Shkruan Qamil Xhani
Transparency International (TI) është organizata kryesore në botë që vlerëson nivelin e korrupsionit në rreth 180 shtete. Shqipëria, sipas klasifikimit të kësaj organizate, vitet e fundit renditet tek vendet më të korruptuara. Por raporti i publikuar sot nga kjo organizatë për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë është dhe më alarmant. Në mënyrë të drejtpërdrejtë dokumenti i ekspertëve ndërkombëtar e cilëson Shqipërinë si një shtet të kapur nga korrupsioni qeveritar dhe nga krimi i organizuar.
Ndryshe nga herët e tjera, raporti jep raste konkrete të asaj që e cilëson korrupsion qeveritar. Konkretisht, dokumenti thotë se: “Një ligj i miratuar në Shqipëri i ka dhënë kompanisë “A.N.K Sh.P.K”, një kompani pranë Partisë Socialiste në pushtet, një kontratë jashtëzakonisht të çmuar për ndërtimin e një rruge 17.2 km. Kostot e ndërtimit pritet të jenë gati 300 milion €, mbi dyfishin e shumës që qeveria kishte parashikuar”. Duke e krahasuar këtë aferë me rase të tjera në Turqi dhe në Medoninë e Veriut, dokumenti thotë se këto raste janë “shembuj të kapjes së shtetit, kur individë dhe grupe të fuqishme përdorin korrupsionin për të formësuar politikat, ligjet dhe ekonominë e një kombi për të përfituar interesat e tyre private. Kjo i lejon të korruptuarit të ruajnë pushtetin e tyre, të pasurohen nga shteti dhe të shmangin dënimin”.
Dokumenti ndalet dhe në fakte konkrete të lidhjes mes krimit të organizuar dhe pushtetit politik. Raporti përmend si raste të bashkëpunimit të krimit të organizuar me politikën ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako dhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Transparency International thotë se në këto dy raste procedurat e ndjekura nga gjykatat kanë shërbyer për të pastruar dosjet dhe jo për të zbardhur të vërtetën. Raporti thotë se Shqipëria dhe Turqia janë dy vendet e rajonit ku ligjet u shërbejnë interesave personale të politikanëve në pushtet. “Gjatë mbledhjes sonë të të dhënave, vendet ku u gjetën ligjet më qw i sherbenin interesave personale ishin Turqia (e cila bie në kontrast me mungesën e informacionit në dispozicion për rastet e korrupsionit) dhe Shqipëria”,- thuhet në dokument. Duke folur për ligjet speciale që bëhen për të përfituar njerëz afër qeverisë, raporti vë në dukje se Shqipëria është shembulli më flagrant, kur lojërat e fatit janë në pak duar dhe ky biznes përdoret për pastrim parash. Dokumenti thotë se paratë e krimit që pastrohen te lojërat e fatit përdoren dhe në fushatat zgjedhore.
“Sipas raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA 2018 për pastrimin e parave, lojërat e fatit është një nga metodat më të njohura për të fshehur të ardhurat e paligjshme në Shqipëri. Kështu, përfituesit e ligjit mund të përfshijnë rrjete të krimit të organizuar dhe politikanë që financojnë fushatat e tyre me para të tilla. Një nga efektet e këtij lloji të ligjit të personalizuar është përjashtimi i konkurrentëve, i cili nga ana tjetër ka një ndikim negativ në zhvillimin ekonomik”,- theksohet në dokumentin e Transparency International (TI). Dokumenti analizon gjithë vendet e rajonit, por ajo që bie në sy është se Shqipëria renditet më keq se të gjitha shtetet përreth, madje në disa raste dhe më keq sesa Turqia. Ekspertët huaj se arrijnë në përfundimin se këtu nuk ka drejtësi dhe ligjet bëhen sipas dëshirës. Ndërsa qeveria është vënë në shërbim të krimit të organizuar dhe interesave personale me korrupsion galopant.