteve, me fare pak përjashtime. Madje dhe kur kanë ndodhur këto të fundit, ka qenë më keq, se më mirë që bandat të kërleshen dhe t’i nxjerrin të palarat njëri-tjetrit se të bashkëpunojnë duke ia futur shoqërisë. Tre dekada tranzicion dhe ky i fundit nuk ka dritë në fund të tunelit. Pra kur do të kalojmë në rendin e një demokracie të konsoliduar, një shtet të së drejtës funksional, ekonomi tregu dinamike dhe të aftë t’i rezistojë konkurrencës globale, një shtet që respekton të drejtat e individit dhe ku ky i fundit të gëzojë një mirëqenie normale që mos të dojë të ikë nga sytë këmbët nga ky vend i bekuar nga Perëndia por i përdhunuar nga politikanët.
Ka pasur mjaft debate në lidhje me shkaqet e vonesës në kapërcimin e tranzicionit, madje disa e quajnë të tejkaluar tashmë, por për këdo që nuk vuan nga miopia politike, është e qartë se diku rrota e qerres ka ngecur. Madje, e ardhmja e afërt nuk premton asgjë përveç lehtësimit sadopak të simptomave por pa adresuar kurrsesi shkaqet e sëmundjes. Pas tre dekadave e kusur, ata që udhëheqin politikën shqiptare janë po ata protagonistë të fillim-viteve 90-të: Berisha, Rama dhe Meta. Po të shohësh partitë dhe partiçkat e tjera, janë po të njëjtët kryetarë të përjetshëm, ndonëse gjatë kësaj kohe mund t’u kenë firuar krejt anëtarët. Edhe ndonjë kryetar i ri i ndonjë formacioni të vjetër, mund të jetë aty ku është jo për shkak të ndonjë talenti politik, por si pagator i partisë klienteliste me të cilën mandej bën pazar me qeverinë. Partitë, qoftë dhe ato të mëdhatë ngjasojnë me garnizone ushtarake ku cilido që ka një ngjyresë individuale, nuk po themi mendim politik se është të kërkosh shumë, shihet si heretik. Xhaketat e vjetra, janë arnuar, kthyer mbrapsht dhe shiten si mall firmato. Shoqëria nuk ka mundësi zgjedhje se është gjithmonë me mundësinë e vetme për të votuar të keqen më të vogël.
Në kushtet kur kemi një parti që ka akaparuar çdolloj pushteti dhe jo vetëm atë ekzekutiv, por edhe atë lokal, jo vetëm shoqërinë civile, por edhe akademinë, universitetet, mediat, madje dhe biznesin privat, duhej normalisht pritur një lloj revolte nga shoqëria. Por nga cila shoqëri? Një shoqëri e përçarë, pa katalizatorët socialë si organizata shoqërie civile që e kanalizojnë këtë pakënaqësi, pa individë me kredo morale që të dinë të udhëheqin në kohë krize, me parti të stër-konsumuara që mendojnë vetëm si të përdorin pushtet, natyrisht është një shoqëri që vuan nga anomia, ku individi ka mosbesim të thellë të institucionet por dhe te ata rreth e rrotull tij. Mungesa e kapitalit social e fragmentarizon shoqërinë, e dobëson strukturalisht atë, e vështirëson jetën në vend dhe në vend që individi të protestojë, rebelohet, kërkoj alternativë, zgjedh të braktisë vendin. Ose të mbyllet në guackën e tij. Pra siç do thoshte Albert Hirschman, mes tre zgjedhjeve ikjes, zërit dhe besnikërisë, individi zgjedh të ikë nga sytë këmbët.
Institucionet nuk lënë shumë vend për shpresë gjithashtu. Dhe nuk po flasim vetëm për institucionet gjasme të pavarura por të kapura kokë e këmbë. Por edhe për institucione si ai i votës së lirë, koncepteve si ndarja dhe balanca e pushteteve etj., të cilët janë dobësuar qëllimisht sistematikisht. Sot pavarësisht reformës së ngadaltë dhe problematike në drejtësi, pakkush mund të thotë me siguri që sistemi aktual i drejtësisë nuk funksionon si korporatë. Harta e re gjyqësor do ta bëjë drejtësinë edhe më të vështirë për t’u arritur, edhe më të shtrenjtë për qytetarin e zakonshëm, edhe më të vonuar, duke e kthyer në drejtësi të mohuar. Sistemi i shëndetësisë funksionon gjithashtu si korporatë. Të dyja së bashku janë ndoshta arsyet kryesore pse vijon emigrimi me rritme të larta dhe shpopullimi në këtë vend. Madje më tepër se mundësitë për punësim cilësor me pagë dinjitoze. Kjo pasi është shtresa e mesme, profesionistët e lirë, inteligjenca ajo që po emigron më masivisht se pjesa më e varfër e shoqërisë.