Teatrin e shëmbi një peshk…

0

Nëse teatrit i kanë munguar njerëzit në të gjallë, sonte e përnatë po thuhet se do jenë aty me mijëra, për t’ja ruajtur kurmin e sakatuar nga përbindëshat Centaurë të qeverisë.

Shkruan Sokol Pepushaj

Kush e shëmbi teatrin, Edi Rama, Erion Veliaj apo Sandër Lleshi me xhandarë?!

Asnjëri nuk e shëmbi?

Po atëherë, kush e mbrojti teatrin, Ilir Meta, Lulzim Basha apo Monika Kryemadhi me aktorë e me skeçe?!

Asnjëri prej këtyre nuk e mbrojti.

Po në 30 vite, sa të ardhura janë mbledhur nga aktiviteti i këtij teatri, nga talenti i këtyre “artistëve” që sot derdhin lotë në cep të pasgrushtes së këmishës?

Për fitime as që bëhej fjalë, se nuk kishte aktivitet efektiv dhe mungonin audiencat e interesuara, apo siç thuhet nëpër studio, spektatorët e kulturuar që mund t’i kuptojnë këta aktorë.

Po ku është teatri atëherë?!

Teatrit ju shëmbën muret, se si institucion i shëmbur ishte.

Godina rëndonte tokën kot, dhe kënaqej kur ndonjë aktor shkelte aty, si vizitor i rregullt

Teatri dhe aktorët ishin familjarizuar.

Është normale. Jeta e tyre nëpër dekada u mishërua në trajtë eksplicite me atë godinë, ku kanë marrë rrogat dhe kanë jetuar mirë, edhe nëse punët nuk kishin as dukë, as lekë.

Aspak më të vlefshme se teatri, nuk janë presidenca, kryeministria, kuvëndi, ministritë apo ajo godina ku sot normalisht shqiptarët do të duhej ta rrethonin e të kërkonin shpresë.

Godina gjigande e ish SHQUP-t, (Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë Popullore), sot duhej të gumëzhinte nga opozita dhe populli. Do të ishte normale që njerëzia të ishin aty me vegla pune nëpër duar, dhe me një gjeneral që ka një projekt gjeometrik për shëmbjen e kështjellës së korrupsionit, duke filluar me ca protesta nga Kodra e Diellit, Gjiri i Lalzit, Surreli e deri tek 122 milionerët deputetë që po stimulojnë rrëmujë, vetëm të shpëtojnë Listat e Partive nga kërkesa mbarëpopullore, për një sistem mazhoritar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Por asgjë që ata presin e shpresojnë, duket se nuk do të jetësohet.

Nëse teatrit i kanë munguar njerëzit në të gjallë, sonte e përnatë po thuhet se do jenë aty me mijëra, për t’ja ruajtur kurmin e sakatuar nga përbindëshat Centaurë të qeverisë.

Teatri pra, nuk qënka shëmbur, paska vdekur.

Do t’i rrinë tek koka Monika dhe Luli, Muslim Murrizi dhe Shpëtim Idrizi, Fatmir Mediu dhe Kastriot Islami.

Edhe presidenti i Republikës mund të shkojë për ngushëllim. Është normale. Kushtetuta është prej letre dhe letra është prej druri. Teatri kishte tra druri dhe ato ishin lëndë letre.

Ja pra, pse shëmbja e teatrit është edhe cënim kushtetute.

Po në është vetëm kaq, është asgjë fare.

Kushtetutën e kanë fëlliqur qysh nga Sali Berisha e deri tek Gramoz Ruçi. Këta, ka 30 vjet që i lehin njëri-tjetrit si qën stani, dhe sa vjen një “ujk”, si me thënë drejtësia ta kapë njërin, ata futin gjuhën brënda dhe bëhen bashkë të sulmojnë SPAK-un.

Kështu janë edhe sot, të gjithë bashkë.

Nuk kanë hallin e teatrit asnëra palë. Kanë hallin e ujkut me emrin e tmerrshëm SPAK, që po vjen t’i hajë të gjithë këtë parnverë.

Po këta që po i thërrasin protesta, akoma nuk e mësuan se çudia më e madhe zgjat 3 ditë në këtë Shqipëri me skandale.

Sidomos, sfumim të shpejtë marrin ngjarjet, kur koha plotëson prova për vjedhje dhe grabitje të madha, e drejtësi të premtuar nga amerikanët.

Dhe kjo kohë, është në kohë.

Koha kur rrah krapi. Peshku nuk është leverda si pranverat e tjera. Nuk i lëshon vezët në liri e harbutje. Është peshk i madh në një kariq të madh. Njëri, duke u përpëlitur në rrjetë, i kupi muret e teatrit dhe i shëmbi përdhe.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu